RENDI DHE ANALIZAT
Ajo që po ndodh, na bën përshtypje vetëm pasi ndodh. Mungesa totale e aftësisë paraprirëse, apo e aftësisë para-gjykuese, na ka lënë të gjithë të mbetemi në kthetrat e ngjarjes. Ndodh ngjarja dhe merren masa. Ndërsa duhej të ishte e kundërta. Duhej të merreshin masa që ngjarja të mos ndodhte. Por si mund të bëhet kjo kur shumica e njerëzve në këtë vend janë verbuar kaq shumë ndaj tjetrit, saqë nuk e kuptojnë fare se çfarë po ndodh. U desh muaji gusht që aksidentet e pafund dhe gjaku autostradal t’ua mbushnin mendjen njerëzve se këtu, dhe vetëm këtu, njerëzit vdesin kotnasikoti; se vetëm këtu ne e përcjellim vdekjen aksidentale të tjetrit me një fjalë goje, pa u thelluar në pasojat dhe shkaqet. Dhe kjo ndodh qartazi rreth nesh, kur sheh se shkrimet në mbrojtje të jetës apo që u bien kambanave të alarmit për vdekjen gllabëruese, janë pothuaj inekzistente.
Kjo lloj verbërie publike e analistëve tanë, e bashkëshoqëruar me verbëri publike të politikanëve dhe të shoqërisë civile, nuk duhet të jetë verbëri e strukturave shtetërore. Qytetari shqiptar nuk duhet të vdesë për një sekondë. Merimanga e zezë nuk mund ta nxijë jetën tonë kësisoj. Ka ardhur koha të kërkojmë ndihmën e të gjithë dijetarëve tanë të përgjumur që të krijohet një trup permanent dhe një aksion i gjerë civil në luftën për shpëtimin e jetëve.
A mund ta kthejmë politikën në një mjet që merret me jetën tonë, sepse ka shumë kohë që nuk po merret me të? Kur do të kuptohet që për frymë popullsie krimet janë shtuar dhe janë kaq të rënda sa më s’bëhet? Faktet flasin vetë, dhunimi i paparë i jetës për një shikim, një gërvishtje makine, për 100 lekë apo për një fjalë goje. Duhet të shqetësohemi të gjithë kur marrim vesh se vdekja njerëzore në këtë vend është vetëm se traumatike. Nuk ekziston vdekja e thjeshtë që vjen nga pleqëria, nga gjenetika e cenuar, apo shkaqe të tjera natyrore. Ekziston vetëm trauma që vjen pas një konflikti të dhunshëm, vdekja që vjen nga një mjekësi që përcakton diagnoza tjetërpërtjetër, dhe shumë aksidente të tjera që nuk janë të tilla, sepse nga incidente janë kthyer në një normë, gjë që mund të pikaset lehtë.
Po kjo nuk është një gjë e vështirë. Vështirësia lind kur Kisha fle gjumë, kur Xhamia fle gjumë, kur Teqeja fle, kur të kulturuarit e një vendi flenë. Kur askush nuk ka sy të shohë se një nga përbindëshat e Odisesë, Skila, ka mbirë m’u në mes të Shqipërisë dhe sa herë ul kokën kap nga gjashtë viktima njëherësh.
Duket qartazi se ka ardhur koha e policimit, ka ardhur koha e shndërrimit të Policisë nga një armë e shtetit, në një mjet të komunitetit. Dhe askush nuk mund të guxojë të thotë se kjo nuk mund të bëhet. Dhe për të qenë transparentë, nuk duhet të shqetësohemi shumë kur policisë i japin atribute bujqësore, si korrje dhe prerje. Është e sigurt se ajo nuk do të arrijë cilësinë e duhur, kur bujqësia e një vendi të tërë ka ndërruar destinacion. Të vjen për të qeshur që ka një Plan Kombëtar kundër bimëve narkotike, dhe nuk ka asnjë plan në mbrojtje të jetës njerëzore.