Enjte, 08 Janar 2009 01:08:40

Lexoni versionin Print

Dilema e dosjeve

Nuk ka patur çështje më të përfolur në Shqipërinë pas-socialiste se çështja e dosjeve.

Nga Elidor Mëhilli
Premte, 10 Tetor 2008 09:10:00

Nuk ka patur çështje më të përfolur në Shqipërinë pas-socialiste se çështja e dosjeve.

E megjithëse për të kaluarën në Shqipëri flitet shumë – dokumentarë, refleksione, intervista të bujshme – Shqipëria, paradoksalisht, mbetet ndoshta vendi më i prapambetur ish-socialist për sa i përket nismave institucionale për të kaluarën. Ky vetë-izolim reflektohet edhe në mënyrën si trajtohet e kaluara. Bisedat për të – ose më mirë përbaltjet e përbashkëta – fillojnë dhe mbarojnë tek Mukja apo Mehmeti, spiunët e UDB-së apo sklerotikët e Byrosë.

Të parit e Shqipërisë si një rast pothuaj gjenetikisht i veçantë nga çdo vend tjetër, kur nuk është thjesht pasojë e injorancës, imiton pikërisht metodën e parapëlqyer të shtetit shqiptar pas mbylljes së pashoqe në vitet ’70. Mirëpo vështrimi përtej kufijve mund të jetë i vlefshëm, sidomos duke qenë se për dosjet në vendet e tjera është folur e vepruar prej 18 vjetësh.

Historia e hapjes së dosjeve të shërbimeve sekrete fillon që me arkivat e Stasi-t në ish Gjermaninë Lindore dhe me hapjen e plotë ose të pjesshme në vendet e tjera lindore. Pothuaj të gjitha këto vende (por jo Shqipëria) ndërtuan institucione të veçanta e të specializuara që merren me studimin dhe publikimin e veprimtarisë së ish organeve sekrete, por edhe me krimet e periudhës komuniste në përgjithësi. I njohur si “lustration” (nga latinishtja për “lustratio”, domethënë purifikim nëpërmjet sakrifikimit), procesi i ballafaqimit me dosjet e funksionarëve filloi gjithashtu fuqishëm në Çeki në fillim të viteve ’90. Fillimisht sanksionohej që veprimtaria e ish-bashkëpunëtorëve të kufizohej për pesë vjetë, por ky rregull është kthyer gjatë viteve në një përjashtim të përjetshëm.

Ndryshe nga Çekia, “spastrimi” në Poloni bëhet sipas deklaratave që ju kërkohen një numri nëpunësish e titullarësh. Fillimisht kjo masë zyrtarësh ishte e kufizuar tek nivelet e larta të shtetit. Por vitet e fundit sfera e veprimit është zgjeruar dramatikisht, duke kërkuar që edhe gazetarët, avokatët, oficerët, diplomatët, e deri tek profesorët e universiteteve dhe titullarët e institucioneve të ulta të deklarojnë nëse kanë bashkëpunuar me ndërgjegje me ish shërbimin e sigurimit. Është pothuaj e pamundur të përshkruash në pak rreshta çfarë stuhie ka provokuar në Poloni një përpjekje e tillë. Mjafton të përmendësh që një ballafaqim i tillë përfshin qindra mijëra vetë dhe vetëm studimi dhe administrimi i dosjeve kërkon një mini-burokaci më vete. Gjykata Kushtetuese ka ndërhyrë duke deklaruar disa nga këto përpjekjë “spastrimi” anti-kushtetuese.

Shembujt tregojnë se për “spastrimin” nuk ka një formulë të caktuar. Momenti kur është vendosur të fillohet një fushatë e tillë, gjithsesi, ka qenë i rëndësishëm. Kjo sepse “spastrimi” është legjitimuar si një nevojë për forcimin e demokracisë në fillimet e tranzicionit. Por a ka të njëjtën vlerë kjo praktikë kur bëhet gati dy dekada pas kolapsit? Dalin edhe pyetje të tjera nga shembujt lindorë; Kush i zgjedh ata që vendosin për ish-bashkëpunëtorët e dyshuar? Çfarë masash duhen marrë që kjo përpjekje të mos kthehet në një hakmarrje masive? Rasti polak këtu është i dobishëm si një rast ekstrem, ku “spastrimi” i kaloi kufijtë e posteve të rëndësishme tështetit dhe preku aktorë jo-shtetërore duke përfshirë shkollat dhe shtypin. Propozimi shqiptar i kohëve të fundit nuk i kalon këto kufij.

Por ajo që i lidh shembujt e dosjeve në ish vendet socialiste nuk është vetëm rreziku i përdorimit të dosjeve për arsye politike. Në qendër të debatit për dosjet është ndeshja e dy koncepteve: e drejta e pamohueshme e çdo qytetari për të marrë vesh të vërtetën e së kaluarës, sado e hidhur të jetë ajo, me të drejtën e çdo qytetari për ruajten e privatësisë së tij, që është në themel të një shoqërie demokratike. Në këtë aspekt, do të ishte e dobishme që edhe në ambjentin shqiptar të sillen argumenta për rëndësinë e njërit apo tjetrit koncept dhe për kontributin specific që pritet nga hapja apo mos-hapja e dosjeve në këtë pozicion ku ndodhemi sot.

Nga ana tjetër, duke u marrë vetëm me dosjet e Sigurimit harrojmë që mijëra dosje të tjera të shtetit socialist vazhdojnë të jenë të vulosura për 50 deri në 150 vjetë në bazë të një ligji qesharak të vitit 1999. Si mund të shkruhet historia e një sistemi ndërtuar pikërisht mbi dhunimin e privatësisë duke mbyllur dosje me të dhëna personale nëpër arkiva për 150 vjetë?

“Spastrimi,” si dhe hapja e dosjeve personale të paktën sipas një afati kohor më të arsyeshëm, është një proces që domosdoshmërisht nënkupton kufizim të drejtash. Ky kufizim mund të mbrohet me argumenta në kontekstin e një ballafaqimi me të kaluarën. Por për këtë lloj diskutimi duhet hapësirë. Jo vetëm përmbajtja e dosjeve, por edhe mënyra se si e trajtojmë dhe shpjegojmë procesin e hapjes së tyre tregon shumë për llojin e shoqërisë që kemi ndërtuar dhe për shoqërinë që duam të ndërtojmë.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML