Premte, 21 Nentor 2008 19:05:03

Lexoni versionin Print

Autoriteti i rivështruar

Megjithëse analizat e mira të sistemeve politike në Shqipëri nuk kanë munguar, çështja e autoritetit në vetë shoqërinë shqiptare as është shtruar dhe as është zgjidhur kënaqshëm, veçanërisht për sa i takon historisë së gjatë të autoritarizmit politik,

Ardian Vehbiu
Marte, 14 Tetor 2008 08:44:00

Megjithëse analizat e mira të sistemeve politike në Shqipëri nuk kanë munguar, çështja e autoritetit në vetë shoqërinë shqiptare as është shtruar dhe as është zgjidhur kënaqshëm, veçanërisht për sa i takon historisë së gjatë të autoritarizmit politik, që tek ne zë fill me sundimin osman për të vazhduar pastaj me mbretërinë e Zogut dhe më pas me totalitarizmin komunist.

Në totalitarizëm, çështja e autoritetit politik gjeti zgjidhje të qëndrueshme në figurën dhe rolin e Enver Hoxhës – i cili, duke filluar nga viti 1960 i prishjes me sovjetikët e deri sa vdiq, e kontrollonte sistemin totalitar pa qenë vetë pjesë e sistemit që kishte krijuar dhe që drejtonte me dorë të hekurt; meqë ishte pikërisht ky status që mundësonte jo vetëm autoritetin absolut të udhëheqësit përkundrejt shtetit totalitar dhe shoqërisë shqiptare, por edhe rolin e tij si burim unik dhe ekskluziv i risive në sistem.

Pavarësisht nga frymëzimet dhe ëndërrimet gjatë viteve të Luftës II Botërore, komunistët e ndërtuan shtetin në Shqipëri sipas modeleve sovjetike, të zhvilluara në periudhën kur Stalini i kishte përqendruar në duart e veta të gjitha fijet e mundshme të pushtetit. Këto modele, sikurse e ka vënë në dukje Claude Lefort, ishin konceptuar dhe mund të zbatoheshin vetëm duke iu referuar vullnetit transhendental të një lideri me pushtet absolut, që e mbikëqyr dhe e motivon sistemin duke i qëndruar jashtë. Nga ana tjetër, modeli stalinist i përshtat mirë realitetit shoqëror në Shqipëri, meqë, gjithsesi i kishte trashëguar, qysh në origjinën e vet sovjetike, tiparet e një modeli arkaik paternalist të autoritetit si prind dhe mësues, që i trajton shtetasit si të ishin fëmijë të mitur.

Njëlloj si në Bashkimin Sovjetik të viteve 1930-1950, edhe në Shqipëri të gjitha iniciativat politike domethënëse, reformat ekonomike-shoqërore dhe riformulimet ose kthesat ideologjike zinin fill në fjalimet, ndërhyrjet, shënimet, letrat dhe direktivat e Enverit. Përndryshe, veprimtaria rutinë e sistemit politik konsistonte në riprodhimin besnik madje mekanik të “vijës së Partisë”, ose të vullnetit qendror të maskuar nën parullën e “centralizmit demokratik”, ndërsa shmangia qoftë edhe kozmetike nga teksti i pushtetit do të damkosej vetvetiu si devijim dhe blasfemi.

Kjo mund të shpjegojë edhe pse vetëm Enveri ishte në gjendje, bie fjala, të merrte iniciativën për të sfiduar Bashkimin Sovjetik në fund të viteve 1950, ose për t’u takuar, në fillim të viteve 1980, me një eksponent të së djathtës gjermane si Strauss-i, pa shkaktuar këto manovra politike të befta ndonjë tërmet në sistem ose ndonjë troshitje a rishikim të thellë të raporteve dhe mekanizmave të ushtrimit të pushtetit në Shqipëri. Njëlloj, vetëm Enveri mund të merrte përsipër të shpëtonte nga linçimi politik Ismail Kadarenë pas sulmeve që i bënë romanit Dimri i vetmisë së madhe nga “baza”; ose të sugjeronte liberalizimin e politikave ndaj rinisë në 1972, për ta kthyer pastaj këtë qëndrim përmbys në 1973, e për t’iu vërsulur liberalizmit me të gjithë arsenalin e dhunës politike totalitare.

Një nga arsyet e krizës së autoritetit dhe të shpërbërjes së regjimit totalitar pas vitit 1985 ishte se pasardhësi Ramiz Alia mbeti deri në fund pjesë e sistemit dhe e hierarkive që e kishin përftuar politikisht, dhe nuk arriti ose ndoshta nuk deshi të shkëputej prej tyre për t’iu imponuar sistemit së jashtmi, çka shpjegon edhe një fjalë që qarkullonte gjerësisht në popull aso kohe, se Enveri, po të ishte gjallë, nuk do ta kishte lënë Shqipërinë të katandisej ashtu siç u katandis në fund të viteve 1980, kur njerëzit rriheshin e gjakoseshin në mes të Tiranës për një palë atlete të skaduara.

Pozicionimi jashtë sistemit i siguronte liderit totalitar lirinë e nevojshme për të qenë arbitrar, por edhe për ta korrigjuar kursin në pajtim me rrethanat dhe jo verbërisht në zbatim të ndonjë dogme të imponuar prej ndonjë autoriteti tjetër. Arbitrariteti nga njëra anë i ngujonte qytetarët në kafazin e frikës ndaj dhunës totalitare dhe katastrofës, por nga ana tjetër e mbante edhe shpresën gjallë, për shkak të paparashikueshmërisë që i përshoqërohej. Më në fund, sa kohë që diktatori mbetej jashtë sistemit, sistemi vetë do të specializohej në riprodhimin e thjeshtë të pushtetit, duke i rrëgjuar, në ornament të thjeshtë, aspektet krijuese të veprimtarisë politike.

Historikisht, shoqëria shqiptare është mësuar me autoritete paternaliste, të cilat janë mishëruar, sipas rastit, në figura atërore si bajraktari e beu për komunitetet fshatare; ose sulltani, Musolini, Titoja, Stalini, Enveri e kështu me radhë, në lëmin e qeverisjes shtetërore dhe të politikave madhore në përgjithësi; e deri te ambasadorët e Bashkimit Europian ose të Shteteve të Bashkuara sot. Historia gjithashtu dëshmon se shqiptarët gjithnjë janë treguar më të gatshëm për t’i shkuar pas e për t’iu nënshtruar një autoriteti që nuk është pjesë e sistemit; çka rregullisht e ka deformuar funksionimin e sistemit vetë, duke e privuar nga aftësitë vetërregulluese ose përshtatëse.

Suksesi i modelit autoritar absolut të përfaqësuar nga Enveri shpjegohet, kështu, më shumë me statusin e tij përjashtimor, sesa me drojën e qytetarëve ndaj dhunës totalitare, sikurse ndihmon për të ndriçuar pse shoqëria e sotme shqiptare nuk arrin dot të vendosë marrëdhënie normale me autoritetin e personaliteteve dhe institucioneve të përzgjedhura me rrugë demokratike dhe kushtetuese. E gjithë kjo po më kujton tani një batutë të komikut amerikan Groucho Marx, i cili pat thënë njëherë se nuk do të pranonte të bëhej anëtar i atij klubi që do ta kishte pranuar si anëtar.

Një pasojë e papritur, madje e pa mirëpritur e demokracisë në Shqipëri është pikërisht ky përqafim vdekjeje midis qytetarëve dhe pushtetarëve, ose paaftësia e sistemit për të përftuar autoritet të natyrshëm e të tillë që të shmangë paralizën e vetove të ndërsjella, e cila paaftësi interpretohet pastaj, gabimisht, si efekt anësor i padëshirueshëm i vetë demokracisë. Në të vërtetë, kjo do interpretuar më shumë si refleks fëminor për t’iu përkulur vetëm atij autoriteti që vepron në mënyrë arbitrare, duke qëndruar jashtë sistemit; edhe pse tani elementi paternalist i pushtetit ka marrë rrugën drejt zhdukjes.

Ja edhe një mënyrë tjetër për ta përkufizuar krizën politike në Shqipëri: ne kemi humbur besimin se, si shoqëri e pjekur, mund të prodhojmë paanshmëri dhe të nxjerrim nga gjiri ynë njerëz të një kalibri etik aq të meritueshëm, sa t’u besojmë arbitrimin e çështjeve madhore. Në këto rrethana, dinamika politike gjithnjë zhvillohet sipas skemës “nga qorrsokaku në qorrsokak”: për çdo çështje që shtrohet në tryezë të bisedimeve forcat politike polarizohen dhe akuzohen ndërsjelltas, teksa arbitrin e përcaktuar me ligj nuk e pyet askush sepse ky vetvetiu konsiderohet si i shitur (përkatësisht i blerë) nga kjo apo ajo forcë politike, dhe në fund fare kërkohet arbitrimi i të huajve. Po ku gjen dot sot një princ Wied që të ulet në fronin e lënë bosh prej kohësh nga Sulltani?

 


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

Solana takon Ban Ki Mun për Kosovën

21/11/08 11:30:00 | Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri,..

LAJME TE NGJASHME

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML