Premte, 21 Nentor 2008 19:39:52

Lexoni versionin Print

Vrapimi në të nxehtë

Paralelisht me zhvillimin e Lojërave Olimpike të Pekinit, ku njerëzia po argëtohej me vrapuesit më të mirë të botës, shqiptarët janë shtrënguar, si asnjëherë tjetër në këtë sezon pushimesh, të shikojnë vrapin e politikanëve të tyre, për të gjetur strehë para se të ketë përfunduar miratimi i Kodit Zgjedhor.

Nga Bashkim Muça
Enjte, 28 Gusht 2008 08:35:00

Paralelisht me zhvillimin e Lojërave Olimpike të Pekinit, ku njerëzia po argëtohej me vrapuesit më të mirë të botës, shqiptarët janë shtrënguar, si asnjëherë tjetër në këtë sezon pushimesh, të shikojnë vrapin e politikanëve të tyre, për të gjetur strehë para se të ketë përfunduar miratimi i Kodit Zgjedhor. Sistemi i ri elektoral, proporcionali rajonal, i adaptuar në kushtetutë, normalisht pritet të sjellë përqendrimin e politikës në 2-3 qendra duke nxjerrë jashtë loje partitë që kanë mbijetuar vetëm për shkak të konfliktit midis dy kampeve të mëdha.

Partitë e Megadushkut, po përpiqen të imponojnë modifikimin e sistemit elektoral të modelit spanjoll, për të lejuar koalicione të përbëra brenda të cilave nuk do të kishte prag elektoral. Që do të thotë se këto parti edhe me më pak se 1% mund të fusin deputet në parlament. Para këtyre skemave, që vetëm njerëzit e mbrapshtë mund t’i prodhojnë, që nuk i përshtaten asnjë lloj modeli të aplikuar më parë në botën e zhvilluar, janë lëkundur dy partitë e mëdha PD dhe PS.

Arnimi i modelit spanjoll, do të mbante në lojë faktorët jo relevantë politikë, për pasojë parcelizimin e politikës, e cila do të impononte varësi të qeverisjes së Shqipërisë nga individë dhe grupe të vogla, jashtë interesave publike qytetare. Me pak fjalë do të ishte një lloj tjetër Megadushku, por që do të sillte efekte të ngjashme më këto të sotmet, ku deputetët lëvizin dhe kapërcejnë sa në një parti në tjetrën dhe krijojnë grupe sipas dëshirës dhe interesave ekonomike të tyre.

PS ka filluar të flasë për një koalicion të përbërë, që në thelb ka arnimin e sistemit zgjedhor proporcional rajonal (i habitshëm një qëndrim i tillë kur mendon se ky sistem u fut në kushtetutë pikërisht me propozim të PS-së!). Ky koalicion nënkupton bashkëpunimin me parti inekzistente dhe individë në fund të karrierës së tyre, që kërkojnë të ruajnë “vendin e punës” në parlament.

Brenda këtyre zhvillimeve bazuar në sistemin e adaptuar zgjedhor, i vetmi diskutim serioz që mund të bëhet në të majtë është forma e bashkëpunimit mes PS dhe LSI. Koalicionet e llojeve të tjera janë forma të ruajtjes së stanjacionit dhe ferrave në fushën e lojës së politikës shqiptare. E njëjta logjikë funksionon edhe për të djathtën me parti tradicionalisht të djathta që janë në kufijtë e mosekzistencës.

Një gjë është e sigurt, që, sipas kushtetutës, sistemi do të jetë proporcional rajonal me një votë dhe Shqipëria do të jetë e ndarë në 12 rajone zgjedhore, sipas 12 qarqeve ekzistuese. Hesapet e mëtejme do të bëhen në funksion të modaliteteve që do të shoqërojnë sistemin zgjedhor, të cilat do të miratohen brenda muajit shtator.

Problemi është tek rreziku i deformimit të sistemit elektoral, lidhur me përllogaritjen e vendeve në parlament. Nëse do duhej dalë nga sistemi spanjoll, shumë bukur mund të adaptohej një model sistemi tjetër rajonal, por jo të bëhen modifikime allashqiptarçe të pa aplikuara gjëkundi. (Fjala vjen mund të adaptohet sistemibullgar, që është mjaft i mirë dhe funksional).

Një nga arsyet që e bën të besueshme se sistemi elektoral mund të deformohet, allashqiptarçe, është fakti se lideri i së djathtës, kryeministri Sali Berisha ndodhet në provën e fundit të karrierës së tij politike. Atij do t’i interesonte të grumbullonte rreth vetes çdo lloj subjekti apo individi, pavarësisht nga origjina apo biografia politike, vetëm e vetëm për të garantuar edhe njëherë një shumicë parlamentare, qoftë edhe si kjo e sotmja e Megadushkut. E djathta nuk ka asnjë faktor tjetër, as politik dhe as individual, që të rrezikojë Berishën, si individ, në krye të saj, ndryshe nga çfarë ndodh në të majtë.

Sipas një llogarie të thjeshtë, bazuar në forcën elektorale të subjekteve politike të vogla, në një konkurrim veçmas, me sistemin proporcional rajonal, ku vendet në parlament llogariten sipas metodës D’Hondt, asnjë prej subjekteve të vogla të majta dhe të djathta nuk ka shanse të përfaqësohet në parlament. Votat e tyre do të shkonin në favor të partive të mëdha, ose në favor të dy kampeve PS & LSI dhe PD.

Po të analizojmë rezultatin e pritshëm që do të arrinin partitë e vogla, përkatësisht të majta dhe të djathta, si dhe po të marrim parasysh faktin se një përqindje votash deformohen rrugës për shkak të prioritetit të individëve të veçantë në listat e këtyre partive, si pasojë e lidhjeve fisnore, rezulton se numri i votave që mund të merrnin, së bashku, partitë e vockla të majta (PSD+PDS+PAD+PKSH+…) është afërsisht i barabartë me numrin e votave që do merrnin, po së bashku, partitë e vockla të djathta, (PR+PDK+PDR+PBK+PLL+…).

Kjo do të thotë se numri i votave të skaduara në të dy krahët është pothuajse i barabartë, e si pasojë dy krahët e politikës PD, nga njëra anë dhe, PS & LSI, nga ana tjetër, praktikisht nuk do t’i merrnin njëri-tjetrit vende në parlament. Atëherë për çfarë duhet që partitë e mëdha të bëjnë modifikime në kurriz të vetes së tyre e më pas të qytetarëve shqiptarë?

Vrapimi në të nxehtë i disa politikanëve të vegjël, për të gjetur hije në dy kampet e mëdha, tregon se kur është puna për të ardhmen individuale ata janë të gatshëm të mos bëjnë pushim asnjë orë, ndërsa kur është puna për të ardhmen e vendit të tyre, siç thuhet rëndom kur i “kërkon atdheu”, ata nuk e kanë për gjë, të bëjnë pushime edhe në dimër, sa më larg Shqipërisë, mundësisht në ishujt afrikane Seychelles ose deri në Cape Town.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

Solana takon Ban Ki Mun për Kosovën

21/11/08 11:30:00 | Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri,..

LAJME TE NGJASHME

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML