Në Prill 2008, Kryeministri irlandez, Bertie Ahern, një politikan me famë për punën si negociator për nënshkrimin e marrëveshjes së paqes në Irlandën e Veriut, dhe ndoshta kryeministri më i suksesshëm irlandez në pesë dekadat e fundit (me 11 vjet në detyrë, qysh prej 1997-ës e deri më 2008-ën), dha dorëheqjen pas një skandali të raportuar në media, që e lidhte Ahern me një aferë mitmarrjeje në shumën 100 mijë Euro (po, po, VETEM 100 mijë Euro)!!!Ahern në asnjë moment nuk e pranoi fajësinë, por dorëheqjen e dha! Ç’botë e çuditshme!
Në Shtator 2008, Kryeministri izraelit Ehud Olmert, po ashtu paraqiti dorëheqjen pas një skandali financiar që lidhej me disa pagesa korruptive që ai presumohej se kish marrë nga një biznesmen izraelito – amerikan. Shuma në fjalë ishte rreth 120 mijë Euro! Akuzat nuk u provuan kurrë, por Olmert e dha dorëheqjen! Vërtet e habitshme! Për 120 mijë Euro jep kryeministri dorëheqjen!??? Po në Shtator 2008, Presidenti i Afrikës së Jugut, Thabo Mbeki, u dorëhoq pas presionit popullor, opozitar e mediatik, që vijoi si pasojë e një skandali që lidhte presidentin e vendit më të përparuar të Afrikës me presione të jashtëligjshme mbi organin e Prokurorisë. Nuk pati as gjykim e as vendim fajësie, por pati dorëheqje!?! Ore ç’bëhet kështu në botë!?
Nga faktet e mësipërme duhet fillimisht të nxjerrim disa konkluzione! Së pari, politikanët, kudo ata qofshin, sado të aftë, punëtorë, patriotë, të zgjuar e të dedikuar të jenë, janë subjekt i akteve korruptive apo abuzive! Se dhe politikanët humanë janë, pavarësisht dyshimeve që mund të lindin kur sheh si sillen e veprojnë pjesa më e madhe e tyre! Së dyti, kur politikanët (e sidomos kryeministrat) përballen me skandale korruptive apo abuzive, ata tipikisht japin dorëheqjen, në mënyrë që të mos pengojnë (me influencën e tyre ekzekutive) punën hetimore të prokurorisë dhe gjyqësorit!
Për fat të keq, këto dy konkluzione janë të vërteta dhe gjerësisht të aplikueshme vetëm në vendet demokratike! Pra jo në Shqipëri! Këtu tek ne dorëheqja nuk është opsion që merret ndonjëherë në konsideratë! Pavarësisht sa i madh, evident e skandaloz të jenë zullumi e afera korruptive! I shkon edhe ca për shtat karakterit krenar, kokëgur e kryeneç të shqiptarit, që të mos dorëzohet e mos të pranojë ndonjëherë se ka faj, andaj edhe moskokëçarja e politikanëve që përballen me çdolloj akuzash është kthyer në një normë që është gjithëpranuar prej vitesh tanimë!
I rikthehem dorëheqjeve të irlandezit Ahern dhe izraelitit Olmert! Shuma e kombinuar e abuzimeve korruptive në të dy rastet është afro 220 mijë Euro. Për 220mijë euro abuzim e korrupsion (e theksoj edhe një herë, të pavërtetuara) janë dorëhequr kryeministrat e dy vendeve, GDP-ja e kombinuar e të cilëve arrin në 422 miliardë dollarë, ose 40 herë më e madhe se ajo e vendit tonë!
Ndërkaq, në Shqipëri shumat e skandaleve financiare që rëndojnë mbi qeverinë e kryeministrit Berisha janë marramendëse; 40 milionë dollarët e fishekëve e barutit që sollën Gërdecin, milionat e eurove që po përpihen nga Durrës – Kukës – Morinë e nuk dihet ku do u dalë fundi, apo edhe mjeranet 1.7 milionë Euro të transaksionit të mikut të kryeministrit që erdhi e iku nga Tirana sikur të ishte rockstar! Shumë afera, shumë para, shumë akuza, por asnjë përgjegjësi! Dorëheqje jo e jo!
Për të qenë rehat edhe me ndërgjegjen, dhe duke respektuar edhe parimin kushtetues të prezumimit të pafajësisë, le ta marrim të mirëqenë faktin se kryeministri ynë dhe ministrat e qeverisë që ai drejton janë komplet të pafajshëm e të papërlyer! Se bën vaki që edhe kështu të jetë! Po ashtu po pranojmë për hir të argumentit (dhe stabilitetit politik të vendit) se kryeministri nuk mundet ta japë dorëheqjen pikërisht tani, në fund të mandatit, 8 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme!
Me këto dy premisa në mendje, gjithsesi lind pyetja: pse kryeministri Berisha (apo ministri Basha bie fjala) kundërsulmojnë e kërcënojnë publikisht, nëse janë të pafajshëm!? Si mund të pretendojë z. Berisha se zotëron dosje e fakte që provojnë përfshirjen e opozitës në afera korruptive e abuzive, t’i mbajë ato në kasafortë, dhe t’i valëvisë kërcënueshëm në sallën e parlamentit? Nëse të tilla fakte e dosje ekzistojnë, atëherë është detyrë ligjore e z. Kryeministër që t’i dorëzojë ato pranë Prokurorisë, e cila menjëherë duhet të nisë hetimet e të vendosë përpara drejtësisë fajtorët.
Në të kundërt, mbajtja fshehur e këtyre dosjeve ka dy pasoja: a) lë larg dorës së drejtësisë abuzuesit e korruptuesit, dhe b) e bën z. Berisha bashkëpunëtor në këto krime sa kohë që pengon punën e drejtësisë në zbardhjen e tyre! Pasi faktet (nëse ekzistojnë) nuk vetëzhduken thjesht sepse kryeministri zgjedh t’i injorojnë ato haptazi! Është gjithashtu e pamoralshme që z. Berisha bën spote 1 milion euroshe ku i kërkon shqiptarëve të denoncojnë rastet e korrupsionit kurdo që ata i shohin e provojnë mbi kurriz, dhe ndërkaq mban fshehur dosje që provojnë korrupsionin e shkallëve më të larta të politikës.
Ky standard i dyfishtë është i papranueshëm, pasi promovon një doktrinë e cila diferencon e mbështet pushtetin dhe privilegjin qeveritar, injoron haptas ligjin dhe tallet me popullin dhe institucionet. Sidoqoftë, është ndoshta tepër idealiste që t’i kërkojmë kryeministrit tonë të veprojë si homologët e tij në botën e përparuar, të dorëhiqet e t’i hapë rrugën organeve të drejtësisë; fundja kultura e dorëheqjes dhe përgjegjshmërisë politike është shumë pak e përhapur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende që ndajnë me ne të njëjtin stad zhvillimi e brishtësie të demokracisë e shtetit të së drejtës.
Por është absolutisht imperative që të gjithë t’i kërkojmë kryeministrit t’i nënshtrohet ligjit, të kryejë detyrën për të cilën paguhet nga taksapaguesit, të lerë mënjanë kërcënimet boshe, dhe nëse ka prova e fakte që dëshmojnë korrupsionin e kujtdo, të shkojë e t’i dorëzojë në Prokurori, në mënyrë që dështimet (apo dhe sukseset) në luftën që kjo qeveri i bën korrupsionit të mos ngelen vetëm perceptime!