Sa më shumë të sodisësh e kundrosh vëmendshëm skenën politike shqiptare, aq më e çoroditshme është pamja me të cilën të duhet të përballesh çdo ditë. Një vargan sharjesh, akuzash, skërmitjesh, kërcënimesh, që duket se nuk mbaron kurrë, ashtu siç duket se nuk mbaron dhe energjia negative e aktorëve politikë që preferojnë të nxjerrin sytë e të tjerëve në vend që të hapin sytë e tyre të mbyllur.
Para dy ditësh, një artikull që i referohej konventës në Partisë Demokrate në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të drejtë dhe me një logjikë të mirëargumentuar, fliste për një nevojë të bashkimit e bashkëpunimit mes të majtës shqiptare (duke marrë si shembull ‘paqen’ mes ish-rivalëve për kandidaturën e Partisë Demokrate për postin e Presidentit të SHBA, Barack Obama dhe Hillary Clinton). Për fat të keq, shkrimi ngeli vetëm bojë e harxhuar mbi letrën e gazetës, sepse të nesërmen, ndonëse duke festuar 4-vjetorin e krijimit të partisë që ai drejton (në të tilla raste zakonisht shkëmbehen urime e përgëzime), kryetari i LSI-së nuk hezitoi të sulmonte kryetarin e PS-së, me një varg akuzash dhe një ton e retorikë tejet agresive, duke i vendosur praktikisht përsipër një rrasë tepër të rëndë varri çdo bashkëpunimi të mundshëm mes dy partive më të mëdha opozitare. Ose të paktën kështu duket situata në këtë moment!
Nuk është vendi këtu të trajtojmë se sa me vlerë do të ish bashkëpunimi i këtyre dy forcave në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009; këtë fakt, si Meta ashtu edhe Rama e dinë fort mirë. Akoma më mirë këtë fakt e dinë të gjithë lsi-istët e ps-istët në vend, sepse dështimi i 2005-ës është akoma i freskët, pavarësisht lojës për të lënë fajin kopil tek dera e secilës prej partive. Por mosmarrëveshjet mes dy forcave më të mëdha opozitare është mirë që të zgjidhen mes tyre. Siç tregoi edhe aleanca në zgjedhjet lokale të 2007-ës, agresiviteti pasiv nuk është kurrë më i fortë sesa nevoja instiktive e cilitdo individ dhe cilësdo parti politike për të mos humbur shansin e fitores. LSI e PS bashkëpunuan në 2007-ën, fituan votën popullore urbane dhe bashkë me të edhe kapelën e fituesit, por përplasja mes tyre me sharje e akuza shumë shpejt vijoi e patrazuar. Dhe votuesit e majtë hapin sytë nga habia e s’dinë kujt ti besojnë, ndërsa të djathtët fërkojnë duart e mjelin pushtetin të pashqetësuar!
Ndërkaq, është për tu shqetësuar shembulli tepër i keq që elektorati në tërësi, e veçanërisht brezi i ri që për arsye shumë të mira është i painteresuar apo i trembur nga loja politike, merr përmes ndëraktivizimit në arenën politikën shqiptare, e sidomos në marrëdhëniet brenda llojit.
Shembulli tipik sot për sot është: sulmo, akuzo, bëj presion e shantazh, tërhiqu, negocio, bashkëpuno, kap synimin tënd, e nise ciklin edhe një herë nga fillimi. E sigurisht që është një shembull i keq që askush s’duhet ta marrë sepse është apoteoza e politikës pasive – agresive që, ndonëse mund të prodhojë disa rezultate imediate, në një perspektivë afatgjatë vështirë se mund të jetë efektiv. Baza etike e morale e të bërit politikë e politika sociale duhet të jetë lajtmotiv i cilitdo politikan që synon të bindë elektoratin shqiptar për ti marrë votën, kjo e zbatuar përmes përqasjes së altruizmit individual me perspektivën për të shërbyer e ofruar, dhe jo për të ngadhënjyer e fituar.
Askush nuk duhet të mendojë se elektorati shqiptar është budallallepsur e marrosur aq shumë sa të mos kuptojë diferencën mes propagandës dhe të vërtetës, mes synimit për pushtet e dëshirës për bashkëpunim, dhe do të ishte gabim të bazoje strategjinë tënde politike mbi potencialin e një mangësie në arsyen kolektive si rrjedhojë e injorancës e harresës individuale. Asgjë nuk vlerësohet më tepër nga politika sesa një publik me memorie afatshkurtër, por katër (apo dy) vjet janë shumë pak që shqiptarët të harrojnë!