Ndërsa qeveria aktuale po hyn në 10 muajt e fundit të mandatit, nuk janë të paktë shqiptarët e shqetësuar se çfarë do të lërë pas ajo. Në sipërfaqe, mbuluar nga deklaratat bombastike për përmbushje reformash politike dhe ekonomike, duket si një fushë me lule ajo që do të ketë përpara qeveria e dalë pas zgjedhjeve të qershorit 2009.
Por bazuar në shifra e të dhëna financiare dhe profilin shumë të ulët të burimeve njerëzore, bëmat e tre viteve të shkuara do të jenë gjëma për ekzekutivin e ardhshëm sepse përpara do të ketë një tokë të djegur. Se qeveria aktuale do të shfrytëzojë edhe minutën e fundit para zgjedhjeve për të vjelë fonde dhe për të bërë politikë elektorale, e tregon qartë vendimi i pak ditëve më parë i kryeministrit për të rritur pagat dhe pensionet vetëm një muaj para ditës së hapjes së fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, kur normalisht prej janarit 2009 qeveria vetëm duhet të jetë një ekip kalimtar për të përgatitur situatën parazgjedhore dhe jo për të bërë biznes elektoral me vendime qeverie.
Veprimi në sipërfaqe do të mundohet të krijojë një imazh populist të qeverisë, sepse përfituesit, mbi 580 mijë pensionistë dhe mbi 110 buxhetorë, janë kontingjent i ajkës së votuesve tradicionalë. Por poshtë kësaj aureolë të ngritur për të ndriçuar figurën e nxirë të kryeministrit, është gropa e zezë buxhetore, sepse duhen ndarë disa miliardë lekë për të kompensuar këtë rritje financiare, e cila ashtu si në radhët e shkuara nuk ka rritur nivelin e jetesës së popullatës me nivelin më të ulët jetik.
Pagat dhe pensionet janë pjesë e projektbuxhetit 2008-2009 dhe ai nuk do të vonojë të paraqitet për diskutime në komisionin parlamentar të ekonomisë dhe më pas në Kuvend. Ashtu si dhe tre buxhetet e tjera, ai nuk do të marrë parasysh vërejtjet apo sugjerimet e grupeve të interesit, sepse arrin të marrë votat në kuvend, falë shumicës së sforcuar që është konsoliduar, me anë të blerjes së deputetëve që i duhen Kryeministrit për të kaluar çdo vendim apo ligj që kërkon mbi 71 vota. Rritja e pagave dhe pensioneve një ritual elektoral që përsëritet në Shqipëri gati dy herë në vit, megjithatë është zhvleftësuar nga dyfishimi i çmimeve të shportës konsumatore, shërbimeve dhe qeveria ende nuk e ka mbajtur fjalën për të bazuar rritjen tek indeksimi i inflacionit të fshehur që po rrjep shumicën e popullatës së varfër.
Ekonomistë të njohur të vendit, qoftë edhe nga opozita, e pranojnë se, falë raprezaljes fiskale apo shtrëngimit doganor, qeveria ka arritur prej tre vitesh të mbledhë shumë të ardhura, të cilat i lejojnë asaj të ketë një buxhet vjetor prej 4.5 miliardë dollarësh, një rritje buxhetore brenda vitit me një miliard dollarë dhe të ketë edhe buxhete shtesë në mes të vitit. Por këto para të mbledhura nga taksat e shqiptarëve nuk kanë shkuar për rritjen e ekonomisë së vendit, financimin e shërbimeve shtetërore apo për përmirësimin e infrastrukturës primitive. Ato janë konvertuar në një stok financiar që qeveria mund ta përdorë përgjatë muajve përpara zgjedhjeve elektorale, kanë shkuar për shpenzime operative për luksin e zyrtarëve dhe për të majmur korrupsionin në investimetqeveritare.
Ashtu si me rritjen e pagave dhe pensioneve, qeveria do të mbajë premtimin elektoral për të legalizuar mbi 220 mijë ndërtime informale. Procesi i nisur tre vite më parë deri më sot ka konsistuar në dhënien e disa certifikatave të pronësisë nga vetë kryeministri para mbajtjes së zgjedhjeve vendore të 18 shkurtit 2007 dhe ai po përgatit përmes ALUIZNI-t infrastrukturën për të shpërndarë mbi 200 mijë certifikata të tilla, por është e pamundur që për 10 muajt e mbetur qeveria të urbanizojë të legalizuarit apo të zgjidhë lëmshin me njohjen, kthimin apo kompensimin e ish-pronarëve, duke ia lënë në derë qeverisë së ardhshme këtë minë social-ekonomike.
Qeveria do të lërë peshqesh një infrastrukturë arna-arna, megjithëse për të zyrtarisht kanë shkuar likuiditete kolosale: një rrugë që lidh Durrësin me Nishin e Serbisë, që parashikohet të mbarojë në 2011, pasi të ketë kushtuar rreth 1 miliard euro, ndërtimi i të cilës është parashikuar të bëhet me fondet e buxhetit të shtetit dhe kredive tregtare që qeveria ka marrë nga banka private prej 220 milionë euro. Projekti ishte kundërshtuar nga Banka Botërore, sepse sipas studimit të fizibilitetit të kryer në 2004, rruga nuk do të ketë asnjëherë atë fluks që të shlyejë këtë kosto të papërballueshme financiare. Transferimi i fondeve në këtë rrugë ka lënë pa mbështetje financiare segmentet e tjera të rëndësishme kombëtare në Jug të vendit, apo edhe ato vendore, megjithëse katër muaj më parë Berisha kishte premtuar rreth 400 milionë dollarë për rrugët rurale të vendit. Një pjesë e financimeve për projektet infrastrukturore vjen nga fondet e përfituara prej privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore.
Rrugës së mësipërme, p.sh., do t’i shkojë një pjesë e parave të përfituara nga shitja e ARMO-s, dhe në proces janë privatizimi i OSSH, apo INSIG-ut. Ka dyshime të forta pas tendencave për të rrënuar bilancet e këtyre ndërmarrjeve, si premisa për t’ua ulur vlerën para privatizimit dhe dërgimin e tyre në duar jo të pastra. Se çfarë dëmi mund t’i shkaktojnë vendit privatizime politiko-personale e tregoi shitja e Albtelekomit në maj 2005, dy muaj para zgjedhjeve parlamentare nga ish-qeveria e majtë. Ndërmarrja ende nuk është futur në binarët e një biznesi agresiv privat, duke paraqitur po ato simptoma që kishte kur operonte si një monopol i falimentuar shtetëror.
Para qeverisë së ardhshme do të jetë sërish kërcënimi i krizave energjetike që disa herë me radhë kanë shkatërruar ekonominë, bizneset private dhe turizmin këto vitet e fundit. Kryeministri prej dy vitesh merret me projekte atomike, nuk ka lënë kinez, japonez, apo italian pa takuar, por në Shqipëri nuk është vënë ende në punë një gjenerues i ri energjetik. Veprat më me bujë energjetike, edhe nëse do të ndërtohen, do të prodhojnë energji për gadishullin Apenin, ndërsa shqiptarët do të vijojnë t’i luten Zotit për reshje të bollshme në dimër. Qeveria e re do të ketë në duar Gërdecët e paplasur të vendit, siç konsiderohen shëndetësia, arsimi apo administrata shtetërore.
Me një sistem arsimor publik të degjeneruar dhe me një arsim privat piramidal, Shqipëria është një shembull se ku mund të çojë paaftësia e qeverisjes shkollimin e brezave. Me një sistem shëndetësor të kalbur nga korrupsioni dhe trajtimi i tij si dhuratë e gatshme në këmbim të disa kartonëve në Kuvend, vendi është shndërruar në një pavijon me të sëmurë që shesin gjithçka për t’u shëruar dhe parajsa e klinikave private që u marrin shpirtin pacientëve. Këto dy sektorë të rëndësishëm të vendit kanë tashmë administrata të tejfryra dhe të mbushura me militantë të partive që zëvendësuan specialistët tre vite më parë. Do të jetë një sfidë e vështirë çmontimi i kësaj superstrukture partiake që kadegjeneruar konceptin e statusit të nëpunësit civil te torbambushësit e radhës.
Në korrik 1997, e majta e mori pushtetin me zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas rënies së pushtetit autokratik të ish-presidentit Berisha. Para qeverisë së re ishte një vend i pasur me piramida financiare, pa ekonomi, pa prodhim, pa buxhet, pa institucione dhe shërbime minimale për publikun. Në korrik 2009 e majta e ardhur sërish në pushtet do të gjejë një vend me ekonomi në stanjacion, me prodhime që janë viktima të monopoleve qeveritare, me një buxhet që ishte hartuar mbi terma elektoralë për blerjen e votës, me institucione që, parë nga jashtë, janë në këmbë, por që janë rrënuar nga brenda, me shërbime që publiku duhet t’i paguajë shtrenjtë sipas kutit të korrupsionit qeveritar. Atëherë u deshën disa vite për të çmontuar piramidat që lulëzuan nën mbrojtjen e shtetit, ndërsapas 10 muajve do të duhet shumë energji për të çmontuar shtetin piramidal që nisi të ngrihej në shtator 2005.