“DOSJA FALLIC”
Nëse tenton ta marrësh në telefon, nuk përgjigjet. Kur kërkon t’i flasësh si gazetar, mbyll celularin. Pastaj dërgon një përgënjeshtrim dhe të lutet ta botosh. Por ato që nuk i thotë me gojë, i derdh në internet. Si në “facebook”, p.sh, ku i shumëpërfoluri ditët e fundit, Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës, shkruan. “Erion Isufi is feeling VIP lately” (Erion Isufi po ndjehet VIP kohët e fundit). Fraza është shkruar te faqja e tij në “facebook”, 18 orë para mesditës së djeshme, pra rreth orës 17.00 të ditës së premte dhe tregon paksa gjendjen shpirtërore të djaloshit, që prej ditësh mbush faqet e gazeta me pozicionin e tij si ish-bashkëpunëtor i Damir Fazlliç
Në faqen online duket një djalë i qetë dhe i shëtitur. I interesuar për histori, ekonomi, politikë, sport; ka shokë si princ Leka, zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, Sokol Nano, djali i ish-kryeministrit Fatos Nano, shumë holandezë, apo studentë shqiptarë nëpër botë; pëlqen muzikën e “Metallica”, apo Snoop Doggy Dog, “vdes” për filmin “Kumbari” ku Marlon Brando luan kryemafiozin; në rangun e politikanëve vë të parin, figurën e kandidatit republikan për Shtëpinë e Bardhë John McCain, pastaj vë kryetarin e PD-së Sali Berisha dhe Nënë Terezën si figurë publike. Është tifoz i çmendur për “portokallinjtë” dhe në albumin e vet ka një foto me legjendën e futbollit holandez, Marko Van Basten.
Berisha është vënë dy muaj më parë dhe fotoja është marrë nga faqja online e Këshillit të Ministrave, pikërisht më 25 shtator 2008, kur ai i bashkohet grupit si mbështetës i kryeministrit. Ndërsa McCain shoqërohet në foto nga Sarah Palin, guvernatorja e Alaskës. Është një republikan i thekur. “Po ai është burrë” - komenton më 4 tetor 2008, foton ku John MacCain pozon se bashku me këshilltarin e Berishës, Neritan Sejamini, pra vetëm katër ditë para se të bëhej emri më i lakuar në media, pas ortakut të vet serbo-boshnjak, Damir Fazlliç.
Pozicionohet qartë edhe kundër kryetarit të bashkisë së Tiranës, dhe PS-së Edi Rama, duke iu bashkuar më 29 shtator “kauzës” “Të mbrojmë Parkun e Liqenit nga pallatizimi i Bashkisë Tiranë”, por edhe është patriot, duke iu bashkuar më 9 tetor, në kulmin e debateve për ish-ortakun e vet serbo-boshnjak, kauzës “Pavarësia e Kosovës”. Pushimet i bën nga bregdeti ynë te lartësia 3000 metra në Alpe, apo në Romë.
Më 7 tetor, ai u kërkon mediave që të botojnë një deklaratë, ku mohon se ka qenë bashkëpunëtor i supermafiozit Damir Fazlliç, duke theksuar se: “"Unë nuk kam ushtruar asnjë aktivitet ekonomik të përbashkët me z.Fazlliç, dhe nuk kam qenë asnjëherë partner, ose ortak me të. Isufi e pranon se ka punuar vetëm si administrator i kompanise “SRF Developments”, por edhe ajo sipas tij nuk ka kryer asnjë aktivitet ekonomik gjatë kohës që ai ka ushtruar këtë detyrë. "Dy kompanitë e tjera, “Virtu Acquisitions” dhe “Crown Acquisitions” nuk jane bërë asnjëherë aktive dhe nuk kanë kryer asnjë aktivitet ekonomik gjatë kohës që unë kam qenë administrator", deklaronte kunati i Bashës, duke thënë se nga pozicioni i administratorit ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme përkatësisht në 30 dhjetor 2006 për “V.A.” dhe “C.A.”, dhe në 20 mars të vitit 2007 për kompaninë “SRF Developments”.
Nuk mbyllen me kaq bizneset e Isufit. Në një forum tjetër, ai shfaqet si administrator i një firme tjetër, e cila merret me prodhime këpucësh dhe tekstili dhe që ka një dyqan luksoz edhe në autostradën Tiranë-Durrës.