Shtune, 22 Nentor 2008 01:38:54

Lexoni versionin Print

Mbi modelet e emërtimeve

Shumica e senatorëve të Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”, para disa ditësh, kanë vendosur t’i propozojnë Ministrisë së Arsimit heqjen e emrit dhe ta quajnë këtë institucion thjeshtë Universiteti i Vlorës.

Nga Bashkim Muça
Enjte, 07 Gusht 2008 09:35:00

Shumica e senatorëve të Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”, para disa ditësh, kanë vendosur t’i propozojnë Ministrisë së Arsimit heqjen e emrit dhe ta quajnë këtë institucion thjeshtë Universiteti i Vlorës. Ky propozim në fillim është justifikuar, duke thënë se Ismail Qemali nuk ka pasur kontribute direkte në fushën e arsimit. Më pas justifikimi është moderuar, kur rektori i këtij universiteti, një profesor i kthyer nga Amerika, ka thënë se “më i rëndësishëm se emri i Ismail Qemalit është emri i Vlorës”.

Më tej, rektori ka shpjeguar se ky universitet do të ndërkombëtarizohet (sipas tij, do të vijnë të studiojnë këtu studentë nga vendet e rajonit si dhe nga disa vende si Pakistani, Irani etj.), por nuk ka treguar se çfarë pune i prish ndërkombëtarizimit, emri i themeluesit të shtetit shqiptar. Në argumentin e tij, rektori ka përmendur disa herë emrin e Vlorës, aq sa të krijohet përshtypja se universiteti në fjalë mund të mos quhej as i Vlorës! ( Po si mund të quhet ndryshe, i Lushnjës!?).

Në Shqipëri ekzistojnë dy modele kryesore sa i përket emrit të universiteteve. Universitetet e Tiranës, nuk kanë emra personalitetesh të shquara, por kanë thjeshtë emrat e profileve përkatëse si p.sh., Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik, Universiteti Bujqësor etj. Kjo gjë ka ardhur jo vetëm për arsye se Tirana është një qytet relativisht i ri (është themeluar para 400 vjetësh), pa shumë histori, të paktën deri në vitin 1920 kur u vendos si kryeqytet.

Tirana nuk ka nxjerrë personalitete të spikatur autoktonë siç ka nxjerrë, fjala vjen, Durrësi, Berati, Vlora, Shkodra, Korça, Gjirokastra etj. Mbase kjo është arsyeja që të gjitha universitetet e qyteteve të tjera shqiptare kanë krijuar traditën e të quajturit me emrin e një personaliteti të shquar si p.sh., Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali”, Universiteti i Korçës “Fan Noli”, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Universiteti i Gjirokastrës “Eqrem Çabej”, e së fundi, Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu”. Për hir të së vërtetës, duhet thënë që Tirana nuk ka nxjerrë asnjë personalitet, autokton, të këtyre përmasave.

A duhen prishur këto dy mode të krijuara deri tani në Shqipëri? Kjo është një çështje që edhe mund të diskutohet (e cila nuk është objekt i këtij shkrimi). Mjafton të thuhet se edhe në botën e zhvilluar ekzistojnë të dyja këto modele. Emërtimi i institucioneve arsimore, shëndetësore, objekteve industriale, bujqësore etj., ka qenë traditë e hershme e kohës së komunizmit. Institucionet, në shumë raste, emërtoheshin me emra dëshmorësh pa pasur asnjë lidhje. Po ashtu edhe emrat e rrugëve. Por rasti i universiteteve të sotme është krejt i veçantë. Shqipëria ka rreth 10 universitete gjysma e të cilëve janë jashtë kryeqytetit, e, siç e thamë, mbajnë emra personalitetesh të elitës së kombit.

Pavarësisht nga rëndësia, nëse modeli i emërtimit të universiteteve me emra personalitetesh do të binte, në mes të të gjithë personaliteteve, Ismail Qemali do duhej të ishte i fundit që do të binte. Emri i tij është i lidhur jo vetëm me Universitetin e Vlorës por edhe me institucione të tjera të rëndësishme arsimore, në Shqipëri, Kosovë dhe troje të tjera shqiptare. Jam i sigurt që nëse këtë emër nuk do ta mbante Universiteti i Vlorës, do kishte një garë se cili prej universiteteve shqipfolëse ta merrte.

Fshirja e emrit të Ismail Qemalit do të bënte bujë edhe në një fshat periferik të Shqipërisë, ndërsa fshirja në mënyrë ilegale, paraprake, siç ndodhi në Vlorë, ku në diplomat e studentëve të sivjeçëm nuk figuron emri i Universitetit, është, të paktën administrativisht e dënueshme.

Me emrin e Ismail Qemalit nuk është e lidhur vetëm historia e Shqipërisë moderne, por e gjithë historia kombëtare e shqiptarëve. Të fshish themeluesin e Shteti Shqiptar, do të thotë të shtrish hartën e diskutimit në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë, do të thotë, pse jo, të fyesh po aq sa një vlonjat, edhe një shqiptar të Mitrovicës.

Dikujt edhe mund të mos i pëlqejë Ismail Qemali pasi mund të mos e ketë dashur gjyshi apo stërgjyshi i tij. Po ashtu, shumëkush mund të diskutojë për politikanin Ismail Qemali, mund të shprehë rezerva, madje mund ta shajë sa të dojë, mund ta quajë edhe tradhtar, se ngriti Flamurin në Vlorë dhe jo diku tjetër, por askush nuk ka të drejtë dhe as kurrfarë argumenti të diskutojë Ismail Qemalin si simbol kombëtar.

Sot, pas afro 100 vjetësh, mund të diskutojmë për Ismail Qemalin si politikan, si njeri, apo si patriot, mund të diskutojmë se si ndodhi dhe çfarë ndodhi ne vitin 1912, nëse mund të kishin ecur gjërat më mirë, mund të diskutojmë edhe se si erdhi dhe iku Ismail Qemali (pak dihet për këtë të fundit, për hir të së vërtetës), mund të diskutojmë edhe për raportet e Ismail Qemalit me politikanët e tjerë të kohës, por nuk mund të diskutojmë për Ismail Qemalin si simbol.

Askush nuk e vë në diskutim që Ismail Qemali është simboli i themelimit të shteti shqiptar, babai i kombit, thënë ndryshe, dhe se data 28 Nëntor 1912 është dita më simbol e shqiptarëve. Ndryshe do duhej të shpiknim një njeri tjetër e ta vinim në krye të ngjarjeve që çuan në pavarësinë e Shqipërisë, në krye të shtetit të parë shqiptar, i cili vetëm pas pak muajsh u njoh ndërkombëtarisht. Efektet e kësaj ngjarjeje nuk është e nevojshme të përmenden, më mirë se kushdo tjetër ato i dinë shqiptarët e Kosovës.

Në rastin e Universitetit të Vlorës kemi të bëjmë me Ismail Qemalin si simbol. Për gjithçka tjetër mund të diskutohet nën dritën e fakteve dhe të dhënave të reja që mund të dalin. Fshirja e “Ismail Qemalit” nga diplomat e Universitetit të Vlorës, në mënyrë tinëzare, është një precedent që nuk duhet të përsëritet. Ndërsa debati për modelet e emërtimit të institucioneve mund të vazhdojë.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën

21/11/08 20:27:00 | Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi..

Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

LAJME TE NGJASHME

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML