“LIDERËT” E PËRJETSHËM
Para disa ditësh, e veja e ish-diktatorit komunist, Nexhmije Hoxha, u shfaq në intervistë, në një prej ekraneve më të mëdha të medias elektronike shqiptare. Ndonëse ajo nuk tha gjë të re, veç atyre që ka thënë dhe shkruar kohë më parë, shtypi vendas i kushtoi një rëndësi të veçantë, ndërsa, nga ana tjetër, pati reagime të shumta të një pjese të opinionit publik, që i përket shtresës së ish të persekutuarve. E vetmja gjë që ia vlen të komentohet nga intervista e Hoxhës, ishte batuta metaforike me “dorën e ngrirë” të Sali Berishës, ku sipas saj, pasi i kishte dhënë dorën Enver Hoxhës, në një ceremoni, kryeministri i sotëm ishte shtrënguar ta mbante dorën lart duke e kthyer në një monument qesharak, pa denjuar t’ia jepte askujt tjetër.
Pak rëndësi ka nëse është, apo jo, e vërtetë, rëndësi ka të dihet mënyra se si kanë funksionuar gjërat dje dhe si janë mbartur ato deri në ditët e sotme. Vijmë këtu tek raportet e shoqërisë së sotme shqiptare me të kaluarën dhe qarkullimi i elitave politike brenda dy modeleve të funksionimit të saj. Sistemi komunist ishte një model që me ligj i shërbente një klani, vështirësish të qarkullueshëm, ku ndryshimet nuk vinin asnjëherë nga poshtë. (një diktator rrëzohet nëpërmjet eliminimit fizik ose një grushti shteti në kupolë, në asnjë mënyrë tjetër).
Por çfarë ka ndodhur, në Shqipërinë e afro 20 viteve të fundit? Qarkullimi i elitës politike është bërë në mënyrën më të ngadalshme të mundshme. Shoqëria shqiptare vazhdon të vuajë nga kompleksiteti i së kaluarës, për shkak se elita e saj politike është e lidhur drejtpërsëdrejti, me të qenit ish-anëtar apo ish-funksionar i Partisë së Punës, ish-agjent apo ish-funksionar i sigurimit të shtetit, ish-diplomat apo ish-agjent i shërbimeve të huaja etj.
Përmbysja që ndodhi në vitet 90-91, fillimisht me shndërrimin e PP-së në PS, largimin prej saj të ish-kupolës komuniste dhe më pas me fitoren e opozitës së përfaqësuar nga PD, nuk u shoqërua me qarkullim të përshkallëzuar të elitës, relativisht të re, që erdhi në krye të politikës. U deshën më shumë se 15 vjet të gjatë që PS, pas shumë peripecish, të ndërronte udhëheqësin e saj Fatos Nano.
Madje edhe ai, fill pasi u largua, për shkak të humbjes së zgjedhjeve, kërkoi të rikthehej. Në krahun tjetër kemi të njëjtën figurë, Sali Berishën, që pretendon të rrijë të paktën edhe katër vjet të tjera në krye të qeverisë edhe pse, nën drejtimin dhe me protagonizmin e tij, Shqipëria, ka kaluar vitin e tmerrshëm 1997, kryengritjen e vitit 1998, qindra protesta të rrëmujshme opozitare në vitet 2000-2001, vullkanin e Gërdecit të vitit 2008 etj.Kemi kështu një Sali Berishë që e ka filluar karrierën politike “me dorën e ngrirë lart” në kohën e komunizmit, ka ardhur në krye të politikës në kapërcim të kohëve dhe, i mbështetur nga klane të të njëjtit mentalitet, iu ka rezistuar të gjitha “tallazeve”.
Mosqarkullimi i liderve reflektohet në mosqarkullimin e njerëzve rreth tyre, duke krijuar kështu një burokraci politike të korruptuar, që bazohet në sjelljen e jashtme dhe jo në konkurrimin e vlerave. Pa ndryshuar lideri nuk ndryshojnë as klasat politike.
Suksesi i modelit autoritarist në organizimin e një partie është shenja themelore që tregon shkallën e ulët të emancipimit politik të shqiptarëve. Batuta e87-vjeçares Hoxha, e cila duhet jo vetëm ta shikojë, por edhe ta shijojë avantazhin e këtij sistemi, është një kujtesë për të na treguar se sa pak jemi shkëputur nga psikologjia totalitare e vlerësimit të politikës. Më shumë se sa për Sali Berishën ajo vlen për qytetarët e këtij vendi që kanë nga një votë në dorë, me të cilën mund të largojnë nga skena politikanët e vjetër të duarve të ngrira.