Për maturantët apo edhe për mijëra prindër që kishin fëmijët maturantë, vera kaloi plot ankth, por më në fund tashmë që prej tre javësh, gjithçka po përvijëzohet qartë. Konkurimet janë mbyllur, fituesit në secilën degë janë përcaktuar tashmë, dhe para pak ditësh përfundoi dhe faza e parë e regjistrimit.
Sipas strategjisë së Ministrisë së Arsimit, ka filluar faza e dytë e regjistrimit që pritet t’i japi mundësi disa kandidatëve të klasifikohen më lart dhe të futen në një degë më të preferuar sesa ajo ku janë renditur në fazën e parë duke përfituar nga vendet e lëna bosh nga maturantë të shpallur fitues gjatë fazës paraprake, por që vendosin të konkurrojnë për studime jashtë vendit, ose që parapëlqejnë të vazhdojnë studimet në degën e tyre të preferuar në Universitetet private sesa në degën ku kanë dalë fitues në Universitetet Publike.
Së pari duhet përgëzuar Ministria e Arsimit për arritjet në implementimin e maturës shtetërore dhe të sistemit të vleresimit sipas meritë-preferencës. Megjithatë, duke parë listën e fituesëve të fazës së parë, marrë nga faqja online e gazetës “Shekulli” (http://blog.gazetaetiranes.com.al/RP-Total.pdf), dhe duke ndjekur zhvillimet e fundit në arsimin e lartë ja vlen të diskutohen disa aspekte.
Aspekti i parë, është masivizimi i tepruar dhe cilësia shumë e dobët e kandiduesve. Nëse kohë më parë thuhej ”i gjithe populli ushtar” tani mesa duket po e kthejmë ”i gjithë populli student”. Lista e kandiduesve që përmendëm më sipër ka 4981 faqe. Me një përllogaritje të thjeshtë me 40 emra që ka çdo faqe dhe duke presupozuar që çdo emër përsëritet 9 herë (çdo maturant ka vënë 9 zgjedhje) i bie që të kemi patur rreth 23 000 kandidues. Deri ketu mund të mos ketë asgjë të keqe, por kur shikon cilësinë e kandiduesve vërtet duhet të mendohemi mirë.
Duke parë kollonën ”Mesatarja”, nuk ka sesi të mos bëjë përshtypje se ndër fituesit ka nga ato me mesatare 5.0 (pesë) ose rreth pesës (5,07, 5.15 etj.). Nuk është çudi që me të tillë studentë, kalueshmëria në provime të jetë 10 apo 20 përqind dhe studentët nuk kanë arsye të bëjnë greva për të hequr pastaj pedagogët se janë të rreptë. Dhe janë këto studentë që, duke përfituar edhe nga personaliteti i dobët i disa pedagogëve, do jenë stimuluesit kryesorë të mitmarrjes apo korrupsionit në Universitete. Në pamundësi të marrjes me meritë të provimeve apo notës së lartë, është ”normale” që këta studentë të gjejnë mënyra të tjera si pagesa e lekëve apo edhe kryerja e marrëdhënieve në shkëmbim të një note kaluese apo note shumë te mirë.
Ndoshta dikush edhe mund të pretendojë që do ishte më mirë të kishim të papunë me shkollë sesa të pashkolluar, por a nuk është ky një investim i tepruar disavjeçar nga ana e shtetit dhe individit? Nëse secili individ i bën vetë llogaritë e tij, shteti po ashtu duhet t’i bëjë mirë llogaritë sepse për çdo student shteti paguan një kosto të konsiderueshme nëse këtu llogarisim qoftë edhe vetëm pagesën e pedagogëve dhe infrastrukturën.
Dhe kur flasim për masivizim, çuditë nuk kanë te sosur: para pak ditësh u miratua gjithashtu edhe hapja e filialeve të fakultetit të Ekonomisë dhe të Agrobiznesit, si dhe të fakultetit të Bujqësisë e të Mjedisit në qytetin e Lushnjës, si njësi përbërëse të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Me miratimin e këtyre filialeve, u vendos edhe hapja pranë tyre e studimeve të ciklit të parë në degët Drejtimi i Fermave dhe i Agrobiznesit, Financë-Kontabilitet dhe Hortikulturë.
Pas filialeve të Fakultetit Ekonomik të hapur në Kukës dhe Sarandë, tani do bëjmë edhe ekonomistë për drejtim fermash në Lushnjë. Ka vetëm një problem të vogël: kemi harruar se së pari duhet të punojmë për ngritjen e tyre. Dhe me këtë llogjikë i bie që vitin që vitin e ardhshëm akademik të hapim filial turizmi në Krujë për të menaxhuar ”turistët e shumtë” në këtë qytet, apo filial të inxhinierisë së ujërave në Burrel për të përgatitur inxhinerë për të punuar apo projektuar edhe disa hidrocentrale në luginën e Matit.
Aspekti i dytë, është cilësia e dobët e fituesëve në shumë fakultete. Nëse mesatarja e fituesve ka qenë e lartë në një pjesë të mirë të degeve të Universitetit të Tiranës (në krye vjen dega e Mjekësisë së Përgjithshme, ku mesatarja e kandidatëve fitues është përgjithësisht mbi 9.5), pjesa tjetër e universiteteve lënë shumë për të dëshiruar. Më e theksuar është kjo në Universitetet e rretheve dhe në Universitetin Bujqësor te Tiranës.
Në këto Universitete, përgjithesisht mesatarja e fituesve nuk e kalon 7.0. Meqë qëllimi i këtij shkrimi është ngritja e shqetësimeve dhe problemeve, dhe aspak personalizimi i çështjes apo denigrimi i personave me të cilët nuk më lidh apo ndan asgjë, nuk po përmendim emra por vetëm disa ID. Nuk është aspak normale, sado të flasim në emër të së drejtës për t’u arsimuar, që dikush me mesatare 5.0 (ID. 0817154) apo 5.15 (ID. 0817074) të futet në Universitet.
Si do mund të ishte i sukseshëm një student i tillë në provimet e matematikës së lartë në një nga fakultetet inxhinierike, kur ai/ajo nuk ka marrë njëherë 6 në jeten e tij/saj në katër vite të gjimnazit ose shkollës së mesme profesionale? Si mund të presësh që dikush me mesatare 5.19 (ID. 19985) të bëhet informaticien, kur besoj që nuk di veprimet e thjeshta aritmetike? Nëse do pranonim eksistencën e talenteve të cilët mund të jenë shumë të dhënë pas një lënde të caktuar në shkencat ekzakte, gjë që nuk pasqyrohet ndoshta në mesataren e përgjithshme, kjo përsëri nuk e përligj numrin e madh të fituesëve me mesatare poshtë 6.
Aspekti i tretë lidhet me faktin që përgjithësisht preferencat e para në aplikimet e fëmijëve të pedagogëve, shefave të departamenteve ose dekanëve janë gjithmonë të lidhura me degën ose fakultetin ku punojne prindërit. Edhe pse dua ta besoj që prindërit kanë qenë aq të kënaqur me profesionin e tyre dhe të kenë influencuar aq shumë sa profesioni i tyre të shihet me adhurim nga fëmijët, përsëri më duket e vështirë të pranoj që të kete qenë ky shkaku që dikush nga 10 preferencat e saj, 7 të parat të jenë në fakultetin ku është “shef” babi (ID. 0839784).
Më shumë sesa adhurimi për profesionin e prindërve është mendësia qe lidhet me lehtësinë për të marrë, dhe jo vetëm për të marrë, por për te dalë me 10-ta në fakultet dhe siguruar më vonë një vend si pedagog. Unë do vija bast që edhe pse po futet me mesatare të gjimnazit 7.02 do e përfundojë fakultetin me mesatare jo më pak se 9,5.
Shumëkush në këtë fakultet mund të kujtojë raste të tilla te hyrjes në fakultet me mesatare 7.05, por të mbarimit të fakultetin me mesatare afër 10, dhe që tani punon bashkë me atin në të njëjtin departament. Apo dikush tjetër që 6-7 vite më parë u fut në fizikë me minus 10 pikët që kishte marrë tek informatika dhe në vitin e parë të fakultetit ngeli në 4 lëndë për vjeshtë, por meqë kishte dajën në fakultet, e mbaroi fakultetin me mesatare rreth 9. Dhe më pas u punësua aty ku donte. Nuk do t’ja vlente, nëse këto do ishin raste të shkëputura, por kam përshtypjen se po bëhet e modës një metodë e tillë pune.
Aspekti i katërt, ka të bëjë me anën teknike. Ndoshta në llogaritjen e koeficientëve i duhet dhënë më shumë përparësi mesatares së gjimnazit sesa dy provimeve apo edhe katër të tillëve. Në këtë mënyrë mund te shmangeshin lënia jashtë në një degë të preferuar (si p.sh. arkitektura) e kandidatëve që kanë mesatare shumë të lartë (maturante me mesatare 10 nga gjimnazi “Sami Frashëri” i Tiranës: ID. 0842308) dhe futja e tyre me mesatare 7.06 (ID. 41715) ose 6.94 (ID. 0817846).
Aspekti i pestë, ka të bëjë me dypunësimin e pedagogëve. Ministri deklaron që “pedagogët (e Universiteteve Publike) janë të lirë të punojnë në universtitetet private, pasi mbushin detyrimet në ato publike” (http://www.ballkan.com/index.php?page=shownews&newsID=46347). Edhe pse nuk thuhet se cfarë nënkuptohet me përmbushje detyrimesh në universitetet publike, fare mirë ky deklarim mund të konsiderohet autogol.
Nëse llogjika funksionon sipas parimit “përderisa mjekëve ju lejohet që të punojnë njëkohësisht si në shtet ashtu edhe në klinikat e tyre private, pse të mos punojnë edhe pedagogët”, atëherë jemi në rregull. Po ama mos harrojmë që katër vite më parë, pas çështjes së pagës, pika më e nxehtë e grevës së këtyre pedagogëve ishte se norma e mësim-dhënies konsiderohej shumë e lartë dhe nuk i dilte kohë për punë shkencore.
Tani me dy punësimin ku do e gjejnë kohën për punë shkencore? Apo do vazhdojë të përsëritet ajo që me shumë të drejtë e ngriti si shqetësim pak kohe më parë ish-ministri i arsimit kur tha që “kandidatë që kërkojnë të fitojnë tituj shkencorë sjellin në mënyrë jo të ndershme, materiale të kopjuara, të cilat nuk janë punime shkencore të kryera nga ata vetë”. Duhej ndërhyrja e konferencës së rektorëve që vendosi që pedagogët që punojnë në universitete publike do te jenë të lirë të punojnë dhe në ato private, vetëm në rast se nëshkruhen marrëveshje mes këtyre institucioneve.
Pavarësisht se Shqipëria është përballuar dhe po përballet me shumë probleme të tjera, në dukje më jetike sesa arsimi i lartë, nuk duhet të harrojmë se kemi të bëjmë me elitën e kombit, me ato që pas disa vitesh mund te bëhen profesorë, të bëhen deputetë, apo qeveritarë që do te drejtojnë vendin. Nëse sot në parlament kemi deputetë me shkollë nate, apo njerëz që fakultetin e kanë bërë 7 vjet nga 5 që është kohëzgjatja normale e studimeve, duhet që në të ardhmen, këto fenomene të marrin fund.
Së fundi, duhet përshëndetur nisma e qeverisë për thirrjen e trurit nëpërmjet programit “Brain gain”, por këto nisma nuk duhet të mbesin në letër. U hapën vendet për pedagogë, por në jo pak raste mungoi transparenca e nevojshme në zgjedhjen e pedagogëve. Personalisht kur pyeta njërin nga dekanët për një mundësi të tillë, më tha rri se je mirë andej se nuk kemi vende, kurse kur erdha pás tre muajsh në Shqipëri kishte marrë pa konkurs dikë tjetër. Nëse një pedagog pranohet në universitet jo sepse e meriton, por sepse ka paguar për ta marrë atë vend pune, ose ngaqë ka njohjet apo lidhjet miqësore, çfarë të ardhme mund të ketë arsimi i lartë publik shqiptar?
*Universiteti Teknik, Dresden / Gjermani