Sali Berisha për herë të parë mbajti premtimin. Ndoshta ishte premtimi më idiot që kishte dhënë gjatë 18 viteve karrierë politike por ai e mbajti.
Miku i tij i shtrenjtë (siç e kanë quajtur njëri tjetrin me një lloj ekstaze fare të pavend), Damir Fazlliç erdhi në Tiranë. Ai e solli “trafikantin dhe sekserin” e Ballkanit në Tiranë. Por nuk e solli kur ishte vetë. Gjeti zgjidhjen më të mirë. Damir Fazlliç mbërriti dje në Tiranë në një kohë kur kryeministri ndodhej në Gjermani, në një vizitë pune. Rastësisht me të ndodhet edhe ministri Basha. Fazllic pra, u ftua nga disa njerëz krejt të paanshëm. Ai u ftua nga media e (pa) anshme shqiptare vetëm sa për të dhënë një intervistë super të shpejtë. Erdhi, foli, iku, ishte motoja e vizitës së djeshme.
Damir Fazliç zbarkoi në Rinas me një avion privat. Çarteri ishte nisur nga Londra me urgjencë dhe ka ndaluar vetëm në kryeqytetin shqiptar. Vizita duhet të mbahej e fshehtë por më pas organizatorët menduan që ta përhapnin lajmin në media. Në orën 13.00 Damir Fazlliç u ul në Rinas me avionin privat. Aty ai pritej nga një makinë televizioni, e cila ishte tepër e gatshme që ta takonte.
Organizatorët e takimit kishin caktuar një gazetare të njohur që ta priste “mikun” boshnjak në aeroport. Pak minuta më pas ajo u ngjit në makinën e tij. Por Fazlliç me sa duket edhe pse e kishte bërë këtë rrugë edhe herë të tjera, edhe pse ishte i mbrojtur nga një gazetare, kërkoi më shumë siguri. Kjo nuk ishte ndonjë problem për organizatorët e takimit.
Mjaftoi një telefonatë (në Gjermani të ketë shkuar thirrja? Nuk e besojmë..) dhe punonjësit e makinat shtetërore, ato që paguhen nga paratë e shqiptarëve, u vendosën në dispozicion të tij. Një eskortë e veçantë ka shoqëruar biznesmenin boshnjak deri në vendin e paracaktuar, aty tek “ullishtja”.
Fazlliç hyri serbes në zyrat e televizionit r, dha intervistën e tij në anglisht dhe më pas qëndroi në pritje sa të mblidheshin gazetarë të shumtë.
Pak minuta më pas sheshi tek “ullishtja”gëlonte nga gazetarët që kishin “mprehur” kamerat. Por edhe këtë herë Fazlliç tregoi që është tip i shkathët. Ai doli nga dera e pasme, ajo dera me qepen që të gjithë e panë më pas në TV. Dhe këtë herë doli si “njeri”. Nën eskortën e drejtuesit të emisionit ai ndaloi para makinës. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, vetë Damir Fazlliç nuk mund të hapte derën e makinës. Drejtuesi i shkathët i emisionit rendi dhe i hapi derën atij njeriu. Pas kësaj, u sigurua që shoferi të kishte marrë më së miri të gjitha udhëzimet, dhe i dha miratimin që të nisej. Ai u largua sërish me makinën e gazetares që e shoqëroi. Madje për të u fol se do të bëhej edhe personalitet pasi do të thërritej në studio të ndryshme e do të pyetej: Me rrëfe minutat e tua me të madhin Damir Fazlliç...
Në këtë moment në TV u shfaqën edhe disa persona të njohur si punonjës së Gardës së Republikës, nga ata që shoqërojnë personalitetet. Edhe Fazlliç erdhi në Tiranë si personalitet, e jo si një njeri i kërkuar nga drejtësia, i akuzuar nga të gjithë si mashtrues. Por nga ana tjetër ai është i pastër. Edhe pse ka krye aktivitete tepër të dyshimta në Shqipëri, ai është i mbrojtur. Ai dhe njeriu që duhet ta kontrollojë, drejtori i përgjithshëm i tatimeve kanë një mik të përbashkët, kryeministrin. Të dy kanë bërë pazare me të dhe ai u ka nga një borxh të madh të dyve..dhe të dyja duart lajnë fytyrën.