Shtune, 22 Nentor 2008 00:34:09

Lexoni versionin Print

Të bardhën po, të kuqen jo… (!!)

- Të bardhën e pi, pa problem, -i tha ai i ftuari në studio, “këngëtar” mavria.

Nga Dr. Romeo Hanxhari*
Marte, 07 Tetor 2008 09:08:00

 

- Të bardhën e pi, pa problem, -i tha ai i ftuari në studio, “këngëtar” mavria.

- E bardha ok. Kuptova. Po të kuqen jo? - e pyeti gazetari VIP pa iu dridhur qerpiku, sikur po fliste për ekipe futbolli.

- Vetëm të bardhën. Shiko or burrë, - e sqaronte ai tjetri si snob kompetent, - kokainën e pi gjithë bota, s’ka problem, po ama të kuqen nuk e afroj unë asnjëherë, jo, jo.

- Shumë mirë – e vlerësonte VIP-i. - Tani na trego pak historinë e klipit tënd, pra një vajzë me bikini në plazh që provokon një djalë, apo jo? Jepi... – e nxiti VIP-i. – Hë pra… historia e klipit.

- …Nuk e di or burrë, më ngatërrove tani, - “këngëtari” s’fliste.

- Iii, u bukos ej… Ok, ok. Tani te ajo drita e kuqe do thuash “Ledio të lutem”.

- Ledio të lutem!

Ky ishte dialogu që dëgjova të dielën pasdite në TV, ndërkohë që sa po rrufisja një kafe në këmbë në shtëpi, kur dëgjova time bijë 9-vjeçe që sapo ishte çuar nga gjumi, dhe më pyeti: “O ba, çfarë ishte ajo e bardha dhe ajo e kuqja që thoshte ai xhaxhi”.

Ca i pataksur siç isha, me këtë më ra pika fare. Dhe aty për aty mallkova veten që bëra atë që prej goxha kohësh nuk e bëja: ta ndaloja pra telekomandën tek ritransmetimi i atij emisionit të së premtes në darkë të atij gazetarit VIP. Qoftë edhe për pak sekonda…

Sepse, megjithëse ky fakt mund të mos ketë fare rëndësi për këtë gazetar VIP, në familjen tonë, ne kemi vendosur që mos të shikohet më emisioni i tij VIP. Prej goxha kohësh, fatkeqësisht. E kemi bërë atë zgjedhje pikërisht për shkak të dialogëve skandalozë që shpeshherë atje dëgjohen, dhe për shkak të personazheve socialisht të kalbur që shpeshherë atje shikohen.

Jemi kujdesur pra që vajza jonë në prag të moshës së adoleshencës të mos marrë nga ai lloj televizioni modele perverse sjelljeje, pak a shumë si ai që pashë këtë të diel me atë këngëtarin “që merrte vetëm të bardhë dhe jo të kuqe”… Dhe, për të qenë i sinqertë, më ka ardhur keq kur vendosëm këtë “censurë” të detyruar familjare bashkë me time shoqe. Më ka ardhur keq sepse fillimisht, por edhe më vonë ndonjëherë, e kam vlerësuar jashtëzakonisht shumë atë emision për rolin emancipues që ka luajtur në shoqërinë shqiptare. Madje, edha tani mund të them se kam respekt për nivelin profesional të atij gazetari, por absolutisht aspak për parimet e tij etike.

Si prind dhe jo si bashkëmoshatar, dua t’i bëj disa pyetje VIP-it në fjalë si dhe atyre që e shohin. Disa pyetje që rrinin me kohë në kupën time e cila u derdh këtë të diel pasdite:

I nderuar VIP, në televizion a duhet të kenë prioritet parimet e etikës profesionale apo parimet e fitimit me çdo kusht të audiencës? A duhet të kenë televizionet rol në edukimin e shoqërisë, apo të jenë indiferente dhe pa asnjë përgjegjësi? A s’është e mundur që krahas informimit apo argëtimit shqiptarët të marrin edhe mesazhe të vërteta qytetarie?

Në televizion pra, a duhet të kenë prioritet parimet e përgjegjësisë shoqërore apo “parimet” e interesave personale (përfshirë ato seksuale)? Më konkretisht. A duhet që në televizionet tona, tema delikate si ajo e drogës të trajtohet me kujdes dhe si një plagë e shoqërisë sonë të papjekur, apo të shikohet me kuriozitet pervers thjesht si një temë “e paparë”? A është kjo pjesë e etikës profesionale?

Dhe së fundi, miku im VIP, nuk të duket tallës fakti që, kur trajton tema si seksi apo droga me lehtësinë tënde tashmë legjendare, ti përdor si alibi faktin që “ka kaluar mesnata, prandaj na lejohet ta lëshojmë gojën” dhe vendos edhe shenjat me minus sa të do qejfi ty, ndërkohë që e ritransmeton emisionin tënd në hapësirën më familjare të kohës televizive javore, pikërisht të dielën pasdite?!

Si këto ka shumë pyetje që do doja t’ia bëja atij bashkëmoshatari VIP, por e di që kjo që po shkruaj as do t’i bëjë fare përshtypje, dhe prandaj po e lë me kaq. Pastaj më duket vetja si kundër rrymës, sepse ai u hyn në punë të gjithëve dhe prandaj askush nuk merr guximin t’ia thotë këto…Veç kjo më shtyn t’ia bëj dhe një pyetje të fundit: A do ta lije fëmijën tënd të dielën pasdite të të shikonte ty me modelin “të bardhën po, por të kuqen jo”?!

*Pedagog në Departamentin e Gjeografisë në Universitetin e Tiranës


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën

21/11/08 20:27:00 | Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi..

Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

LAJME TE NGJASHME

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML