Emri dhe fotot bust të njeriut me syze, Damir Fazllicc, u shfaqën kohë më parë në shtyp derisa erdhi dita që ai, si në një tele-aksion me metrazh të shkurtër, shfaqet në Rinas ku ndalon pak dhe dikush i thotë se nga duhet të kalojë, pastaj ecja e tij e shpejtë dhe një polic kokëqethur e me syze të errëta që e ndjek pas. Pas kësaj intervista në TV Klan. Më pas një foto tjetër ku ai merr në pyetje zyrtarwt tanw tw lartw dhe interesohet për fatin e sigurisë kombëtare shqiptare. Gjithçka si në një film.
Po t’i referohemi rrëfimit të Fazlliç në TV Klan, mësojmë se aty nga viti 2004 një mik i përbashkët kroat lidh serbo-boshnjakun Damir Fazlliç me liderin e opozitës me origjinë nga Tropoja, Sali Berisha. Kjo lidhje po na qenkësh kaq e fortë saqë, nga ai çast, pra si në dashurinë me vështrim të parë, lindi një pasion ashtu si në romanet amerikano-latinë që kthehen në telenovela të gjata që shfaqen pastaj në TV-të shqiptare me çmim të lirë.
Damir Fazlliç, gati na bie në dashuri dhe lë biznesin e punët e tjera e punon që Berisha, të vijë në pushtet. Vetëm tani, pas tre vjetësh e gjysmë ne po mësojmë se Sali Berisha u rizgjodh jo pse konkurroi dhe paraqiti një program më të mirë se kundërshtarët e atëhershëm, por sepse Damir Fazlliç, serbo-boshnjaku që kishte ardhur në Shqipëri që më 2004, paskësh vënë re se Shqipërinë e drejtonte një klasë e korruptuar politikanësh, se Shqipëria po shkonte tatëpjetë dhe për këtë kishte vendosur që të ndihmonte jo veten e tij, as origjinën e tij, por popullin shqiptar, duke i dhënë një dorë S.Berishës.
Nga ajo që ai rrëfeu atë ditë në TV Klan, ne të gjithë duhet të bindemi se fati i Shqipërisë qenka në dorë të Damir Fazlliç, se në Shqipëri nuk ndërrohen qeveritë, nuk bëhen zgjedhje, se mjafton të mërzitet Damir Fazlliç, pra mjafton që ai të bindet se ky vend nuk ecën dhe menjëherë në Shqipëri nis koha për ndryshim.
Kjo ishte përshtypja e parë ose mesazhi i parë që na dha Damir Fazlliç nga ekrani i TV Klan. Në fakt, po ta vije re me kujdes atë debat, do të shihje se moderatori Fevziu ishte me vështrim gati përpinjës, sikur donte ta përfshinte Damir Fazlliçin me gjithë syze, ndërsa ky i fundit mbante një vështrim të brendshëm, që dukej sikur e shtynte vështrimin e Fevziut. Nga pikëpamja fenomenologjike, me siguri, kjo shpjegon ngutin e të parit për të nxjerrë sa më shumë dhe vendosmërinë e të dytit për t’i kthyer mbrapsht ato që i vinin në formë pyetjeje.
Le të ecim më tej. Damir Fazlliç nuk e mohoi që kishte në Shqipëri disa kompani, që i kishte regjistruar shpejt e shpejt me dy kacidhe pas ardhjes në pushtet të Berishës (ose po të kemi parasysh atë që la të nënkuptohej ai, ose karakterin inferencial të mesazheve të tij, pasi “ai e kishte sjellë në pushtet Sali Berishën”.)
Ai pohoi se vajza e Sali Berishës kishte ndihmuar dhe punuar për llogari të bizneseve të tij, se Lulëzim Bashën e kishte më shumë se mik, se kunati i tij kishte punuar me të dhe pastaj ishte larguar për të ndjekur bizneset e tij etj.
Meriton të diskutohet këtu është edhe një tjetër çështje. Për herë të parë ne po ballafaqohemi me një dukuri të padëgjuar më parë. Për shkak të tragjizmit historik, shqiptarët dhe serbët e kanë projektuar njëri-tjetrin si armiq ose nuk e pranojnë njëri-tjetrin. Pavarësia e Kosovës sapo është shpallur dhe Serbia këtë situatë e ka përjetuar sikur asaj i është shqitur nga trupi një territor dhe jo një territor çfarëdo, por djepi i saj i qytetërimit- Kosova, siç pretendon ajo. Për këtë arsye serbë e shqiptarë ende nuk mund ta shohin njëri-tjetrin pa këtë kompleks historik që do të vazhdojë të rëndojë mbi ta edhe për një kohë të gjatë.
Pra “fenomeni Damir Fazlliç” nuk ka vlerë vetwm për akuzat pa fund që mbart. Vlera e këtij videoklipi, siç e thashë që në fillim, është se për herë të parë një politikan që ka ardhur në politikën shqiptare edhe si mbajtës i frymëzimit nacional-romantik të shqiptarizmit, shpall se ka ardhur në pushtet me ndihmën e Damir Fazlliç. Po ashtu, serbo-boshnjaku Damir Fazlliç shpall se ka mikun më të mirë në Ballkan Sali Berishën dhe për ta sjellë atë në pushtet dhe për të shpëtuar Shqipërinë nga komunistët dhe korrupsioni, ai la punën, biznesin dhe solli gati gjysmën e Amerikës këtu që të bindeshin aleatët se Sali Berisha duhet të vinte në pushtet.
Kjo paradigmë e re hedh në erë në fakt gjithë antinomitë historike ku serbi, shkau, udbashi, Milosheviçi, etj., na dalin befas se nuk janë më, e keqja tragjike e fatit tonë historik. Ose koha ka rrjedhur aq shpejt sa që kjo mitologji që shqiptarët kanë ende në mendje dhe në tekstet e historisë na u bë papandehur kaq e largët sa Damir Fazlliç ngjan me një Piter Pan ballkanik më shumë sesa me një serbo-boshnjak. Paralelet që mund të ngrihen në këtë rast për ndërhyrjen e jugosllavëve në punët e komunistëve shqiptarë të Enver Hoxhës dhe ndihma ekstradashurore e Damirit për Saliun mund të interpretohen në disa mënyra. Berisha na kërcënoi të gjithëve dhe tha se mund të na e sjellë Damir Fazlliçin edhe në Parlament.
Damir Fazlliçi kur përmendi profesorin e tij dhe fabulën me derrin tha se një derr nga ne na e ka shkaktuar gjithë këtë ngatërresë. E thënë ndryshe, dikush na tradhtoi. Ne të gjithë po shohim spektaklin që na jep këtë mesazh: sot, ju që po gëzoni ditë pa korrupsion, ju që kini qeverinë më të pakorruptueshme në botë, ju që po arrini nga një fitore në tjetrën, ju që udhëhiqeni nga Sali Berisha, duhet ta dini, se për të gjitha këto vendos unë, Damir Fazlliç. Dhe të gjithë këtë e bëj jo për para ( më gjeni një copë letër ku të kem marrë një centim nga paratë tuaja – i tha ai Fevziut), por ngaqë e dua Shqipërinë dhe ngaqë e dua edhe Sali Berishën.
Ndaj akuzat për mashtrim apo pastrim parash që i bëhen Damir Fazlliçit është mirë që të vërtetohen nga prokuroria. Ajo që u vërtetua nga videoklipi që sapo pamë është se fatin e demokracisë shqiptare e paska në dorë “i dashtuni” i Sali Berishës, serbo-boshnjaku me pasaportë anglo-amerikane, Damir Fazlliç.