Shtune, 22 Nentor 2008 00:16:23

Lexoni versionin Print

Në fushat me eshtra të Shqipërisë

Bota e Ismail Kadaresë është një lloj antimaterie. Ajo e shkatërron tonën. Vetëm se ndryshe nga shembulli i marrë nga mikrofizika, ajo e plotëson tonën dhe me një efekt të dukshëm.

Nga Richard Eder*
Marte, 07 Tetor 2008 09:09:00

 

Bota e Ismail Kadaresë është një lloj antimaterie. Ajo e shkatërron tonën. Vetëm se ndryshe nga shembulli i marrë nga mikrofizika, ajo e plotëson tonën dhe me një efekt të dukshëm.

Të lexosh veprat e këtij shkrimtari të madh shqiptar (“Pallati i Ëndrrave”, “Piramida,” “Ura me tri harqe”) është të hysh në një ankth të cilin nuk guxojmë ta banojmë, mirëpo ndërkohë e ndjejmë që ai banon tek ne.

Provincializmi ynë kulturor prej fuqie të madhe ka nevojë për një korrektues. Fjalët "shkrimtar i madh shqiptar" rrezikojnë të priten me një gogësitje refleksive. Mirëpo, janë botët e vogla ato që mbushin atë të madhen: shoqëria e fshatit të Jane Austen, Misisipi gjithë baltë i Mark Twain, Mancha e përgjumur e Servantesit. Në këtë kuptim, ferri i Dantes është i populluar kryesisht me konflikte të përgjakshme të një grusht qytet-shtetesh të vogla.

Shqipëria ka jetuar e izoluar, e varfëruar, e shkelur (sikur të mos mjaftonin këto) nga marshe e kundërmarshe të Lindjes dhe Perëndimit, por edhe rezistuese kryeneçe, me një kod të lashtë të dhunës hakmarrëse dhe gjaqeve. Zoti Kadare na tërheq në të panjohurën e saj dhe kur dalim na duket vetja e huaj.

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” e bën një shndërrim të tillë shumë më haptas sesa veprat e mëvonshme të Kadaresë, të cilat e realizojnë me nënkuptim të tmerrshëm. Këtu – në këtë përkthim të fundit nga një version francez – imponimi i një Perëndimi të përparuar në errësirën shqiptare dhe çmontimi i tij moral është thënë shkoqur në gjithën këtë histori.

Njëzet vjet pas Luftës së Dytë Botërore, një gjeneral italian dërgohet në Shqipëri për të marrë mbrapsht mijëra ushtarë të vendit të tij të vrarë gjatë pushtimit pompoz dhe katastrofik të Musolinit. Ata janë të varrosur në dhjetëra varreza të shpërndara, shumica e të cilave anonime, anembanë fshatrave kërcënuese.

Misionit i është bërë jehonë si një nder kombëtar; gjenerali përfshihet në të me mendjemadhësi, por shpejt do ta ndjejë se nuk e ka më situatën në dorë. Ai shoqërohet vetëm nga një prift italian dhe një ekspert shqiptar që është gjithashtu anëtar partie, ndërkohë që i duhet të bëjë punën rraskapitëse të këshillimit me fshatarët për të gjetur pirgjet e kockave, për t’i zhvarrosur, radhitur e paketuar në thasë të vegjël najloni, për të shfletuar më pas mes të dhënash të paplota për t’i identifikuar.

Ai vazhdon të mbajë sigurinë e tij mendjemadhe. Hartat e tij të shkëlqyera dhe listat e parapërgatitura mirë të të vdekurve janë shumë më superiore se veglat difektoze të një gjenerali shqiptar që është dërguar në një mision të ngjashëm – dhe kaq i pasuksesshëm saqë kolegu shqiptar ia përvetëson disa eshtra italianësh për të mbuluar dështimin e tij në kërkim.

Më pas Kadare përparon me ironi e qesëndi brenda errësirës. Vetëbesimi gazmor do t’i tretet dalëngadalë gjeneralit italian. Prifti, i cili e njeh vendin, e paralajmëron atë se teprimet e tij janë duke dhunuar një tabu. Është hera e dytë, në 20 vjet, që një ekspeditë e huaj ushtarake ka pushtuar Shqipërinë. Heshtja e fshatrave është kërcënuese, prej shekujsh kodi ka kërkuar një ndëshkim me vdekje për çdo fyerje të nderit.

“Hakmarrja e tyre është si një pjesë e kompozuar në harmoni me të gjitha ligjet e tragjedisë”, paralajmëron prifti.

“Natyra e tyre kërkon luftë, thërret për luftë”, thotë ai. “Në paqe shqiptari bëhet i plogësht dhe vetëm gjysmë i gjallë, si një gjarpër në dimër”. Vetëm kur është duke luftuar shfaqet i plotë vitaliteti i tij”.

Zoti Kadare nuk merret me mesazhe – ai i sjell ato në jetë fatale. Një fshatar i jep zë atmosferës së zymtë që krijon ekspedita. Të nxjerrësh eshtrat e pushtuesve italianë dhe bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë përforcon armikun, ankohet ai. Ushtarët e vdekur janë gjithsesi ushtarë.

Gradualisht, si Kurxi te “Zemra e errësirës” (romani i famshëm i Xhozef Konradit –shënim i përkthyesit) një shpirt në dukje primitiv i vendit infekton të huajin në dukje superior. Gjenerali fillon të mendojë për pirgjet e eshtrave në të njëjtën mënyrë si edhe fshatari.

“Kam një ushtri të tërë njerëzish të vdekur nën komandën time”, mendon ai. “Vetëm se në vend të uniformave ata kanë veshur thasë najloni. Thasë blu me dy shirita të bardhë dhe cepa të zinj, të prodhuara me porosi nga firma ‘Olimpia’.

Më pas ai thotë: “tani jemi drejt plotësimit të regjimenteve dhe divizioneve”. Menjëherë, ai fillon të imagjinojë këtë ushtri, nën pushtetin e tij, duke fituar Normandi, në Kore, në Vietnam. “Ai ishte një gjeneral që e dinte çdo të thoshte të komandosh.”

Ushtria e tij e vdekur pushtuese ishte po aq luftarake sa edhe ai, si në skutat e shpirtit shqiptar, ku edhe pas 20 vjetësh plaga thërret për hakmarrje. Në të njëjtën kohë - edhe ngaqë Kadareja ka tepër finesë si shkrimtar për të ndjekur vetëm një linjë- gjenerali e shkund prej vetes atë që i zien përbrenda ndonëse ajo është duke zierë edhe jashtë.

I sigurt deri në arrogancë, ai këmbëngul që të marrë pjesë në një dasmë fshati, i paftuar, megjithë paralajmërimet e priftit. Vështrime të errëta dhe të heshtura i presin, ndonëse i zoti i shtëpisë nuk ia kursen mirëpritjen ceremoniale. Nuk mund të ketë rrezik, i mburret ai priftit, shikoje respektin.

“Vdekja urdhëron respekt”, i përgjigjet prifti.

Një skenë shtangëse vijon, me dramën që shpërthen si një klithmë pas një heshtjeje të gjatë. I turpëruar, gjenerali përballet me gjithçka që superioriteti i tij perëndimor e ka shtyrë që ta injorojë deri atëherë. Është mbarimi i tij, por z.Kadare e di se mbarimi përcillet shumë më fuqishëm kur nuk kryhet tërësisht.

Në pjesën e fundit të librit, protagonisti, me misionin e mbaruar, pi në një hotel me kolegun e tij shqiptar, por gjysmëperëndimor. Biseda është qëllimisht, habitshëm, pafundësisht e çikërrimtë. Anti-kulminantja është në fakt, kulminante e maskuar. Mbarimit, të përshkruar nga Kadareja, i nevojitej vetëm një moment për të treguar fytyrën e vet të tmerrshme përpara se të shpërbëhej në banalitet.

*Artikulli është botuar në gazetën e madhe amerikane “The New York Times”. Titulli i plotë:“Duke drejtuar një mision të errët në fushat me eshtra të Shqipërisë”. Përkthimi në shqip, Ruben Avxhiu


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën

21/11/08 20:27:00 | Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi..

Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

LAJME TE NGJASHME

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML