Disa muaj më parë; në një nga aulat e Universitetit ku jap mësim; unë pedagogu; përpara meje përafërsisht 170 studentë të sistemit part-time (korrespondenca); tema: “Pushteti i tretë – Gjyqësori”. Si rëndom ndodh, debati zhvillohej i rrëmujshëm, plot me kompetencë e kompetentë të rrejshëm që nuk ngurronin fare të jepnin përkufizime dhe verdikte absolute. Kryefjala e rastit (por jo e rastësishme): “KORRUPSIONI”.
Shumica e studentëve janë mbi të 30-at, kanë një diplomë universitare dhe punojnë (për shtetin apo në privat), me pak fjalë janë qytetarë relativisht të formuar dhe të angazhuar. Me zotësitë dhe dobësitë e tyre ata janë pjesë e çfarë mund të konsiderohet sot si klasa e mesme shqiptare – një ndër parakushtet kryesore të ndërtimit të demokracisë në një vend, - anëtarë prezentë apo potencialë të atyre që Montesquieu i konsideronte si corps intermediaries ndërmjet pushtetit dhe individit.
Për t’u kthyer tek tema e ditës dhe debati mbi të, të gjithë ishin të bindur që i gjithë gjyqësori, ishte i korruptuar, që e drejta nëpërkëmbej, që mjafton të kesh para dhe mund të fitosh përmes vendimesh gjyqësore edhe atë që nuk të takon. U them: “Në këtë klasë ka më shumë se 170 vetë. Është i lutur të ngrejë dorën ai, i cili ka dhënë të paktën një herë para për të ndikuar në fitimin e një çështjeje në gjykatë.
Personalisht ai vetë, apo një njeri i afërt me të, për të cilin jeni plotësisht të sigurt që ka ndodhur kështu”. Përfundimi ishte interesant për të gjithë: vetëm një dorë e ngritur. Një i vetëm, mes 170 personave jo të çfarëdoshëm, njerëz të kudogjendshëm dhe relativisht me të ardhura (bëhet fjalë për një universitet jo-publik, ku paguhet për tu arsimuar), një pjesë e tyre biznesmenë...
Atëherë, - vazhdoj unë, - për aq sa mund ta konsiderojmë me vlerë dhe të pasqyruar mbi të gjithë popullatën këtë testimin tonë, na rezulton që, shumica absolute e juaja, që e cilësoni pa iu dridhur qerpiku gjyqësorin si të korruptuar nga gjyqtari më i lartë tek ai më periferiku, e bëni këtë jo si pasojë e një përvoje të besueshme, por bazuar tek perceptimi, pra tek ajo që ju pandehni se është, ndonëse nuk keni asnjë provë për këtë.
Por, dhe “por-i” në këtë rast e meriton të trajtohet, nga përkufizimi, perceptimi nuk është gjë tjetër veçse ndërthurja e eksperiencave të kaluara me kulturën vetjake dhe aftësinë (kapacitetin intelektual) të gjithkujt për të interpretuar ngjarjet, fenomenet, marrëdhëniet. Atëherë, nëse ju mungon eksperienca vetjake (përveç njërit prej jush), kjo do të thotë se, besimi juaj që gjyqësori është i korruptuar, është produkt vetëm i kulturës suaj dhe i kapacitetit tuaj intelektual për të analizuar - të dyja këto të ndërthurura së bashku ose vetëm i njërës prej tyre.
Në rastin e parë, kjo do të thotë që kultura juaj (dhe nëse mund të përgjithësojmë: kultura mesatare e shqiptarëve), është një kulturë që jo thjesht e pranon korrupsionin, por ajo e ka atë pjesë të sajën – dhe këtu mund të shtyhemi gjatë në një bisedë që do të na çonte larg ndër shekuj, - por edhe që inteligjenca jonë nuk është e tillë që të na ndihmojë fort për të dalë nga kjo situatë e pafavorshme. Në rastin e dytë, oh, po kjo është vërtet një hipotezë për të qartë hallin, pasi mëshon fort tek kapaciteti ynë intelektual, ndaj edhe po e le me kaq. Ndoshta ndonjë studim apo hetim ndërkombëtar mund të na ndriçojë më shumë mbi këtë.
Por le ta pranojmë për pak perceptimin dhe të shohim ku na çon. Nëse i gjithë gjyqësori është i korruptuar, ai nuk është bërë i tillë vetë. Jemi ne, qytetarët, që e kemi mundësuar këtë. Gjyqtarët marrin atë që ne u japim (qoftë edhe duke na e kërkuar). Puna është se ligji e konsideron njëlloj krim, si marrjen, ashtu edhedhënien e mitës. Pra, të gjithë ne që, për ndonjë arsye i drejtohemi gjykatës, e bëjmë këtë me vetëdijen se duhet të japim para për të marrë atë që mendojmë se na takon. Dhe ndonëse nuk na pëlqen (e kujt i pëlqen të pakësojë pasurinë e tij), ne e bëjmë këtë pa u ankuar (ne realisht rënkojmë, por nuk protestojmë).
Kjo na bën ne të gjithë të korruptuar. Pra, ne jemi një shoqëri e korruptuar. Por, nëse ne të gjithë jemi të korruptuar, si e kuptojmë ne këtë, pasi logjikisht, kur të gjithë janë të korruptuar, asnjë nuk është i korruptuar! Duket si lojë fjalësh, por është deduksion logjik i pastër, duhet të jetë të paktën një i pakorruptuar në mes tonë dhe vetëm ai mund të thotë se, duke u nisur nga shembulli i tij, gjithë të tjerët janë të korruptuar.
Sa më sipër, na tregon se, ose perceptimi që “i gjithë gjyqësori është i korruptuar” nuk është plotësisht i vërtetë, ose ne të gjithë jemi të tillë. Për tu kthyer tek korruptuesi i klasës sonë, pyes: A dhe ti para për të fituar të drejtën tënde, apo diçka që nuk të takonte?
Të drejtën tënde. Pra askush nuk e bëri të bardhën të zezë apo anasjelltas. Ti i dhe lekë avokatit tënd paraprakisht, për të blerë sigurinë tënde. E rëndë, e dhimbshme, e shëmtuar, e papranueshme. Sidoqoftë, ti nuk ia dhe në dorë gjyqtarit, vetë. Dhe ti fitove, ndonëse pretendon se faktet flisnin veç për ty. Dhe ishe ti që ia kërkove avokatit ta bënte këtë “ndërhyrje” dhe jo ky i fundit që të përcolli ty kërkesën e gjyqtarit. Gjithçka, sepse ti ishe i bindur që duhet të veproje kështu, përndryshe rrezikoje shumë.
Por si t’u krijua ty kjo bindje? Ah, kështu bëjnë të gjithë! Por ti nuk i njeh të gjithë, madje as edhe dikë që personalisht ka bërë kështu. Aha, njerëzit flasin! Flasin politikanët në parlament, media. Pra, ti rendit si faktor që ka ndikuar në krijimin e perceptimit tënd se gjyqësori është i korruptuar faktin që politikanët thonë se “gjyqësori është i korruptuar”. Po këta politikanët, kur e ditkan mirë këtë gjë, pse vetëm flasin dhe nuk veprojnë? Po kur veprojnë, pse dreqin veprojnë më keq se ç’flasin?! Përse këta, kur përzgjedhin “ajkën” e gjyqësorit, shkojnë e kërkojnë tek “qumështi i lopës së partisë” dhe nuk mbështeten tek meritat, profesionalizmi dhe morali?
Po pasi i zgjedhin, përmes procesesh në minimum të transparencës, përse ua ruajnë numrat e celularëve, përveçse për tu kërkuar në të ardhmen e sigurt kthimin e “nderit” që u bënë duke i votuar? Përse e dobësuan përmes ndryshimeve kushtetuese legjitimitetin e Presidentit të Republikës, i cili funksionon edhe si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë? Përse duan t’u japin kaq pushtet kancelarëve ndërkohë që thonë se pushteti gjyqësor është i pavarur? Pavarësia nuk është nocion abstrakt, ajo ka dimensionin e saj organizativ, funksional dhe financiar.
Nëse njëri nga këta preket, nuk mund të bëhet më fjalë për pavarësi. Përse...? Mendoni për këto dhe më tej. Jemi disa dhjetëra vetë në këtë klasë, të gjithë mbahemi për të mençur e të ditur, të gjithë “engjëj”, e askush nuk kupton se është e nevojshme të thuhen dy fjalë të mira për gjyqësorin. Balta që i hedhim atij na bën pis të gjithëve. Dhe kështu krijojmë kulturën e baltës. Dhe, nëse njihni ndonjë gjyqtar, ju lutem, lutjuni të flasë edhe atij, të flasë me njerëzit. Më shumë se kurrë ata sot kanë nevojë për legjitimitet dhe këtë nuk mund ta gjejnë veçse tek qytetarët. Fatkeqësisht, ky është nga ato shërbime, që asnjë shoqëri celulare nuk ua mundëson dot.
*Autori është pedagog