Premte, 21 Nentor 2008 22:29:48

Lexoni versionin Print

Itali, rilindja e racizmit

Italia. Vendi i poetëve, piktorëve dhe fetarëve, i konsideruar si "kopshti i Europës" gjatë Rilindjes; një komb plot me histori, kulturë dhe humanizëm. Vazhdon të jetë "Amerika" jonë, një pikë referimi, një qëllim për shumë prej nesh, një ëndërr e realizuar për pothuajse gjysmë milioni shqiptarësh.

Nga Elton Xhanari
Hene, 13 Tetor 2008 08:57:00

 

Italia. Vendi i poetëve, piktorëve dhe fetarëve, i konsideruar si "kopshti i Europës" gjatë Rilindjes; një komb plot me histori, kulturë dhe humanizëm. Vazhdon të jetë "Amerika" jonë, një pikë referimi, një qëllim për shumë prej nesh, një ëndërr e realizuar për pothuajse gjysmë milioni shqiptarësh.

Në imagjinatën kolektive, italianët konsiderohen ata "të mirët": popull që na nxori nga telashet në mjaft raste, burra dhe gra të aftë për të buzëqeshur, dhe për të çuar paqen kudo pa pasur nevojë të qëllojnë, si në Shqipëri (1997), dhe në Kosovë (akoma sot).

Atëherë shumë pyesin veten nëse spikerat e edicioneve të lajmeve kanë gabuar komb kur shpallin një rritje mbresëlënëse të dhunës me sfond racist. Janë numrat, si zakonisht, ata që përshkruajnë më mirë masën e fenomenit: në dy muajt e fundit, janë regjistruar 8 vrasje dhe dhjetëra agresione. Flitet gjithmonë e më shumë për një valë të re racizmi, dhe vëzhguesit më të kujdesshëm, u tremben pasojave sepse, nëse u deklarohet luftë emigrantëve, ndonjë reagim nga ana e tyre, duhet me doemos ta presësh.

Historitë që do ju tregoj, përmbajnë në vetvete dhunë private dhe publike: viktimat ndryshojnë nga shtresa sociale dhe nga mosha, por kanë të përbashkët ngjyrën e lëkurës (jo të bardhë). Eshtë një shenjë e pagabueshme që i bën të jenë "ndryshe", dhe si pasojë "armiq" për ata që nuk arrijnë t’i pranojnë, të verbuar nga injoranca dhe frika.

...Amina Sheik dhe droga imagjinare...

Romë. Amina është një grua somaleze në moshë të mesme. E martuar me një inspektor taksash të punësuar në Ministrinë e Financave, jeton prej 20 vitesh në Itali, dhe kurrë nuk do ta kishe imagjinuar një aventurë të tillë. Sapo është kthyer nga Londra me katër nipat e saj, por në aeroportin e Fiumiçinos, e pret një surprizë e hidhur.

Dyshohet të jetë një trafikante fëmijësh dhe droge. E mbyllin në një dhomë të vogël, e zhveshin dhe tentojnë t’i bëjnë një inspektim në rektus dhe në vaginë për të gjetur ovula droge. Ajo kundërshton, dhe kërkon që ekzaminimin t'ia bëjë një mjek dhe jo një police, dhe menjëherë shpërthejnë sharjet. I thonë "zezake e çmendur" (version ky i përgënjeshtruar nga burimet zyrtare të kufirit) dhe e lënë në këmbë për katër orë. Si përfundim e çojnë në spital lakuriq mbi një barelë, të mbuluar me një shtresë letër alumini, për t'i bërë një radiografi e cila nuk do të zbulojë asgjë. Amina denoncoi shtetin për kontrollim ilegal dhe dhunë, shteti denoncoi atë për rezistencë kundrejt zyrtarëve publikë.

...kur policët bashkiakë shikojnë tepër telenovela...

Parma. Ai quhet Emmanuel Foster, ka lindur në Ganë, studion në universitet, dhe, si për ironi të fatit, do fillojë punën si vullnetar në një klinikë rehabilitimi për të droguarit. Policët bashkiakë, janë në gjueti të shpërndarësve të drogës në një park të qytetit, janë me rroba civile dhe si pasojë të pa identifikueshëm. Emmanuel ecën aty afër dhe sulmohet nga dy prej tyre. E zhdëpin në dru përpara të gjithëve, dhe më pas e çojnë në komisariat. Nuk ka një motiv të vërtetë, policët kanë zgjidhur ekuacionin: "një djalosh me ngjyrë që kalon parkun = shpërndarës droge", ose, akoma më thjeshtë, kanë parë shumë telenovela policeske. Fakti është që Emmanuel gjendet me fytyrën e ënjtur dhe, përtej dëmit, pëson edhe ofendimin: mbi dosjen që mban çështjen e tij, përveç emrit dhe mbiemrit, është shkruar "zezaku".

...të vdesësh për një pako biskota...

Milano. Të jesh njëzet vjeç dhe të vdesësh për një pako biskota. Ja historia e Abdul Gebresë, një i ri me origjinë nga Burkina Faso, por i lindur dhe i rritur në Itali. Një djalë i ashtuquajtur "i brezit të dytë", një nga ata që s'janë as mish as peshk, sepse nuk ka qenë kurrë afrikan, por nuk është bërë akoma italian. Është ora katër e mëngjesit, kur, duke u kthyer nga një diskotekë, ndalon në një bar, për të pirë një kafe. Në dalje, vjedh një pako biskota, dhe nxiton hapin. Pronarët, at e bir, vendosin që biskotat duhet t'i shpaguajë me një çmim tepër të lartë, më të lartin. E ndjekin, e qëllojnë vazhdimisht dhe e vrasin duke i bërtitur "zezak i qelbur".

...atje komandojnë ata...

Kaserta. Brenda shtetit italian, bashkëjetojnë tre shtete të tjera. Quhen "Koza Nostra", "Kamorra" dhe "Ndrangeta". Kontrollojnë gjithë jugun e vendit, dhe ndonjëherë e ngrenë zërin nëpërmjet pistoletave dhe kallashnikovëve. Një nga këto herë është në Kastelvolturno, Kaserta. Një bandë prej tre personash, qëllon në ambientet e një rrobaqepësie, 130 plumba kundër një grupi afrikanësh të pambrojtur. Vrasin 7 prej tyre, është një ekzekutim masiv në stil puro nazist. Por bëjnë gabimin që besojnë se kanë vrarë tetë, sepse një shtiret i vdekur, i maskuar nga gjaku i vëllezërve të vet.

Është pikërisht i teti që pastaj i identifikon të gjithë; asnjë dëshmitar nuk është italian. Ka ndodhur një betejë mu në mes të qendrës, por asnjë nuk ka parë gjë. Tepër frikë, atje komandojnë ata.

...dhe institucionet...?

Pyetja tani lind vetvetiu: ku janë institucionet? Çfarë po bën apo ka bërë klasa politike për të shuar këtë zjarr tepër të rrezikshëm për tu nënvlerësuar? Problemi është që kush sot ka pushtetin, e ka fituar atë me kontributin e frazave si: "Nuk duam xhamì, emigrantët le të shkojnë të luten dhe të pshurrin në shkretëtirë" Gentilini, kryebashkiaku i Trevizos, Partia Lidhja e Veriut; ose "Mos na çani kokën me emigrantët, ata hundleshët", Borgecio, europarlamentar, Partia Lidhja e Veriut.

E djathta italiane, pjesërisht, ia detyron suksesin e thellë elektoral biznesit të frikës. Me fuqinë e vet mediatike, kryeministri, ka krijuar "frikën ndaj emigrantëve", dhe tani e mban veten si të vetmin që mund ta përballojë këtë gjendje. Por ndërkohë, e ka bërë shoqërinë shumë më barbare dhe jotolerante.

Në të vërtetë, siguria e italianëve, kërcënohet nga një mafia që ka marrë në dorë gjysmën e vendit dhe që po përpiqet (me suksese jo të vogla), të pushtojë edhe gjysmën tjetër. Familjet italiane i ka ngërthyer ankthi nga vështirësitë ekonomike për të mbyllur muajin, nga shërbimet e ulëta publike, nga gropat në rrugë, nga ndotja dhe ndërtimet pa leje.

Por përgjigjet e këtyre problemeve nuk mund të përfshihen në një spot publicitar prej 90 sekondash, duhet të jenë afatgjata, siç është ilaçi fillimisht i hidhur në gojë, por me efekte shëruese më vonë.

E djathta italiane nuk ka gjithë këtë kohë, dhe ndoshta gjithë këtë kapacitet, për tu përgjigjur, dhe kështu që problemi bëhen "zezakët", të fundit e të fundëve, sepse kundër tyre është më e lehtë të fitosh.

"Toleranca zero", kaq e dashur për qeverinë aktuale, e bën qytetarin të besojë se mund të keqtrajtojë të huajt, pa u ndëshkuar më pas, ose, akoma më keq, pa u gjykuar aspak nga ata që e rrethojnë.

Rreziku italian, është se po hedh tepër benzinë mbi zjarr, sepse, (dhe rasti i banlieus franceze na mëson), kush i fryn zjarrit, rrezikon të digjet.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën

21/11/08 20:27:00 | Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi..

Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

LAJME TE NGJASHME

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML