Premte, 21 Nentor 2008 20:45:28

Lexoni versionin Print

Familja kryeministrore

Edhe një sy i shkujdesur nuk e ka pasur të vështirë të vërente dje sjelljen nervoze të kryeministrit Berisha ndërsa drejtonte mbledhjen e qeverisë. Xhaketa iu kap te shpinorja e karrikes, me dorë derdhi gotën e ujit.

Nga Arben Rrozhani
Enjte, 28 Gusht 2008 08:37:00

Edhe një sy i shkujdesur nuk e ka pasur të vështirë të vërente dje sjelljen nervoze të kryeministrit Berisha ndërsa drejtonte mbledhjen e qeverisë. Xhaketa iu kap te shpinorja e karrikes, me dorë derdhi gotën e ujit.

Nuk ka as motive politike dhe as qeverisëse, pas sjelljes emocionale të shefit të qeverisë. Në fundgushtin 2008, kryetari i qeverisë dhe i partisë më të madhe në pushtet, ka kaluar një verë të qetë, pa probleme, ka shëtitur dhe pushuar, madje i fokusuar nga kamerat ndërsa pllaquritej në ujërat e Jonit. (e kotë t’u sqarosh shqiptarëve se ishin imazhe të porositura, se nuk ka më budallenj që e hanë sapunin për djathë). Nuk ka as edhe ndonjë njoftim për shqetësime shëndetësore të zotit Berisha.

Pra shkurt, sipas edhe vetë prezantimeve super-optimiste që i bën situatës në vend, ky duhej të ishte një kryeministër i qetë, i një vendi që synon anëtarësimin në NATO, që kalon nga fitorja në fitore etj., paçka se i ka ende zonat turistike pa energji dhe ujë, ka fshatra si Lazarati që nuk njohin qeveri, dhe lajme pa fund për vetëvrasje nga varfëria e tejskajshme.

Por ndërsa ai prej tre vitesh po qeveris, pa u prekur nga problemet sociale pa fund të vendit, duke shtypur çdo element reformator në gjirin e partisë apo koalicionit që drejton, ka humbur përfundimisht kostumin e kryefamiljarit model me të cilin ka sfiduar prej 18 vitesh modelet ekstravagante të figurave të tjera politike të vendit, me të cilat ai ka pasur aq shumë dëshirë edhe të krahasohet, por edhe të “krihet”.

Familja ka qenë një tabu për kryeministrin e shqiptarëve dhe ai ka qenë gjithnjë kryefamiljari që bënte ligjin, që dinte të vendoste rendin etj, etj. Fëmijët e tij ishin shembulli që duhej të ndiqnin fëmijët e pushtetarëve në kampin kundërshtar dhe me këtë armë të fortë, opozitari Berisha pak vite më parë lëshonte lumenj akuzash për djemtë dhe vajzat, bashkëshortët apo bashkëshortet, shoferët dhe truprojat e “të tjerëve”.

Aq shumë leksione etike familjare u dha Berisha pozitarëve të deri para vitit 2005, saqë ai e pati një plus të madh pas premtimeve të bujshme elektorale, figurën e bashkëshortit dhe kryefamiljarit model. Dhe nuk ka ndodhur si në fjalën e popullit, “atë që të bën fëmija nuk ta bën as perëndia”. Më keq. Dy fëmijët model të zotit Berisha dhe të tej të afërmit e rrethit të ngushtë, nuk janë aspak fajtorë të asaj çfarë përfaqësojnë sot, por thjesht prodhime të modelit qeverisës që kryeministri i vendit Sali Berisha ka ngritur në sistem.

Dje ai edhe mund të ishte një kryeministër i qetë, por ishte një prind që nuk mund të fshihte nervozizmin për implikimin e emrit të djalit të tij me trafikun e kokainës në ambasadën shqiptare në Romë.

Një muaj më parë nxori fjalë të ndyra të padëgjuara, kur një deputet riosh i PS-së, lakoi emrin e së bijës dhe ambicies së saj për të zënë një post ndoshta edhe kryeministror. Prej tre vitesh që kur filloi ngritja e yllit kryeministror, pasuria dhe puna e të bijës është bërë objekti më i nxehtë i debatit. Pronat e saj të pamata të mbledhura rrufeshëm, studioja e saj ligjore që bën udhërrëfyesin e sigurt dhe të vetëm për të “zbuluar” Shqipërinë, kanë pasur më tepër jehonë se sa mijëra shiritat që Berisha pret anembanë vendit, pa u bërë asnjë punë.

Gjashtë muaj më parë ishte një prind për t’u ardhur keq për përfoljene të birit në biznesin e armatimeve; ishte një familjar gënjeshtar kur eliminonte nga lista e 20 të vdekurve baxhanakun e ndjerë, viktimë e shpërthimit apokaliptik të mafies së municioneve në Gërdec. Një vit më parë i sulej një botuesi që kish qenë këshilltari më i ngushtë i tij, pse ai i kërkonte me ngulm ndëshkimin e mbesës së gruas, pas aferave pa fund në një dikaster të rëndësishëm shtetëror. Disa herë media apo komunitetet e bregdetit akuzuan projektet e dhëndrit pas të cilave fshihej një projekt miliardash.

Kështu me shumë raste të tjera pa fund... Sepse e tillë është historia e familjes kryeministrore, plot përfolje, akuza, implikime, gojëdhëna për asete pasurish të patundshme nga Tirana, në bregdet, biznese fitimprurëse, deri te implikimi i mbiemrit Berisha edhe në tragjedinë e Gërdecit. U bënë aq shumë dhe aq të rënda sa përballë tyre, akuzat e ish-opozitarit Berisha për implikimet e fëmijëve të ish-pushtetarëve të majtë, duken të vogla, megjithëse edhe ato, janë aty, shembull i qartë për publikun, i një klase politike të zhytur në degjenerim dhe abuzime.

Gjithsesi, i ka ardhur radha këtij akuzuesi të palodhur që të jetë sot pa kostumin e kryefamiljarit të ndershëm dhe brenda llumit ku zhyten dhe janë zhytur pushtetarët me pushtet të pakufishëm të këtij vendi. Ai e hoqi vetë atë kostum, si një maskë që nuk i duhet më dhe prej tre vitesh rrethi i tij familjar është shembulli më i qartë i mënyrës se si funksionon dhe si e ka ndërtuar mënyrën e qeverisjes për shqiptarët, ish-opozitari i flaktë “antikorrupsion” i tre viteve më parë, kur bëhej gati të rimerrte pushtetin.

Vepra e tij sot është një rrjetë nepotike, dhe familjare, e cila i bën të gjitha: biznesin, drejtësinë, diplomacinë, deri edhe hamallin. Dhe strumbullari, është në krye të qeverisë...!


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

  • Merturi USA: - 08-29-08
    Cdo fenomen negativ te etiketohet:BERISHA.

    Fjalet e fjalorit shqip,si:I poshter,Hajdut,kriminel,sibiozist korrupsinist,shpifes,sharlatan,banalitet,tradhetar,agjent,goje piste,buk shkale etj,etj te kesaj prodhimtari fjalesh,te zevendesohen me te vetmen fjale te quajtur BERISHA.

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën

21/11/08 20:27:00 | Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi..

Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

LAJME TE NGJASHME

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML