Enjte, 08 Janar 2009 00:36:25

Lexoni versionin Print

Mafia këmbëkryq

“Damir Fazliç” është argumenti më i fundit për atë që përflitet prej kohësh: Segmente të mafies po i shfrytëzojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, për të përfituar ekonomikisht nëpërmjet kapjes së shteteve përkatëse.

Bashkim Muça
Shtune, 11 Tetor 2008 09:09:00

“Damir Fazliç” është argumenti më i fundit për atë që përflitet prej kohësh: Segmente të mafies po i shfrytëzojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, për të përfituar ekonomikisht nëpërmjet kapjes së shteteve përkatëse.

Duke spekuluar me ndikimin e madh të SHBA-së në vende të tilla (aq sa është krijuar përshtypja se qeveritë i vënë dhe i rrëzojnë amerikanët, jo votuesit) individë mafiozë arrijnë të realizojnë transferta, në shuma të mëdha, e të përfitojnë prej tyre, në këmbim të sigurimit të ndonjë takimi, apo mbështetjeje fasadë, të qeveritarëve të këtyre vendeve me, apo nga, politikanë e institucione amerikane.

Një 33-vjeçar, boshnjako-serb, i quajtur Damir Fazliç, i kontraktuar nga Kompania e njohur amerikane BG&R, si specialist për fushatën elektorale të PD-së, gjatë vitit 2005, paska arritur, në bashkëpunim me Lulzim Bashën, njërin prej ministrave të qeverisë Berisha, të bëjë një mal me para në fare pak kohë.

Në gjithë këtë histori, që është në fakt vetëm njëra prej historive marramendëse të korrupsionit në Shqipëri, janë të përfshirë, e bija e kryeministrit, Argita; kunati i ministrit Lulzim Basha që është administratori i disa kompanive të boshnjakut; si dhe një grup personash që rezultojnë se janë kolegë, kushërinj apo nipër të Berishës e Bashës, e që shërbejnë si ekspertë ekonomikë, noterë, përkthyes të letrave të kompanisë etj.

Për të kuptuar mënyrën se si kanë funksionuar gjërat në këtë histori mjafton të marrësh në konsiderate aktet e themelimit të kompanive dhe operacionet e tyre jashtë organeve tatimore shqiptare.

Kryeministri Sali Berisha nuk ka qenë në gjendje të mohojë asnjë prej këtyre fakteve, as miqësinë e tij me Fazliç. Ndërsa boshnjaku, duke folur fillimisht nga skutat e Londrës, pastaj në studion e njërit prej kanaleve televizive shqiptare, në Tiranë, i thirrur posaçërisht (një veprim tipik mafioz, e një njeriu që demonstron forcë pushteti në një vend të huaj!), ka pohuar miqësinë me kryeministrin, ministrin e Jashtëm Lul Basha, ish- ministrin Fatmir Mediu (sa shpejt bëhen miqtë!), si dhe bashkëpunimin e tij me vajzën e “shefit” dhe kunatin e “shokut Xhemal”.

Në shfaqjen e tij të fundit, në parlament, Berisha ka përdorur sulmin si mjet për t’u mbrojtur. Ai kërcënoi opozitën duke lënë të kuptohet se disponon video dhe foto ku vërtetohet korrupsioni i drejtuesve të saj. Një skandal më vete ky, po të mendosh se një kryeministër, që çdo ditë, nëpërmjet një spoti të paguar kushedi sesa, ju bën thirrje qytetarëve të denoncojnë korrupsionin me SMS në celularin e tij, ka në dorë dosje korrupsioni dhe nuk operon.

Me faktet që, deri tani, kemi përpara, nuk mund të përjashtosh se ekziston një lidhje e koordinuar midis Rrugës Durrës-Kukës, Gërdecit dhe fenomenit Fazliç. Periudha e gjetjes së kontraktorëve për rrugën përkon me institucionalizimin e fshehtë të Fazliç, ndërsa periudha e shitjes së kompanisë, në verën e vitit 2007, koincidon me fillimin e aktivitetit të demontimit të municioneve, ku për të rritur jashtëligjshëm çmimin e shitjes së fishekëve kinezë, u fut si ndërmjetëse një kompani nga Qipro. Të gjitha këto afera lëvizin brenda trekëndëshit (Berisha) - (Basha & Mediu) - (Fazlliç).

Nuk është hera e parë që flitet për ekzistencën ose jo të Mafies në Shqipëri. Në kohën e Fatos Nanos vendi qe kapur nga monopolet dhe korrupsioni, ndërsa vetë kryeministri ishte zhytur në gjëra qejfi, makina, kazino, e shëtitje pafund, të sponsorizuara nga biznese të favorizuara.

Shqiptarët e përzunë nga pushteti kryeministrin “e vuajtur” socialist, pa kuptuar mirë nivelin e kapjes së shtetit. Në rastin e Sali Berishës kemi një oligarki të organizuar më mirë, nga e cila kalon çdo investim strategjik me përmasa të mëdha. Kemi të bëjmë me elementë klasikë të thurjes së një rrjeti mafioz, që ka kapur të paktën dy kolonat më të rëndësishme të shtetit: qeverinë (kryeministri dhe disa ministra) dhe parlamentin (nëpërmjet shantazhit me dosje korrupsioni, ligjin për spiunët etj). Veprimet mafioze të kësaj kupole, po kërkohet të mbulohen me propagandë fallco të luftës kundër korrupsionit, duke shfrytëzuar disa përparime në sistemin fiskal, shtuar disa investime në infrastrukturë, si dhe disa arrestime zyrtarësh të parëndësishëm në administratë.

Në gjithë këtë degradim, drejtësia është i vetmi pushtet tek i cili mund të shpresohet. Në të kundërt, nëse rrjeti do lejohet të përforcohet, nuk është çudi që viktima e parë të jetë vetë drejtësia dhe Shqipëria të përjetojë zhvillime të ngjashme me disa vende ku lufta mes shtetit dhe mafies u shoqërua me një seri vrasjesh, që përfshinë zyrtarë, prokurorë dhe gjykatës.

Fakti që kjo gjë nuk ka ndodhur deri më sot në Shqipëri nuk do të thotë se krimi ka qenë i butë, por sepse shteti ka qenë i tillë si është, dhe sepse drejtësia nuk ka ekzistuar. Sa kohë që krimi ka pasur shtrat të lirë për të vepruar, nuk kanë ekzistuar arsye që ai të lajë hesape me politikanë, prokurorë, gjyqtarë apo edhe gazetarë.

Me sa duket detyra kryesore e Sali Berishës deri në zgjedhjet e vitit 2009, do të jetë, jo qeverisja, por mbulimi me çdo kusht i aferave të mëdha korruptive të rrethit të tij. Ndërkohë, shqiptarët votues duhet ta kuptojnë mirë se qeveritë, në këtë vend, ikin dhe vijnë vetëm me votën e tyre, e në asnjë mënyrë tjetër.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML