Enjte, 08 Janar 2009 00:19:55

Lexoni versionin Print

Një ditë në Dushk…

Ai vend ekziston. Është fshat, madje fshat i famshëm. Quhet Dushk. Është i famshëm për atë historinë e nxjerrjes së një qerreje me deputetë nga një katund i vetëm. Por nuk është “aspak i famshëm”për mijëra halle dhe probleme të të gjitha llojeve.

Nga Elisa Spiropali
Premte, 03 Tetor 2008 08:45:00

Ai vend ekziston. Është fshat, madje fshat i famshëm. Quhet Dushk. Është i famshëm për atë historinë e nxjerrjes së një qerreje me deputetë nga një katund i vetëm. Por nuk është “aspak i famshëm”për mijëra halle dhe probleme të të gjitha llojeve.

Dushku ka rreth tetë mijë banorë dhe shumë kafene, pothuaj në çdo qoshe rruge. Ndoshta më tepër se një lagje me të njëjtin numër banorësh në Tiranë. Zyrat e komunës e kanë stemën dionisiane me një vile rrushi. Shkolla e mesme është e madhe. Ka xhami’, stadium, farmaci, qendër shëndetësore, funeral, minimarkete, dhe siç mund të merret me mend, pensionistë me kasketa në trotuare kërrusur mbi tavlla dhe domino. Deri më 1958 ky fshat myzeqar ishte fare i vogël, vetëm me shkurre, i qetë dhe aspak i dëgjuar. Atë vit, siç më thotë një historian lokal, Partia solli këtu “skraparllinjtë e parë”. Ata u ngulën pakëz mënjanë vendësve. U krijua një fermë bujqësore dhe të ardhurit ia nisën punës me shkuljen e shkurreve, mbjelljen e ullinjve. Dhe bashkëjetesa nisi. Gjatë viteve erdhën këtu edhe një numër i vogël banorësh çamë dhe librazhdas.

Këtu jam në mëhallën e të ardhurve, skraparllinjve, çamëve, librazhdasve, dhe pak vendalinjëve. Mëhalla e vendalinjëve ndodhet në krah, ngjitur në jug. Dy mesoburra dushkarakë, edhe duan, edhe s'duan t'i pyesësh, edhe duan edhe s'duan të përgjigjen. Megjithatë, paksa rrëmujshëm, ata edhe flasin, madje për tema “të rënda”, si "e majta", "e djathta", "politika". E kanë paksa të ngatërruar kodin e komunikimit, ndaj t'i pyesësh këta të dy për “Rama, Meta, Berisha” duket krejt e kotë, prandaj largohem.

Pak më tutje një skraparlli. Ankohet pafund për të gjitha. Për pushtetin, politikën, ekonominë, korrupsionin etj. Nis e tregon me zjarr për persekutime deri edhe familjare nga pushteti i parë i Sali Berishës, sakrifica supreme për Partinë Socialiste të Fatos Nanos, ndërlikime fushatash zgjedhore, zhgënjime nga të gjithë liderët politikë tranzicionalë një për një, dhe në fund fare mes psherëtimash mallëngjyese thotë se nuk do votojë më. Kurrën e kurrës. Sa të jetë gjallë!

Rama? Është e ardhmja - thotë rrëmbimthi. Metën? Mos ma kujto. Berishën? E urrej. Ndërhyn një vendas rreth të dyzetave që atypëraty e shpall veten majtist të flaktë. Thotë se ka nostalgji të madhe për kohën kur të gjithë ishin të barabartë dhe secili e kishte nga një kothere për të ngrënë. Rama, Meta, Berisha? Berisha është i çmendur, Rama është i punës. Meta është i idhët. “Unë e them këtë si njeri i sakrificës dhe patriot vendali”. Refuzon të japë shpjegime të mëtejshme me arsyetimin se s’ka ç’i duhet politika, se ai është punëtor i thjeshtë dhe i ka dalë shkuma pas partive. “Më parë na merrnin me furgonë, na jepnin nga një parulle, mbushnim sheshet. Tani s’bëhet fjalë, u lodhëm...”

Pak më tutje, në një oborr vile trekatëshe duken një e moshuar dhe një e re. Nuse e vjehërr. Një fëmijë luan me biçikletë mbi avlli. Porta e madhe hapur. Rama, Meta, Berisha? “Nuk merremi me politikë, të keqen nëna”. Shpejt e shpejt, shfaqen dy vajza. Njëra 14 vjeç, tjetra 11. Janë motra. E madhja është hezber fare. Flet shumë. Por serioze. E folura e saj është shumë e përmbajtur, e përqendruar. E bën dallimin mes së majtës dhe të djathtës. Rama, Meta, Berisha? "Çdo gjë varet nga edukata familjare, prindërit e mi nuk flasin fare për politikë, kështu edhe unë disa gjëra i di, por politika nuk më intereson".

Është mbasdite dhe porta e shkollës mbyllur. Në oborrin e shkollës dy gomerë mbi bar. Dy shoqe maturante kanë dalë për shëtitje. Flasin me shumë zell. Por dinë shumë pak dhe përgjigjet i japin ngatërrueshëm. Rama, Meta, Berisha? Rama- e pëlqejmë shumë, por ai vjen rrallë këtej. Edhe Meta nuk është i keq, por nuk e njohim edhe aq. Berisha është shumë i egër.

Fotografoj në distancë një karrocë që vjen përballë. Mbi karrocë karrocieri përveç disa mallrave ka hipur edhe gruan dhe kalamajtë. Kur afrohet, karrocieri më thotë me ton kërcënues; "Çupë, nuk mund të më bësh person publik pa më marrë leje". Më tutje, një çam është i dëshpëruar. Ka mbaruar shkollën e lartë dhe nuk gjen punë prej vitesh. Nuk i përket asnjë grupi, asnjë tarafi. Rama, Meta, Berisha? Bën sikur nuk dëgjon. Megjithatë flet e flet duke u ankuar dhe kur i afrohen lotët, largohet.

Dy miq skraparllinj duke ndërprerë njëri-tjetrin tregojnë për skema konspirative elektorale me tarafe, ryshfete, makinacione, dallavere. Skemat e tyre nisin në Tiranë, kalojnë nëpër Çorovodë, i bien nga Uashingtoni, Londra, Moska, Brukseli, dhe përfundojnë në Dushk. Duke i dëgjuar të duket sikur Shqipëria është qendra e botës dhe Dushku kryeqytet. Rama, Meta, Berisha? “Nuk merrem fare, kam biznesin tim. Vetëm telashe më kanë sjellë. Për Metën ziheshim me ata poshtë. Atyre të gjithëve u ka dhënë kredi Berisha....”

Disa banorë rresht, që nuk pranojnë të thonë nëse janë vendalinj apo të ardhur, më flasin për vështirësi ekonomike, indiferencë të shtetit, emigracion, frikë, shumë halle, dhe si zakonisht në fund të bisedës, shumë indiferencë ndaj politikës, liderëve, zgjedhjeve.

Asfaltimi i rrugës së mëhallës së vendalinjve paska qenë problem i madh prej vitesh. Rruga tani, megjithëse keq, është e asfaltuar. Disa më thanë se për rrugën merita është e Spartak Brahos. Të tjerë e Ilir Metës.

Në mëhallën e vendalinjve tjetër atmosferë. E thanë edhe në mëhallën e të ardhurve, e thonë edhe këtu; Vota e vendësve ka bërë fitimtar deputetin aktual. Disa kalimtarë rresht, një dyqanxhi, një karrocier, një traktorist që traktorin e ka blerë me kredi shtetërore, të gjithë “të djathtë”. Rama, Meta, Berisha? “Hiqe atë magnetofon mos na fut në bela. Me Berishën, me atë jemi…”

Megjithatë, në fund të rrugës pranë kodrës takoj një vjehërr skraparlleshë që sapo del nga shtëpia e çupës martuar këtej me një vendali’. Vjehrra e thotë hapur se është “e majtë”. Dhe me gjeste tepër të ndërlikuara të fytyrës dhe të kokës dhe me shkelje të syrit nis edhe ajo të tregojë për skema tarafesh dhe vjedhje votash. Rama, Meta, Berisha? “Të Metës, të Metës jemi. Burri që në fillim aty ka çukitur. Rama është i mirë. Metën e prenë në besë, nuk ia dhanë votën. E prenë në besë të tijtë. Mori më pak vota se skraparllinj ka Dushku...”

Këto ishin faktet. Përfundimet më duket se i thashë. Ose, nxirrini vetë. Se edhe s'ka lezet në Dushk të iki unë, dhe përfundimet t'i nxjerr prapë unë. Por jo me lexime nëpër gazeta, nëpër facebook-a dhe me akuza të kollajta. Se ashtu nuk mundeni. Dhe gaboni.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML