KRIZA E KAUKAZIT
Vendimi i Rusisë për të njohur Osetinë e Jugut dhe Abhazinë ngre përsëri çështjen e mprehtë se çfarë mund të justifikojë një territor që të shkëputet nga një shtet të cilit i përket zyrtarisht. Është rasti i Abhazisë, për shembull, i njëjtë me atë të Kosovës? A është rasti i Kosovës i njëjtë si rasti i Çeçenisë?
Pa dyshim që Rusia do ta mbrojë njohjen nga ana e saj të Osetisë së Jugut dhe Abhazisë duke argumentuar se kjo është ajo që dëshiron populli që jeton atje. Gjeorgjia do të përgjigjet se këto rajone janë ligjërisht gjeorgjiane, dhe nuk ka asnjë mënyrë që kjo mund të ndryshohet pa marrëveshjen e fuqisë së ligjshme, Gjeorgjisë. Ky është një argument që është mbështetur gjerësisht në të shkuarën nga shumica e shteteve, përfshirë Rusinë.
Argumentimi është se ndryshimet e kufijve në favor të pakicave kombëtare vendos një precedent të rrezikshëm për minimin e qëndrueshmërisë së shteteve të vendosura, veçanërisht të shteteve shumëetnike si India, për shembull, apo Kina, apo madje edhe Rusia, që ka rajonin e saj të mundshëm që kërkon të shkëputet, Çeçeninë.
A ka justifikim? Është e qartë se shumë shtete besojnë se në DISA raste shkëputja ËSHTË e justifikuar. Në fund të fundit Shtetet e Bashkuara u shkëputën nga Britania në shekullin 18. Bangladeshi u shkëput nga Pakistani në fillim të viteve 1970. Vetëm pak muaj më parë shumica e shteteve evropiane - megjithëse jo Rusia - pranuan Kosovën në bashkësinë ndërkombëtare të shteteve. Në atë rast bota qartë u ndikua nga ashpërsia me të cilën qeveria serbe e Millosheviqit ishte përpjekur të shtypte revolta të ndryshme për shkëputje.
Por a ishte brutaliteti kundër atyre që dëshironin shkëputjen një justifikim i mjaftueshëm? Shumë do të thoshin Jo. Shumë nga lëvizjet për shkëputje kanë përdorur vetë forcë ushtarake për të arritur objektivat e tyre, ndoshta, megjithatë, jo të njëjtat metoda brutale. Por argumenti kryesor kundër mbështetjes automatike për shkëputjen është se ajo vendos një precedent fatkeq për shumë rajone që duan të shkëputen.Nëse Kosova ka të drejtën e pavarësisë, pse jo Abhazia dhe Osetia e Jugut? Pse jo Karabaku, ku popullsia armene ka shpallur pavarësinë nga Azerbajxhani? Pse jo Çeçenia - ku shtypja e kryengritjes vendase ka qenë po aq e ashpër sa edhe gjetkë? A nuk kanë ato të gjitha raste të justifikueshme? Nëse jo, cilat janë ndryshimet?
Në fakt, duhet të jetë e mundur që bashkësia diplomatike e botës të nxjerrë disa direktiva të besueshme për çështje të tilla. Ata mund të sugjerojnë, për shembull, që vullneti i popullit në rajonet në fjalë duhet të matet në një referendum demokratik dhe të monitoruar. Që duhet identifikuar një nivel i caktuar popullsie që mund t'i bëjë këto "shtete të vogla" të pavarura ekonomikisht të qëndrueshme. Që njerëzit e zhvendosur duhen marrë parasysh. Që ata që kërkojnë shkëputjen ndoshta, kanë ndjekur kryesisht rrugë paqësore për të mbështetur rastin e tyre. Këto mund të jenë ide të arsyeshme.
Por a mund të zbatohen ato nëse nuk ka vullnet politik? Për momentin, për fat të keq, shumë popuj po mendojnë për interesat e tyre kombëtare, dhe vetëm ato. Dhe njerëzit në rajonet që kërkojnë shkëputjen janë pak më shumë se kukulla në këtë lojë.
*Analisti i BBC - së për rajonin e Kaukazit