Kam lexuar me kujdes në shtypin e përditshëm shkrime të ndryshme në lidhje me diskriminimin e grave nga burrat, në të gjitha fushat ku ajo ushtron aktivitetin e saj si në politikë, shkencë, art etj., shkrime këto të trajtuara nga vetë gratë, por edhe nga burrat. Madje kam dëgjuar me shumë respekt gjithashtu edhe gra e vajza në karrierë, tek intervistohen për sukseset e tyre në fushat përkatëse, të ankohen për pengesat e shumta që u vijnë nga burrat, thjeshtë për shkak të të qenit gra. Pavarësisht interpretimeve që vijnë nga të dyja gjinitë për të njëjtin problem, besoj se çështja është edhe më komplekse, sesa konkluzionet sipas të cilave bota maskiliste e ka vendosur gruan në një pozicion inferior.
Nuk ka në fakt asgjë më të padrejtë në shoqërinë tonë moderne sesa gjendja shoqërore në të cilën ndodhet gruaja. Gruaja, nëna e të gjithë të gjallëve, qenia më e nevojshme e njerëzimit, ka në shoqërinë tonë një vlerësim më të vogël se burri.
Përveç ndryshimeve fiziologjike që janë të njohura e që pranohen nga të gjithë, është ndryshimi moral që është baza nga ku rrjedhin të gjitha të tjerat. Gruaja është një krijesë altrocentriste. Gruaja bën qendër të aktivitetit të saj të tjerët, është e gatshme të sakrifikojë për ta, të lehtësojë vuajtjen e të shuajë dhembjen e të tjerëve. Periudha më e lumtur e jetës së saj është shpenzimi i gjithë forcës fizike e morale për përkujdesjet familjare, kur është për fëmijët nënë, edukatore, mësuese. Edhe në rastet kur ajo përparon në shkencë, art, apo edhe në profesionet e tjera, përveç nevojës, nxitës i përgjithshëm, një nga shtysat më të forta është gëzimi që iu sjell kjo gjë njerëzve të dashur që rrojnë me të.
Gjatë gjithë jetës së saj, duke punuar për të tjerët, duke qenë mbështetje për të tjerët, ajo nuk e vë veten e saj asesi në qendër të objektivave të saj; përkundrazi objektivi i saj janë fëmijët, nxënësit, bashkëshorti, pacientët, etj., pra të gjithë ata që i janë besuar asaj. Kështu në mënyrë të natyrshme ajo është në rolin mbështetës e jo udhëheqës, duke e pranuar këtë rol me përkushtimin më të madh. Kënaqësia e saj më e madhe është kur fiton respektin e mirënjohjen e tyre, kur vlerësohet nga të tjerët për rezultatet e saj të mira. Gruaja gjithashtu është transparente, ajo di të thotë të vërtetën, nuk para e duron dot padrejtësinë, e urren dembelizmin, tipare këto që në sytë e burrave shpesh në mënyrë të padrejtë tregojnë grindavecen.
Prandaj, gratë intelektuale, ato që shquhen nga maturia e serioziteti kanë përzgjedhur rolin dytësor, atë të ndihmëses dhe frymëzueses, mbështetëses së paepur dhe besnikes së pashoqe, për të bërë të shkëlqejnë të tjerët, bashkëshortët e tyre, fëmijët e tyre.
Historia e luftërave dhe e revolucioneve është e mbushur plot me shembuj grash të mençura që kanë qenë përkrahëse e ndihmëse të afërta të liderëve politikë.
Këto janë disa nga virtytet më të mira të gruas intelektuale në përgjithësi, por që sigurisht ato nuk mund të funksionojnë pa bashkëpunimin e burrave, të cilët gjithashtu kanë epërsitë e tyre e që janë pjesë e të njëjtës orkestër, e cila nuk mund të japë një melodi harmonike pa të dyja palët.
Gjatë këtyre 17 vjetëve politika shqiptare është përfaqësuar kryesisht nga meshkujt, prandaj edhe ka qenë aq e ashpër, në luftën e shfrenuar për pushtet personal.
Është detyrë e politikës, të bëjë kësaj here, zgjedhjet e duhura, ndryshe nga ato figura grash që jemi mësuar të shohim në arenën tonë politike; gra me elementë të shumtë mashkullor. Gra cinike, hakmarrëse, të cilat grinden në mënyrë të vazhdueshme me burrat, me të barabartat, me inferioret, me të gjithë. E në qoftë se nuk grinden, murmurisin nëpër dhëmbë duke u mbushur me urrejtje në brendësi të shpirtit.
Gra që dukshëm bëjnë gjithë përpjekjet, që të ndriçojnë, por shoqëria kërkon nga gruaja jo që të ndriçojë veten, por të ndriçojë gjithçka që ka përreth saj. Gra që zgjohen në mëngjes fizikisht e shpirtërisht të deformuara nga gjumi i prishur, si pasojë e ëndrrave të trazuara, në të cilat thurin rrjetat, ku do të ngecë viktima e radhës, burrë apo grua qoftë.
Thonë se shkolla më e mirë e gruas është vuajtja. Historikisht gra, që gjatë jetës së tyre kanë vuajtur nga pengesa të shumta, kanë qenë ndihmëset më të mira të filozofëve e politikanëve, sepse ato vetëm nëpërmjet vuajtjeve arrijnë të njohin realitetin e të zbulojnë atë që fshihet nën dukjen. Po kjo jo gjithnjë është e vërtetë. Kemi parë gra të tilla se si i përdorin vuajtjet e tyre dhe të të tjerëve vetëm si alibi për të bërë karrierë, e për të përfituar.
Gra që kanë ditur përmes vështirësish të ndërtojnë një punë të tyre intelektuale, të cilën dinë ta mbrojnë, do të shërbejnë si një shembull i mirë për të gjitha ato vajza që janë në modelim e sipër, duke ngjallur shpresën, se vetëm përmes punës, mësimeve e studimeve mund të ngjitesh në maja.
Është momenti të ofrohet modeli më i mirë, për të rinjtë, për gratë e vajzat, për gjithë shoqërinë tonë të lodhur nga ky tranzicion i gjatë, në kërkim të vlerave, të cilat janë ngatërruar në këtë luftë të ethshme për para e pushtet personal.