Enjte, 08 Janar 2009 01:20:47

Lexoni versionin Print

Nga tenderi në tender...

Janë të shumta rastet kur mediat apo individë të interesuar për fatin e bizneseve të tyre, kanë denoncuar mungesën e transparencës në prokurimet publike. Ky ka qenë dhe mbetet një nga realitetet më të vështira në këto vite të tranzicionit.

Nga Vangjush Saro
Diel, 12 Tetor 2008 08:43:00

Janë të shumta rastet kur mediat apo individë të interesuar për fatin e bizneseve të tyre, kanë denoncuar mungesën e transparencës në prokurimet publike. Ky ka qenë dhe mbetet një nga realitetet më të vështira në këto vite të tranzicionit. Publiku i gjerë ka parë se si tenderat janë “organizuar” pasi ka përfunduar gjithçka, pra janë vjedhur (po e themi butë, pjesërisht) paratë e taksapaguesve dhe është katranosur rruga apo ndërtimi, për të cilin tenderi bëhet pastaj formalisht.

Ka ndodhur madje që pjesëmarrësve iu shpërndahen para, sigurisht për të mbyllur gojën. E njëjta gjë ndodh me shumë procedura për emërimin e specialistëve. “I emëruari” gjen nja dy miq që “të konkurrojnë” me të dhe kaq. Mungesa e transparencës, “shpërblimi” i bizneseve dhe i individëve pranë qeverisë apo njerëzve të pushtetit, është diçka e dukshme; për më tepër, koncepti i ndëshkimit - edhe për abuzimet e verifikuara - pothuaj nuk ekziston. E megjithatë, qoftë edhe problemet teknike, të themi përgatitja për një pjesëmarrje korrekte në këto prokurime-stërmundime, është po kaq e vështirë dhe shkurajuese.

Së fundmi, kryeministri dhe qeveria e tij, kanë deklaruar se pas 1 janarit të vitit 2009, të gjitha prokurimet publike do të jenë elektronike. Ndërkohë, sipas shumë ekspertëve, në kushtet që ndodhet sistemi i prokurimeve publike, kjo është e pamundur. Pas këtij 1 janari, mund të ketë jo probleme, por një kolaps të vërtetë. Ndërkaq, shumë organizata biznesi kanë kërkuar reduktimin e procedurave dhe të dokumentacionit të nevojshëm për të marrë pjesë në prokurimet publike. Janë formuluar tashmë një sërë shqetësimesh për të ardhmen e prokurimeve publike. Qeveria ka siguruar se shtrirja e shërbimit on-line në të gjitha prokurimet publike, do të përbëjë një proces transparentdhe që... i sjell buxhetit të shtetit rritjen me 15 për qind të kursimeve nga fondi limit i prokurimeve.

Kohët e fundit, ne shqiptarët po luajmë kukafshehthi me numrat dhe përqindjet. E gjithë kjo, është pjesë e një strategjie-demagogji, që tani po parathotë mjaft gjëra edhe për fushatën e ardhshme elektorale. Gjithsesi, duhet përsëritur se problematika teknike është një gjë që ia vlen të diskutohet; aktualisht, bizneset kërkojnë rregulla më të thjeshta, lidhur me pjesëmarrjen në tenderët dhe prokurimet e tjera elektronike.

Nuk është ndonjë gjë e re të thuhet se subjektet private detyrohen të përgatisin disa qindra faqe dokumente për të konkurruar në tenderët publikë. (Po e lemë mënjanë se ç’ndodh konkretisht në dhjetra “gara” që mund të quhen të tilla sa për sy e faqe dhe ku paratë e taksapaguesve shqiptarë thithen nga gropa e zezë e korrupsionit.) Sot përfaqësuesit e biznesit po apelojnë me të drejtë që në pjesëmarrjen e kompanive në prokurimet publike, të fitojë status vetëdeklarimi, çka do të thjeshtonte shumë nga dokumentet që kërkohen prej autoriteteve kontraktuese. Po ashtu, ata kërkojnë që në vend të bilanceve për tre vitet e fundit, të paraqitet vetëm xhiroja vjetore e kompanisë.

E njëjta gjë mund të thuhet për kërkesat e lodhshme që kanë të bëjnë me pasqyrat e sigurimeve shoqërore për të gjithë punonjësit apo edhe borderotë e kompanive. Më tej, asgjë nuk i pengon autoritetet kontraktuese të kenë një sallë ofertash, ku gjithçka të shpaloset në një monitor. Po kaq e rëndësishme dhe në kohë, është edhe kërkesa për dhënien e bonusit për produktet vendase të certifikuara. Nga ekspertët, koha kur pritet të zbatohet (vetëm) mënyra elektronike për të gjitha prokurimet (1 janari i vitit 2009), cilësohet mjaft kritike. Sistemi aktual i prokurimeve, duhet rikonceptuar, por kjo lyp investime të konsiderueshme.

Në qendër të shqetësimeve të organizatave të biznesit, është sot edhe vetë Ligji i Prokurimeve. Fakti që vetëm përgjatë një viti, ai është amenduar disa herë, tregon se ka vend për ndryshime dhe përmirësime. Thuhet se aktualisht ka filluar rishikimi i këtij ligji. Sigurisht, kjo është një praktikë e njohur tashmë në vite. Investohet për të bërë ligje, por zbatimi i tyre shndërrohet në një pikëpyetje përvëluese. Ashtu si në shumë tema të tjera, kemi të bëjmë me një rreth vicioz, të cilin gjithashtu e kanë vizatuar interesat e pjesshme dhe prirja për përfitime të pandershme.

Ka vite që me tenderat “luhen filma” dhe ndodhin histori nga më të çuditshmet. Edhe vetë ropatjet për të sjellë ndryshime në këtë temë, duken shumë të ngjashme me vrapimet nga njëri tender tek tjetri. Për të kuptuar pak a shumë se çfarë duhet të ndryshojë në të vërtetë, mund të kujtojmë një thënie korrekte të Ajnshtajnit: “Nuk mund të zgjidhet një problem me të njëjtin mentalitet që e ka krijuar atë.”


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML