Merkure, 07 Janar 2009 23:34:07

Lexoni versionin Print

Për atë që ka vetëm datë vdekje

Arben Kallamata
Shtune, 11 Tetor 2008 09:07:00

   

Nëse perversiteti i shoqërisë shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë do të mund të paraqitej me një kurbe grafike, pika kulmore do të binte padyshim në 11 Prill të vitit 1985. Deri në atë pikë çdo përsosje e perversitetit ka ardhur në rritje. Pas saj, pavarësisht nga përpjekjet, gjeneruesit e maskarallëkut duket se s’e patën më forcën e ideatorit dhe frymëzuesit të tyre për ta shtuar, ose të paktën, ruajtur intensitetin.

Pikërisht rreth kësaj pike, rreth ndodhjes, ose shpalljes së vdekjes së kryepervertit ka gjetur Pëllumb Kulla t’i vendosë ngjarjet e romanit të tij të fundit “Vdekja e Enver Hoxhës”.

Te “Vdekja e Enver Hoxhës” Kulla tregohet analitik, i pamëshirshëm, i mprehtë dhe thuajse i paarritshëm në shkallën e humorit. Libri hapet me një grimjer kinostudioje që, krejt papritur, thirret për një shërbim të pazakontë: makjimin e fytyrës së udhëheqësit të vdekur, vdekja e të cilit nuk është shpallur ende dhe s’dihet se kur, ose nëse do të shpallet (ndonjeherë). Nga kinostudioja, në periferi të Tiranës, bashkë me grimierin, lexuesi dërgohet drejt e në qendrën e thurrjes së intrigës kombëtare, në vilën e Hoxhave, pranë një kufome që s’duan ta lënë të dekompozohet.Këtu fillon loja. Betimi, grimier, ndodhet në një situatë sa të frikshme, aq edhe komike. Ai përpiqet të marrë vesh se kush e luan topin, kush është komandant dhe kush është ushtar. Njerëz që, deri pak çaste më parë kanë qënë gati t’i bijen me shkelm, tani i servilosen. Dikush tjetër i sillet me njerëzillëk, gati edhe i lutet, por edhe e kërcënon se do ta zhdukë me soj e sorrollop. Por, mbi të gjithë, në atë bodrum kallkan intrigash mbretëron padiskutim ajo, shtriga me rroba të zeza – kalkuluese, gjakftohtë, e prerë, e qartë në atë që do të arrijë. Udhëheqësi ka vdekur, por s’duhet të vdekur. Të gjithë duhet të përgatiten, asnjeri s’duhet ta marrë vesh. Duhet organizuar me dinjitet varrimi, ndërkohë që duhet t’i mbyllen shtigjet thashethemeve për vdekjen dhe, sidomos, ndonjë rrëmuje apo, largqoftë, trazire që mund të ndodhë nga hutimi. Në veprim është vënë e gjithë makineria propagandistike e një shteti supergënjeshtar, që nga lajmet e rreme, deri te përdorimi i sozisë. Nuk ka asnjë shenjë ndershmëri, asnjë gjurmë skrupulli, asnjë hije ndërgjegjeje.

Më tutje Kulla e hap lojën jashtë kryeqytetit, në një rreth të jugut, ku duhet përgatitur vajtimi për vdekjen e mundshme të udhëheqësit, për të cilin është thënë se s’ka vdekje, por që në fakt ka vdekur dhe që asnjeri nuk duhet ta dijë se ka vdekur, derisa t’i shpallet zyrtarisht vdekja, gjë që do të bëhet vetëm kur të jenë marrë masat e sigurisë e të jetë përgatitur nderimi si duhet i vdekjes nga njerëz që nuk duhet ta dijnë se ajo ka ndodhur.... Eshtë një terren ku Pëllumb Kulla ndjehet më mirë se kudo dhe pena e tij rrjedh lirshëm, duke të ngacmuar humorin, ndezur fantazinë dhe, njëkohësisht duke të bërë të mendohesh e, ndoshta edhe t’i bijesh kokës me grushte. Por mbi të gjitha, eshtë një operim mbi realen, mbi diçka që ka ndodhur, ose mund të ketë ndodhur vërtet, mbi ngjarje të cilat, për ata që e kanë jetuar vitin 1985 nuk kanë asgjë të tepruar. Njerëzit në rrethin jugor nuk marrin vesh ç’bëhet: Sekretari i Parë i Partisë për rrethin iu thotë të përgatiten për vdekjen e Enver Hoxhës që sipas tij nuk ka vdekur, ndërkohë që ataqë duhet të përgatiten janë të bindur që Hoxha nuk vdes kurrë. Ta dëgjojnë sekretarin, apo të dyshojnë se është ndonjë komplot armiqësor kundër udhëheqësit? Dyshues, të trembur, i drejtohen Degës së Punëve të Brendëshme, ku kryetari i Degës del se mbështet Sekretarin. A i qetëson njerëzit kjo? Në asnjë mënyrë. Sepse, s’është fare çudi që si Sekretari i Parë, ashtu edhe kryetari i Degës të jenë pjesë e Komplotit. Këta njerëz kanë parë Ministra të Brendshëm, Kryeministra, e çfarëdolloj rangu që të dalë komplotist, jo më një Sekretar Partije, apo një Kryetar Dege rrethi. Puna arrin deri atje sa nevojitet zëri i regjistruar i Nexhmijes për të bindur njerëzit që të fillojnë përgatitjen për vajin. Mirë, po sipas mësimeve të Enverit, kushdo mund të jetë komplotist. Dilema këtu arrin në caqet e dhimbjes. Në përfytyrimet e njerëzve të vitit 1985 ishte më e mundshme, të qe komplotiste Nexhmija, se sa të kish vdekur Enveri!

Çoroditja me hierarkinë e pushtetit në një shtet që nuk respekton as ligje dhe as rregulla vazhdon në pjesën e dytë, pasi është shpallur vdekja dhe eunukët e Byrosë Politikë i nënshtrohen grimimit për t’u paraqitur sa më të lodhur e të dërrmuar nga goditja e rëndë. Aty grimieri mëson se të gjithë, duke përfshirë edhe atë që do të bëhet Sekretar i Parë i KQ të Partisë, janë kukulla në duart e Nexhmije Hoxhës dhe kamzhikmbajtësit të saj, të cilin nuk e di përse, po Kulla e ka paraqitur me pseudonim. Në fakt, Pellumbi përdor vetëm dy emra realë në roman, Enver dhe Nexhmije Hoxha. Kjo është bërë ndoshta me qëllim për të thënë se ata të dy janë gjeneruesit e çorbës së perversitetit, të tjerët janë thjesht pjesë përbërëse të saj.

Meritë të veçantë për Pëllumb Kullën në romanin “Vdekja e Enver Hoxhës” përbën edhe fakti që ai nuk bën asnjë përpjekje për të nxjerrë heronj. Një situatë aq perverte nuk ka pasur dhe nuk kishte mundësi të kishte heronj. As libri i Kullës, pra nuk ka heronj. Nuk ka asnjë që përpiqet të kundërshtojë apo t’i përballë atij absurditeti malinj që ka përfshirë shoqërinë. Me përjashtim, ndoshta, të Kujtimit, një djaloshi që po kalbet birucave të burgut, dhe që e mban kokën lart e moralin të pacënuar jo ngaqë arrin të kuptojë thellë se ç’ndodh rreth tij, jo ngaqë kërkon të ndryshojë ndonjë gjë, jo ngaqë shpreson te e ardhmja, por thjesht ngaqë është rritur dhe edukuar me norma morale të shëndosha, të cilat, për arsye të rrethanave, s’ka arritur t’ia shtrembërojë kush. Veç tij, i madh e i vogël, nga qendra deri në rrethe, nga maja deri në fund, nga blloku deri te birucat e burgjeve, të gjithë vërtiten në vorbullën e qelbësirllëkut të madh, të cilin Nexhmije Hoxha bën ç’është e mundur ta mbajë në vlim gjatë gjithë kohës, edhe pas vdekjes së kryekuzhinjerit.

Lufta për konformizëm, përpjekja për të qënë brenda sido që të vijë puna, frika se mos dikush po përpiqet të të godasë kur s’e ke mendjen, syçeltësia hipokrite e një turme njerëzish të verbër, të gjitha këto krijojnë situata komike e tragjike përgjatë romanit. Edhe pasi është shpallur vdekja e Enver Hoxhës njerëzit kanë frikë të flasin, madje kanë frikë edhe të dëgjojnë. Ata shohin me dyshim çdo veprim të të tjerëve përreth. Nëse unë e dëgjoj diçka që s’duhet të ishte thënë, atëherë duhet ta raportoj, sepse ajo mund të jetë thënë me qëllim provokimi. Po ta raportoj, dhe të mos jetë thënë me qëllim provokimi, marr në qafë atë që e ka thënë. Po të jetë thënë me qëllim provokimi dhe të mos e raportoj, atëherë marr më qafë veten time. Më mirë ta raportoj dhe të shpëtoj bythën time. Qarqe të tillë arsyetimi vërtiten e mpleksen në të gjithë librin e Kullës, duke shpalosur një sistem të ndyrë, pervers, shoqëror që nxit parreshtur spiunimin, kallëzimin për vetëmbrojtje ose përfitime të vogla, dyshimin për këdo dhe për gjithçka, humbjen e çdo vlere njerëzore.

Aq në ekstrem shkon kjo fligshti kolektive e dirigjuar nga të vetmit personazhe me emra të vërtetë në roman, saqë, në shenjë zije për vdekjen e Enver Hoxhës, një qytet i tërë vendos të heqë dorë për një afat pa fund nga gazi dhe hareja. Njerëzit kanë frikë të thyejnë akullin të parët, dhe rrijnë squkur, duke pritur atë që do të guxojë të lëvizë i pari. Edhe në këtë rast, Kulla ka kurajon intelektuale dhe qytetare të shohë se siai që ngrihet për të thyer akullin nuk është ndonjë i persekutuar politik, as ndonjë ish-pronar apo tregëtar, por një nga njerëzit më të devotshëm të regjimit.

Çdo qytetar shqiptar që e ka jetuar komunizmin e ka për detyrë morale ndaj brezave pasardhës që tëdëshmojë ndershmërisht për natyrën e atij sistemi. Secili prej nesh e ka për detyrë morale të pranojë se kemi jetuar mes një pisllëku të skajshëm kolektiv, prej të cilit askush nuk mund të dalë i panjollosur. Vetëm duke pranuar perversitetin e asaj kohe, mund të jemi në gjendje të kuptojmë se ç’ndodh me ne sot dhe të shpresojmë se dikur do të jemi në gjendje të ndryshojmë diçka. Me librin “Vdekja e Enver Hoxhës” Pëllumb Kulla e kryen në mënyrë të përsosur detyrën e tij morale si qytetar, intelektual e shkrimtar. Por, më tepër se kaq, ai realizon këtë nëpërmjet një arti të mirëfilltë, përmes një romani që lexohet gjithë qef dhe që mund të përpihet i tëri pa e lëshuar nga dora. Dhe, të mos harrojmë, është një libër që të bën të qeshësh në çdo faqe dhe, shpesh herë, edhe të mbash brinjët me dorë.

Do t’ua rekomandoja pa ngurrim të gjithëve, duke përfshirë edhe ish-anëtarëve të Byrosë Politike.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

  • Shkoderlocja: - 10-12-08
    Cdo gje krijohet dhe behet me vullnetin e ZOTIT.

