ZGJEDHJET NË SHBA
Përse Barack Obama nuk ka tregues më të mirë ndaj rivalit të tij republikan John McCain në garën presidenciale amerikane? Përparësia e Obamës ndaj McCainit, sipas anketave, është vetëm 2-3 pikë.
Kjo lidhet me prejardhjen unike të Obamës, i cili i përket disa vendeve njëherësh dhe asnjërit plotësisht. Ai gjendet vetëm pjesërisht brenda institucioneve ku është rritur, por pa qenë asnjëherë plotësisht pjesë e tyre.
Në këtë kuptim, votuesit e kanë të vështirë ta vendosin atë në një kontekst të caktuar, në mënyrë që të kuptojnë rrënjët dhe vlerat që ai përfaqëson.
Fëmijëria e Obamës është një rrugëtim mes Kansasit, Indonezisë e Hauajit, duke marrë shumëçka nga këto vende, por pa i përkitur plotësisht ndonjërit prej tyre.
Ai ka filluar punë dhe atëherë kur mund të ishte më efikas, është larguar prej tyre. Edhe së fundi në Senat, ai asnjëherë nuk u bë pjesë e plotë e rretheve të Kongresit. Mbështetësit e tij demokratë, senatorë si ai, flasin me vlerësime të larta për Obamën, por në vija të përgjithshme, jo konkretisht. E kjo pasi nuk e njohin mirë. Kandidati presidencial demokrat është liberal, por jo plotësisht i tillë, ai shpesh ka kundërshtuar politikën në Çikago, por mbetet pjesë e saj. Obama ka folur në mitingje kundër luftës në Irak, por e ka distancuar veten nga aktivistët që janë kundër luftës.
Kjo aftësi për të qenë në mes të gjërave, por asnjëherë plotësisht pjesë e tyre i jep Obamës aftësi të shkëlqyera vëzhgimi, analize, shkrimi. Kjo bën që njerëz nga shtresa e grupime të ndryshme të gjejnë diçka të tyre tek Obama, por pa mundur ta përcaktojnë se ku qëndron ai plotësisht.
Nëse Obama i takon plotësisht ndonjë grupimi, ai është klubi i meritokratëve të mençur. Obama dhe brezat më të rinj se ai përfaqësojnë një grupim në rritje në Shtetet e Bashkuara; pasi ndoqën shkollat më të mira, lëvizën nga njëra punë tek tjetra duke mbetur të ndërgjegjshëm, idealistë dhe mençurisht të ftohtë. Problemi është se si i vlerëson këta njerëz Amerika. Votuesit duken të ngadaltë të përcaktojnë vendin në shoqëri të njerëzve të tillë si Obama. (New York Times)
Kurse problemi i McCain-it, kandidati rival i Obamas, nuk është presidenti aktual Bush. Nga të gjithë republikanët McCain është i fundit që duhet të shqetësohet se mund ta quajnë kloun të Bushit. McCain-i ka qenë ndër të parët që ka këmbëngulur për një ofensivë të gjerë në Irak dhe ka kërkuar largimin e Donald Rumsfeldit, në kohën kur pozitat e shefit të Pentagonit ishin ende të forta.
McCain ka ndjekur rrugën e tij në të gjitha çështjet, pavarësisht qëndrimeve të partisë. Këtu përfshihen tema të nxehta si emigracioni, kërkimi qelizor, ngrohja globale dhe zvogëlimi i taksave.
Nëse McCain, ashtu siç ndodhi dhe në muajin maj, takohet me Bushin privatisht dhe dëshiron të jetë larg kamerave kur takohet me Presidentin e vendit, atëherë ky qëndrim e vë atë në pozita mbrojtëse në nëntor. Problemi për McCain-in, nuk është distancimi nga presidenti Bush, por të përballet me një rival karizmatik si Barack Obama, që i ka dhënë energji partisë së tij si John Kennedy në kohën e vet. Për këtë McCain duhet të ofrojë një agjendë për popullin amerikan që e dallon atë nga Obama dhe demokratët. (Wall Street Journal)
*Dy editoriale të gazetave më të mëdha amerikane, “New York Times” dhe “Wall Street Journal”