Para disa ditësh, kur m’u dha mundësia të vizitoj për herë të parë një qendër tregtare në Shqipëri, shkova. Në këtë mënyrë edhe do mësoja pak mbi çmimet, se ende nuk më është dashur të blej rroba në atdhe, (kam jetuar vite në SHBA) dhe nuk ia kam shumë idenë.
Më telefonon një mik në mbrëmje, unë akoma në zyrë.
"Dua të blej një dhuratë për nusen më thotë, do vish…”
Me makinë në, çajmë trafikun, admirojmë zotësinë e ca shoferëve që manovrojnë në mënyra fantastike gjithë kohës duke shkelur çdo rregull qarkullimi, dhe mbërrijmë te qendra. Ka një strukturë parkingu marshallah, me disa kate vetëm që kthesat brenda strukturës i kanë bërë fiks 90 gradëshe, a thua se makinat janë elastike – mirë që ky miku s'ka "X5″ - "Si ore mirë që s'kam X5? Dua të kem," - do kishte thënë, po këto po i them vetë sikur i thotë ai.
Nejse, hymë në parking-strukturën, shigjetat na tregojnë që lejohet të kthehesh vetëm majtas – një djalosh që drejton trafikun na bën me shenjë të kthehemi djathtas. Ne për një moment mbesim. As majtas, as djathtas. Dhe ai që këtë radhë "na jep urdhër" të mos e zgjasim po të bëjmë si thotë. Futemi kundravajtje dhe zëmë vendin e lirë. Një makinë që kishte zbatuar rregullin dhe kishte ardhur përqark është tepër vonë, vendin ia zumë ne "legenët" që thyejmë rregullat. "Na fal vlla, të drejte ke ti, po ai laci aty të hyrja na detyroi."
Hyjmë brenda. Tamam si jashtë shtetit, drita, kristale, shkallë allasoj që ngjiten vetë, pllaka të lëmuara sa unë mezi po ecja. Katet plot me njerëz që dalin për të blerë rroba moderne. Kuptova që po të doja mund të bëja gjoja sikur isha sërish në SHBA, mjaft të mos vija re çmimet. Vura re sesi edhe qëndrimi i vajzave-shitëse, edhe modelimi i dyqaneve ishte njësoj si kudo tjetër në botë - dhe nuk e di pse për një çast të shkurtër u ndjeva ligsht nga kjo. "Asnjë grimë origjinalitet". E përzura mendimin e ligë. "Ç'të keqe ka nëse ndërtojmë replikime ekzakte të asaj që kemi parë jashtë?"
Diku ndryshojmë gjithsesi, çmimet nuk janë njësoj. Në njërin dyqan që vinte era VOGUE gjejmë ca mallra firmato, të firmave të ndryshme, njëra xhaketë Guçi, tjetra Armani, duket që këto rroba e gjyslykë të shtrenjtë janë blerë sa andej këndej e kanë përfunduar në një vend së bashku pas udhëtimesh plot aventura. U afrohemi rrobave të grave. Miku im kërkon diçka të veçantë për shoqen e tij. Unë mbes tek një kostum shumë i shëmtuar Versaçe. Vjetërsirë dukej nga stili. Stof gri gjithandej, pjesa e kopsave me lule me ngjyra - nuk marr vesh nga moda, por ma shpifi. Kap etiketën e çmimit, 950 Euro. "Holy Sht!!!" - mendoj. "Me 950 Euro ushqen një fshat të vogël". 950 Euro për një kostum femrash? Ndihem i varfër, pastaj ndjej përçmim për atë makutin që ia ka ngopur me atë çmim qesharak.
Nejse, dolëm. Hyjmë tek butiku ngjitur. Miku im ia vë syrin një palltoje të zezë Armani. Kjo duket sikur ka ndenjur ca vjet varur në kremastar. E kuptoj që po bëhem zevzek ndaj nuk them gjë. Miku im tani po e prek mallin, po e studion.
"Sa është kjo palltoja e grave?"
"E thotë",- ia bën goca me taka të larta.
"Po ku e thotë se nuk e shoh?"
"Ja, - Ajo vjen dhe bën të gjejë etiketën, por nuk ka etiketë gjëkundi. "Ja të marr pak pronarin në telefon. Alo Buqe..?!"
Ndërkohë që goca me taka zgjidh çështjen e çmimit, unë vij vërdallë butiquesë. Më kap syri një këmishë në kuti, bashkë me kravatën. Si këto këmisha unë blija gjithmonë kur jetoja në SHBA, ndoshta sepse edhe kombinimin e kravatës e ka bërë dikush me sy për këtë punë, dhe nuk janë fare të shtrenjta. Kjo është një këmishe Pierre Cardin, tamam si ajo që kam blerë para ca muajsh për 19 dollarë amerikanë, 18.99 për të qenë ekzakt. E marr në dorë kutinë dhe i flas mikut, edhe ai ka jetuar në SHBA dhe do më kuptojë.
"Ej, të duket familjar ky paketim?"
"Po mo, nga Amerika ka ardhur, duket. Shiko si është ca e shtypur, ka udhëtuar në valixhe."
"Duket tamam si ato që shiten në TJ Maxx" - i them. "Aty i blej unë"
"Po, biles po ta shikosh, ia kanë hequr etiketën e Tj Maxx-it.
Symprehtë miku, tani vura re që etiketa amerikane nuk ishte shqitur mirë, dallohej që ishte e TJ Maxx-it. I armatosur me dijeninë që një këmishë si kjo nuk bën më shumë se 20 dollarë e pyes gocën me taka për çmimin. "Kjo këmisha është 16,500."
Unë dhe miku shihemi në sy. Na vjen të qeshim, dhe të qajmë. "16,500 të reja, pra 165,000 lekë të vjetra?"
"Po, me të vjetrat i bie njëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë lekë."
Ne: "Po tallesh?" Ajo: "Eshtë Pierre Cardin."
"Nuk tallesh. Ëoë!!!"
"Çmimi i palltos së femrave është 700 Euro".
Duke bërë një supozim logjik, nëse kanë 10-fishuar çmimin e këmishës, edhe palltoja ndoshta po shitet dhjetëfish.
"Jo faleminderit" i buzëqesh miku dhe dalim.
Rrugës së kthimit bisedojmë për absurditetin e çmimeve në krahasim me të ardhurat e njerëzve në Shqipëri dhe për babëzinë që shet për 16,500 një këmishë të rëndomtë që në SHBA e ka blerë për jo më shumë se 1,650 lekë shqiptare. Ndjeva keqardhje për atë që do shkojë ta blejë atë leckë të ardhur nga Amerika…Pastaj mendohem, "Apo ndoshta e ka hak?"