Ariu i madh rus po zgjohet nga gjumi i tij letargjik, tregoi muskujt në luftën kundër Gjeorgjisë, dhe tani po fillon të shohë botën në sy. Por nuk është makina ushtarake që ngjall frikë; nuk janë tanket ato që shqetësojnë Evropën e vjetër (një rregull i lashtë sugjeron të mos i kundërvihesh një fuqie të ngjashme me tënden, sepse mund të vetëvritesh).
Konflikti i vërtetë luftohet me rubla dhe euro, mjaftueshëm për të shfrytëzuar rezervat e gazit natyror. Gjendet këtu çelësi i mbijetesës (apo i kontrollit nëse shohim me sytë e Moskës) së një Evrope të etur për këtë lëndë, e cila konsumon 300 miliardë metër kub në vit, që parashikon të konsumojë dyfishin pas njëzet vjetësh, dhe që tani importon 25% nga gjiganti rus Gazprom.
Fjalëkalimi që ka ardhur përsëri në modë është "shumëllojshmëri importuesish", e cila nuk është gjë tjetër përveç se mënyra diplomatike për të fshehur frikën nga vartësia prej një furnitori të vetëm. Nëse pastaj shtojmë që ky furnitor është Gazpromi i Putinit, atëherëë mund të kuptojmë fare mirë përse BE-ja, nuk fle dot e qetë.
Thonë që shpikjet lindin në raste nevoje, dhe ja që mjafton të hedhësh një sy mbi hartën gjeografike për të gjetur zgjidhjen në thellësinë e zemrës së "Afrikës së zezë". Është gazi nigerian (prodhuesi i shtatë botëror), që ua bën me sy shumë shteteve, por gjatë javëve të fundit, diplomacia e Brukselit, ka lëvizur më dukshëm se zakonisht, duke dërguar në pararoje Andris Piebalgs dora vetë, komisarin e energjisë. Projekti, për hir të së vërtetës, është nga ata që bëjnë bujë.
Po flasim për transportuesin e gazit trans-saharian, i cili nis nga delta e lumit Niger, përshkon Nigerinë, Nigerin dhe Algjerinë, për të arritur Spanjën ose Italinë. Një "autostradë gazi" e stërgjatë (4300 kilometra), me një kapacitet prej 20 miliardë metër kub në vit, dhe me një kosto marramendëse prej 15 miliardë euro.
Por nuk është ana financiare që shqetëson, sesa rreziku që "tubi i madh", të transformohet në një objektiv tepër të lehtë për ta lënë të iki duarsh. Rreziqet gjeopolitike janë mjaft të mëdha dhe të shumëllojshme.
Mbi të gjitha, delta e Nigerit nuk është kishë për tu falur. Rebelët e MEND-it (Lëvizja Për Emancipim e Nigerit), përditë sulmojnë të armatosur qendrat petrolifere, duke kërkuar një ndarje më të drejtë të pasurisë midis popujve indigjenë.
Në radhë të dytë, shkretëtira e Nigerit është një territor i kontrolluar nga Tuaregët, një tjetër lëvizje rebele kundër qeverisë dhe së fundi, por jo më pak e rrezikshme, në Saharanë algjeriane, qelizat e al-Kaedës, gëzojnë liri të plotë.
Kështu pra që gjarpri i madh prej çeliku është sa ambicioz, aq dhe i cenueshëm, por arroganca në rritje e Rusisë, e bën gjithmonë e më të domosdoshme ndërmarrjen e kësaj aventure.