Dy studiues amerikanë, Robert Barr dhe John Tagg, në referencë të sistemit universitar amerikan, kanë vënë theksin te ndryshimi i paradigmës së edukimit në dekadat e fundit. Ata shprehen se detyra e kolegjeve dhe universiteteve tashmë nuk është vetëm të nxënurit e studentit, por mbi të gjitha prodhimi i njohurive. Kemi një ndryshim nga sistemi tradicional i klasës 50-minutëshe apo 1-orëshe ku profesori jep leksionin e tij, studenti dëgjon në mënyrë pasive dhe mundet të diskutojë vetëm brenda kontureve të përcaktuara rigorozisht në një sistem më fleksibël, ku studentit i mësohen rregullat kryesore të lojës, por i duhet që të punojë vetë me teknikën e topit, nëse mund të shprehemi në mënyrë të figurshme. Studenti konsiderohet si partner i barabartë në procesin e të nxënit dhe puna në grupe, aktiviteti kërkimor etj., e kthejnë në një subjekt gjysmë-autonom në lidhje me pedagogun dhe jo një dikë krejt të nënshtruar ndaj këtij të fundit.
Studentët në vetvete ndahen kryesisht në dy kategori kryesore: në kërkues të njohurive apo në kërkues të të kuptuarit. Grupi i parë janë kryesisht studentë të cilët janë në kërkim të njohurive sipërfaqësore, por që përfshijnë një gamë të gjerë fushash, duke i kthyer njëfarësoj në ‘mini-eruditë’ në mungesë të një fjale më të përshtatshme, ndërsa grupi i dytë përmbledh studentët që i hyjnë më në thellësi një fushe të caktuar ose ata të cilët kërkojnë të kuptojnë shkaqet kryesore të fenomeneve të caktuara duke hulumtuar mbi rrënjët e tyre. Ndërsa për grupin e parë, memorizimi i fakteve dhe riprodhimi automatik i njohurive përbën kutin e suksesit të tyre akademik, studentët e grupit të dytë janë zakonisht më të prirur drejt mendimit kritik, si dhe thellimit profesional në një fushë të caktuar për të cilën ata mund të flasin me kompetencë. Ky grup i dytë zakonisht priret të vazhdojë studime pasuniversitare më të thelluara në degën e tyre të ekspertizës.
Nga ana tjetër, përsa i takon sistemeve universitare, këto zakonisht ndahen në dy modele kryesore: në ato në formë piramide, ku ka masivitet studentësh që hyjnë në universitete, por po aq i madh mund të jetë dhe fluksi i atyre që përfundojnë me shumë vonesë, apo nuk arrijnë asnjëherë të marrin diplomën që është dhe certifikimi i dijeve të tyre. Në shtetin e Kalifornisë për shembull, 45 për qind e studentëve që regjistrohen në kolegj apo universitet në shtator, nuk rikthehen semestrin e dytë apo fakti që shumicës së studentëve i duhen mesatarisht 6 vjet për të përfunduar atë që në Amerikë quhet Diplomë Asociimi dhe që e përkthyer në realitetin shqiptar mund të gjejë ekuivalencën vetëm në diplomat e lëshuara dikur nga Institutet e Larta, si ai i Shkodrës për shembull, pra jo një diplomë e mirëfilltë universitare. Një veçori e këtyre diplomave është se janë të disenjuara kryesisht për individë që janë në kushte pune (working adults) dhe në mbështetje të parimit për një të drejtë për shkollim gjatë gjithë jetës (life-long learning). Pas marrjes së kësaj diplome të shkallës së parë, askujt nuk i mohohet mundësia e transferimit të krediteve universitare në universitet, ku zakonisht pas përfundimit të dy-tre viteve shtesë, merret diploma bachelor. Natyrisht, kjo ka lidhje me sistemin universitar amerikan dhe është një veçori e këtij sistemi.
Ndërsa vende evropiane të cilat kanë të inkorporuar sistemin e piramidës, ku shkolla e lartë frekuentohet në mënyrë masive, por po kaq masive janë edhe heqjet dorë (drop-outs), janë Italia, Belgjika, Spanja etj. Zakonisht në këto vende gjithashtu nuk ka edhe hierarki të përcaktuar qartë mes universiteteve, të cilat ofrojnë pak a shumë të njëjtat kushte, në ndryshim nga hierarkia e rreptë që ndjekin homologet e tyre në Britaninë e Madhe dhe SHBA, ku vit pas viti publikohet lista e universiteteve, kolegjeve dhe programeve më të mira si dhe renditja reciproke e tyre, bazuar në të dhëna të ndryshme. Universitetet, sidomos ata elitarët në Perëndim më tepër se thjesht universitete në kuptimin tradicional të fjalës, janë qendra të fuqishme kërkimi shkencor dhe për rrjedhojë, barra e pedagogut nuk është vetëm mësimdhënia, por edhe botimi i librave dhe artikujve shkencorë, të cilat kryejnë dy funksione themelore. Së pari, shërbejnë si kut matës për suksesin e profesorëve në përputhje me parimin aq të njohur “publish or perish” (publiko ose humb), dhe nga ana tjetër u shërbejnë universiteteve për të marrë fonde. Sa më tepër tituj të ketë të publikuar një universitet, aq më të mëdha shanset e tij për të marrë fonde kombëtare dhe nga ndërkombëtarët. Po ashtu, tarifat e shkollimit në të do jenë më të larta dhe cilësia e studentëve që hyjnë aty do jetë logjikisht më e lartë.
Ajnshtajni i madh shprehej se “problemet e rëndësishme me të cilat ballafaqohemi nuk mund të zgjidhen nga i njëjti nivel i të menduarit që i prodhoi ato. “Për të gjetur zgjidhje edhe kur ndeshemi me situata tranzicionale si kjo që po kalon sistemi ynë universitar, duhet përpara së gjithash të gjendet një balancë ndërmjet kërkesë-ofertës pa i mohuar askujt dëshirën për shkollim dhe realiteteve të tjera, si cilësia e diplomave, cilësia e mësimdhënies dhe procesit të të nxënit, cilësisë infrastrukturore etj. Përsa i takon dukurisë së masivizimit, kjo ndodh kryesisht për shkak se edukimi sot konsiderohet një e drejtë sociale, ku çdokush e ka të drejtën e vazhdimit të një shkolle të lartë dhe askujt nuk mund t`i refuzohet një ëndërr apo dëshirë e tillë. Të prirur dhe nga ndrydhja që pësuam gjatë regjimit komunist, ku shkolla e lartë ishte privilegj vetëm i një pjese të privilegjuar në majë të hierarkisë sociale dhe statusi që gëzonte një ‘kuadro’ me shkollë të lartë ishte i padiskutuar në shoqëri- nuk është aspak e habitshme, ritmi me të cilin po ecën ky proces.
Por dukuria e masivizimit nuk është as e re, as po ndodh te ne për herë të parë. Një studiuese finlandeze gjatë një seminari, po përmendte faktin që në vendin e saj të kesh sot thjesht një diplomë Bachelor (pra diplomë universitare që zakonisht merret pas 3 apo 4 viteve studim në varësi të vendit), është baras me të pasurit e një statusi të dikujt të “papërfunduar”. Pra, të një personi që për arsye kryesisht inteligjence, apo edhe faktorë të tjerë, si ekonomikë, socialë, kulturorë etj., nuk ka mundur dot të ‘kompletohet’. Në këtë mënyrë kalohet drejt një masivizimi tashmë të Masterave, pasi ka gjithmonë e më tepër kërkesë për t`u ‘kompletuar’. Universitetet nga ana tjetër e mirëpresin këtë kërkesë, pasi procesi i masterizimit zakonisht ka kosto të kënaqshme, që do të thotë të ardhura të bollshme për universitetet, të cilat sipas protokollit të Kartës së Bolonjës, kanë autonomi gjithnjë e më të gjerë për të menaxhuar të ardhurat e tyre.
Përsa i takon studentëve, paradigma e re e të prodhuarit të njohurive, e bën imperativ fokusimin te suksesi i studentit dhe jo vetëm një trajtim formal të këtij të fundit. Dështimi i studentit në radhë të parë do të thotë dështim i pedagogut të tij dhe më pas edhe dështim i institucionit ku ai studion. Por kjo nuk do të thotë ‘lëshim dore’ dhe fiktivitet në vlerësim, vetëm për hir të arritjes së këtyre standardeve. Kjo do të na hidhte në ekstremin tjetër, që është akoma dhe më i rrezikshëm. Përkundrazi, ideja është që të punohet më tepër me klasa të vogla, me supervizim më të ngushtë dhe kontakt më të drejtpërdrejtë pedagog-student, me më pak ngurtësim dhe më tepër fleksibilitet nga ana e trupës pedagogjike, me më tepër stimulim mendimi kritik dhe diskutimesh nga ana e studentëve për të arritur që dijet e tij t`i përshtaten ambientit passhkollor, por edhe për t`i dhënë erudicionin e nevojshëm që e bën të dallueshëm mbartësin e një diplome të caktuar. Për ta mbyllur do doja të citoja Patricia Cross, e cila shprehet se: “problemi nuk është te të identifikuarit e fituesve. Përkundrazi është të bëjmë fitues njerëzit e zakonshëm.”