    Pellumb Kulla pa tjeter eshte frymezuar nga historia e periudhes se diktatures.Frymezim qe i ka sjellur humor qe nuk e ve ne dyshim edhe pse nuk e njoh rromanin e tije letraro - satirik.Nuk jam simpatizant i Enverit.Ama faktet historike duhen marre ashtu sic eshte jetuar.Shqiperin e Zogut nuk njihesh ne arenen nderkombetare.Shqiperia cdo dite ishte ne prag te kaperdimjes nga fqinjet sllave dhe grek.Shqiperia jetonte me driten e pishes dhe te bishtukut 100 % te teritorit.Pallati i zogut kishte nji dum-dum per elektrifikim.Semundja vlonte ne shartimin e jeteve te njerezve per ne parajsen e pa sosun e te pa kethyeme.Rrjeti rrugore perfaqesohesh me rruge dhishe.Ne qytete rruge me gropa,kalldrem e gjitha per tranzit karrocash.Kalimet neper va behesh me trap.Populli jetonte ne kulmin e injorances mbi 90 % analfabet.E drejta e civile perfaqesohesh nga Beu.Ai kishte te drejt te zgjidhte pa frige vajzat me te bukura te fshatit.Te tjeret do te rrinin urte.Se aty vepronte Ligji dhe Maliqi.Bujqesia nga me te humburat e Evropes.Luften qe beri Enveri me idealin komunist ishte e hapur dhe e mbeshteti i gjithe populli pa dallim feje,krahine dhe ideje per clirimine vendit.Beri rreformen agrare.Qe e dhjeu me kooperativizimin jo vullnetar.Permiresoi dhe hapi shume rruge te reja dhe ura.Ndertoi fabrika,Uzina,Kombinate.Bonifikoi bujqesin,eleminoi te gjitha semundjet.Beri qe Shqiperia te njihesh anetare e Komeve te Bashkuara.I rrezistoi te gjitha fuqive dhe superfuqive boterore deri sa vdiq pa mujte me i hyre ferre ne kembe.C'ka mu ne zemer te Amerikes u shemben dy kullat te nji rendesie te pa krahasueshme ne gjithe globin.Shkurt ishte nji diktator i nji shteti shume te varfer,po i pa thyeshem,qofte nga faktori i brendshem si dhe nga ai i jashtem ne kordinim me te brendeshmin.Elektrifikoi gjithe shqiperine me ndertime te hidrocentraleve te nivelit botenor.Dhe sot ndriqojne Demokracin e Berishes dhe te Fazllicit.Arsimoi te gjithe popullin deri ne 6 vjec me shkrim e lexim.Diktatori me arsim te mesem i beri shqiptaret me universitet.Kuadrot e te cilit kan bere emer ne cdo kend te globit.Shkolla e diktatori me programe te lindjes nuk rrinte aspak mbrapa asaj te prendimit.Rraketat e shkolles se prendimit per tu ulur nga kozmosi ne toke behesh ne det.Ato te lindjes i afroshin ndihme per ti ulur ne cdo pike te globit,te sigurt shendosh e mire.Krijoj sigurimine shteti dhe ushtrine me nivel te fort.Ne bisede e siper,Molotovi i propozon Titos qe Shqiperin ta gelltisin si kur kethen nji gote uji ne germaz.Titoja i pergjigjet:Kete bejeni ju ,po jo une.Titoja ishte i zgjuar.E dinte, se aty vlonte gjaku i shqiptarit nga te gjitha trojet etnike me nji shqiperi te armatosur mbas miri per kohen.Diktatori nuk sulmonte asnji shtet vetem brohesh.Kur sote ne shqiperi hyne bytha e dreqit pa u marr vesht.Ku Sllobodani do ta merrte me shoqate gjuetaresh.Vete autori i romanit tregon se populli priste me dhimje vdekjen e Enverit.Cka per momentin tregonte dashuri.Une do te tregoj nji bisede te vertet ne mes te nji prifti te persekutuar dhe nji qytetar te zakonshem.Qytetari i thot,Priftit:Jetn e ka krijue Zoti dhe cdo gje qe behet mbi kete bote, behet me vudhnesen e tije.Keshtu qe dhe njeriut ia shkruan ne diten e lindjes komplet jeten e tije.Pra nuk duhet te mendojme aq keq per Enverin,mbasi asht krijes e vete Zotit qe ia ka dhane kete aftesi ne tru.Zoti ia ka shkruar qe te krijoje partin komuniste,te luftojne fene,te mbyllin kisha e xhamia,dhe diten e 15 prillit 1979,Zoti do te qonte nji termet te fuqishem,qe po ti zente neper shtepia njerezin duke festuar Pashket do bente kerdin e vdekjeve.Keshtu qe Enveri i nexorri te gjithe ne fushe.Termeti groposi jo ma shume se sa nji skode duke u ulur nga Dukagjin nga e cila vdiqen 35 vete,pra baraz me termetin.I kujtova se ne gjithe shqiperin e sa per shkodren jam deshmitar qe plot nji jave kemi patur mot me shi me nji vranesim aspak te kendshem.C,ka kuptohet se dhe Zoti po e vajton.Prifti i persekutuar megjithese ndenji ne heshtje u detyrua ta miratoje me buzqeshje.

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML