Premte, 21 Nentor 2008 23:21:27

Lexoni versionin Print

Mandati i skandaleve

Është folur shumë këto ditë për njëlloj hutimi të qeverisë, sa edhe për sjellje agresive të saj, ndërkohë që publikun e gjerë e kanë shokuar disa të çuditshme histori, si ajo e misrit pa kokrra apo gjobitja e një televizioni të njohur.

Nga Vangjush Saro
Hene, 08 Shtator 2008 08:34:00

Është folur shumë këto ditë për njëlloj hutimi të qeverisë, sa edhe për sjellje agresive të saj, ndërkohë që publikun e gjerë e kanë shokuar disa të çuditshme histori, si ajo e misrit pa kokrra apo gjobitja e një televizioni të njohur. Tre vjet e ca në pushtet, janë shumë për të mos lejuar së paku shpërthime skandalesh të njëpasnjëshme.

Në librin e tij “Kapitalizmi dhe liria”, nobelisti Milton Friedman pyet diku: “Si mund ta kontrollojmë qeverinë të mos shndërrohet në Frankeshtain që shkatërron vetë lirinë në mbrojtje të së cilës e kemi krijuar atë?” Dhe më tej: “Kërcënimi më i madh i lirisë, është përqendrimi i pushtetit...” Pa e mohuar punën dhe disa rezultate të një pjese të mirë të administratës gjatë këtyre viteve, hapësira për rezerva dhe kritika, për fat të keq, është mjaft e gjerë.

Performimi i qeverisë mbi institucionet e tjera, ngutja në realizimin e disa reformave, keqpërdorimi i termit reformë, ndjenja dhe praktika e revanshit, vënia e kryeministrit vend e pa vend në pozita diktuese dhe vetëlavdëruese, mungesa e transparencës dhe e dhënies së llogarisë, janë vetëm disa nga ato rezerva; që tashmë, i kanë (më shumë se) shumica e qytetarëve. Edhe pse qeveria vazhdon t’i besojë, si të thuash, hijes së rigonit, “moti” po ngryset gjithnjë e më shumë. Në këtë përkeqësim të imazhit të saj, kanë kontribuar një sërë ngjarjesh tashmë të përjetuara jo pa dhimbje nga qytetarët; gjithaq kuptimi i shtrembëruar i të qeverisurit gjoja “me dorë të fortë”.

Pakicat në pushtet, janë pothuaj jashtë kontrollit; si ajo që përbëhet nga pushtetarë, politikanë dhe biznesmenë (përkohësisht me partitë në qeverisje), ashtu edhe ajo që përmbledh të ardhurit, të cilët në masë kanë probleme legalizimi, mosshlyerje detyrimesh ndaj KESH e Ujësjellësit, etj. Pakica jashtë kontrollit e ka ndryrë Shqipërinë brenda një konflikti pa sens.

Nga lufta për Prokurorinë e Përgjithshme, dhe jo pak institucione të tjera, deri tek Gërdeci, fara e misrit, droga në makinën e ambasadës, lënia pa energji elektrike e TV “A1” dhe tani spoti informal kryeministror e gjoba për “News 24”, por edhe të tjera “vepra” këso, qeveria dhe korrenti politik në pushtet, rëndom kanë bërë të kundërtën e atyre çka ofrojnë doktrinat demokratike.

Do të mjaftonin vetëm disa pak argumente, për të ndërtuar tablonë nga e cila qytetarët shqiptarë janë të pakënaqur. Duke analizuar zhvillimet në disa nga shtetet më të përparuara, Friedman thotë se rritja e lirisë ekonomike, ka shkuar krah për krah me rritjen e lirisë politike e civile dhe ka çuar në rritjen e mirëqenies; kapitalizmi konkurrues dhe liria kanë qenë të pandara.

Po kush mund të na thotë se ç’lidhje ka “kapitalizmi konkurrues” me fushatën këmbëngulëse - politike, militanteske, allashqiptarçe - të legalizimeve në kurriz të pronës private dhe të interesave në rang vendi për më shumë investime e zhvillim? Ç’lidhje ka “kapitalizmi konkurrues” me dëbimin nga puna të specialistëve - sipas orekseve politike - në arsim, në shëndetësi, në polici e gjetkë? Është thënë shqip se shpërfillja e ekspertëve të zhvillimit urban, krijoi kaos në bregdet dhe në rrethinat e qyteteve kryesore të vendit. E vërteta është që sot, duke përjashtuar disa probleme të mjedisit, në shumë fusha të tjera, ekspertët shprehen shumë pak, duke përfshirë edhe problemet ekonomike e sociale.

Asnjë lloj qeverisjeje e keqe apo edhe gjysmake, nuk mund të justifikojë shkallën e pakët të përfshirjes së opozitës, shoqërisë civile dhe intelektualëve në jetën dhe zhvillimet e një vendi. E për fat të keq, kjo ka ndodhur për shkak se edhe në këtë temë, qeveria - le të themi pakica që ajo tashmë përfaqëson - ka ushtruar diktat vend e pa vend. Është patjetër një fatkeqësi e madhe vjelja e “koçanëve të misrit” dhe kalbja e prodhimeve të tjera në mbarë vendin; firma përkatëse, por edhe strukturat qeverisëse duhet të shpjegohen.

Por është po kaq e vërtetë se gjatë këtyre 3 viteve, pushteti i kësaj pakice (gjithnjë në revansh), bëri të pamundurën për të shfuqizuar dhe shfytyruar disa institute studimore, aq të domosdoshme për vendin. U tha se aktiviteti i tyre do të përqendrohej pranë universiteteve (publike). Por këto vetë janë në udhë pa krye, përballë rritjes së shfrenuar të universiteteve private. Atëherë ku janë laboratorët dhe zyrat që do të duhet të përgjigjen për çka ndodh në mjedisin shqiptar, në ekonominë shqiptare, në bujqësinë (që këto kohët e fundit duket se u muar sysh).

Tabloja me të cilën qytetarët shqiptarë duken të pakënaqur, është ndërtuar këso edhe për shkak të rolit të panatyrshëm dhe të sforcuar të qeverisë; nga njëra anë ajo shkatërron një sërë strukturash ekzistuese (si institutet e zëna goje më sipër), nga ana tjetër lë me gisht në gojë mijëra fermerë, punën e të cilëve - për interesat e tyre dhe të ekonomisë së vendit - dikush duhej ta monitorojë.

Për hir të temës, le t’i kthehemi edhe njëherë Milton Friedman-it. “Si mund të përfitojmë nga premtimi i qeverisë dhe ndërkohë të evitojmë kërcënimin e saj ndaj lirisë?”, pyet ekonomisti i njohur. Dhe një nga përgjigjet e tij, është se fusha e veprimtarisë së qeverisë, duhet të jetë e kufizuar... “Funksioni kryesor i saj, duhet të jetë mbrojtja e lirisë sonë. Të ruajë ligjin dhe rendin, të garantojë zbatimin e kontratave private, të nxisë tregjet konkurruese.” Për ç’rend mund të bëhet fjalë, kur krahina të tëra (tipik është fshati Lazarat), vazhdojnë të kultivojnë hashash? Për ç’kontrata mund të flitet në rastin e Gërdecit?

Dhe sa për ta ilustruar edhe njëherë idenë, a duhet të dalë dikush e të mbrojë kontratat me Agro-Blend? Qeveria e pakicës (në pakësim të mëtejshëm) hesht për probleme shumë të rëndësishme dhe agjiton me të madhe për çdo rrugë të inauguruar disa herë. U fol për një ngritje pagash në fillim të sezonit veror; ende nuk kanë shkuar në xhepat e nevojtarëve ato pak para. Në vend që të shpjegohet, së paku për skandalet që e shoqëruan fillim mbarim, qeveria gjendet vazhdimisht në një agresivitet të paparë; mburret, vë gjoba, premton ende edhe në fund të mandatit, që e qau me lot. “Gajret pra, ndër sa t’vështira...”, na thotë diku Gjergj Fishta.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën

21/11/08 20:27:00 | Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi..

Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

LAJME TE NGJASHME

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML