Premte, 21 Nentor 2008 22:19:30

Lexoni versionin Print

Për një burrë me stil dhe dinjitet

E dimë tashmë se, sa herë kemi ndeshur në shkrime, memoarë, ekranizime filmike e monografi letrare kushtuar figurave të shquara të artit a të shkencës europiane e botërore, kemi ngelur me përshtypjen e paplotësisë, jemi ndeshur me pamjaftueshmërinë e krijimit me bazë jetën dhe veprën e personalitetit të radhës.

Virion Graçi
Merkure, 15 Tetor 2008 08:53:00

E dimë tashmë se, sa herë kemi ndeshur në shkrime, memoarë, ekranizime filmike e monografi letrare kushtuar figurave të shquara të artit a të shkencës europiane e botërore, kemi ngelur me përshtypjen e paplotësisë, jemi ndeshur me pamjaftueshmërinë e krijimit me bazë jetën dhe veprën e personalitetit të radhës.

Po kështu ndodh edhe kur mundohemi të analizojmë a të themi diçka të qenësishme për Prof. Çabejn. Këto lloj sfidash i krahasoj me punën e atij që përpiqet të shkruajë a të gdhendë diçka mbresëlënëse mbi diamant: sado mirë e bukur të shkruash a të gdhendësh mbi diamant, përsëri ajo që mbetet, që bie në sy, që ka rëndësi e jetë të gjatë, është vetëm objekti i çmuar, diamanti, asgjë tjetër nuk tërheq vëmendjen e nuk fiton dot vlerë nëpërmjet tij. Kështu ndodh dhe në përvjetorët e Prof.Çabejt dhe në përkujtimoret për të.

Edhe pse dëshmojnë për të familjarët, studentët dhe kolegët, edhe pse nuk është shumë larg nesh në kohë, përsëri shkëlqimi dhe autoriteti në rritje i punës së Prof. Çabejt, sikur vazhdon ta shtojëmisterin dhe kërshërinë e mirë për të si njeri, si erudit e shkencëtar.

Mua vetë, në vorbullën e pandërprerë të kureshtjes dhe tëadhurimit, kohët e fundit më ka bërë përshtypje të fortë një fakt i përmendur nga e bija, Brikena Çabej, botuar në të përditshmen “Shekulli”. Ajo tregon se në verën e fundit, ndër librat që i ati lexoi ishte romani historik “Gatopardi”, i Xhuzepe Tomazi di Lampeduzës. Orët dhe ditët më të çmuara të jetës, ato për të cilat ndërgjegjësohemi se janë të fundit që na kanë mbetur, profesori ia kish kushtuar edhe librit të sipërpërmendur.
Deri në botimin e romanit “Emri i trandafilit”, të U. Ekos, “Gatopardi” ka qenë romani më i suksesshëm i letërsisë italiane në Itali e në botë. Ky libër, pra, bëhet nga bashkëbiseduesit e fundit të profesor Çabejt. Pa u futur në spekullime imagjinative, besoj se është një çast domethënës, kuptimplotë.

Ka një ngjashmëri të çuditshme midis autorit dhe lexuesit. Autori i romanit, princi Lampeduza, ishte aristokrat, dukë i Palmës, i portretizuar nga biografët si: “burrë me stil dhe dinjitet që i qëndroi besnik kastës së tij shoqërore duke mishëruar deri në vdekje idealet e saj”. Sipas kritereve të Ismet Totos, i cili ishte për një aristokraci të mendjes, për gradë fisnikërie sipas kulturës qytetare dhe virtyteve njerëzore, lexuesi në fjalë, Prof. Çabej, ishte po ashtu aristokrat. Klasa shoqërore e princ Lampeduzës ishte në zhdukje e sipër kur ai jetoi dhe shkroi romanin e famshëm.

Po ashtu, në zhdukje të plotë ishte edhe rrethi i natyrshëm shoqëror i profesor Çabejt. Bashkëmendimtarët, por dhe polemizuesit e tij të denjë, qysh herët ishin larguar pothuajse të gjithë nga skena publike ose kishin ndryshuar status; disa për shkak të moshës, shumica të dënuar nga regjimi shtetëror i kohës. Ishte varrosur vepra letrare e At Fishtës, për të cilin Prof. Çabej, kish shfaqur adhurim e ndjeshmëri, dhe ishin zhvarrosur eshtrat e tij; ishte pushkatuar qysh në vitin e parë të pushtetit popullor At Anton Harapi; ishte asgjësuar lulja e inteligjencies në gjithë Shqipërinë: në Shkodër, në Korçë, në Tiranë, në Elbasan, në Gjirokastër, e kështu me radhë. Ishte ndaluar vepra e F. Konicës; ishin të tepërt, të padëshiruar në atdheun e tyre Krist Maloki, Martin Camaj, Arshi Pipa, Ernest Koliqi, Stavro Skëndi e mjaft të tjerë. Kishte vdekur në burg ish-ministri dhe reformatori i shquar i arsimit, Mirash Ivanaj.

Mbaheshin si të dyshuar ata që vinin nga Kosova; kishin heshtur përfundimishtLasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli; ishin ndëshkuar rëndë e padrejtësisht Vedat Kokona dhe Petro Marko. Aleksandër Xhuvani, Aleks Buda, Selman Riza, Mahir Domi e ndonjë tjetër, krahas profesor Çabejt, bënin pjesë te ato pak përjashtime fatlume për kulturën dhe shkencën shqiptare. Vendin e aristokracisë së vërtetë në shkencat shoqërore, në fushën e mendimit humanist dhe të albanologjisë; vendin e aristokracisë së mbrujtur në frymën e atdhetarizmit jo-internacionalist dhe e formuar në klimën e pluralizmit kulturor e ideologjik, sipas standardeve dhe vlerave të shkollave të Europës Perëndimore, e kishin zënë pa radhë e panatyrshmëri fytyrat e reja që solli revolucioni komunist: ndonjë i merituar, eci dhe u afirmua me kalimin e viteve, por shumica ishin dhe mbetën apartçikë të partisë, shërbëtorë të diktaturës e jo të shkencës, fanatikë të ideologjisë moniste e jo idhtarë të mendimit të lirë.

Duke qenë dijetar i gjithanshëm, i përfshirë e protagonist në disa fusha të kulturës e të shkencës, para vitit 1944, profesor Çabejn e viteve që pasuan, deri në verën e vitit 1980, përqëndruar në universin e shqipes, lokalizuar në debatet zyrtare dhe në kërkimet gjuhësore kemi të drejtë, më në fund, ta përfytyrojmë nostalgjik, të mbushur me kujtime dhe me krenari për miqtë e polemistët e periudhës së para Luftës, për atë pjesë vitale e vendimtare të traditës sonë, e cila, ishte ndërprerë padrejtësisht për arsyeanshmërisht politike.

Njëqind vjet pas lindjes së Prof. Çabejt, kushtet për punë studimore janë përmirësuar. Jemi të lirë të zgjedhim metodat dhe objektivat, literaturën dhe bashkëpunëtorët. Njëqind vjet pas lindjes së Prof. Çabejt, kemi një numër jashtëzakonisht mbresëlënës profesorësh e akademikësh, në të gjitha fushat. Njëkohësisht kemi krizë po kaq dëshpëruese shkaktuar nga mungesa e personaliteteve me autoritet shkencor e qytetar, krahasuar me traditën e largët, me Prof. Çabejn dhe me plejadën e tij.

Në masë shqetësuese, vendin e punës dhe të kërkimit të mirëfilltë shkencor e kanë zënë alkimitë ministrore dhe shkathtësitë spekulative burokratike; prodhimtarinë e njëmendtë intelektuale, botimet serioze, me origjinalitet e me vlera të mirëfillta i kanë lënë në hije dhe në vështirësi serioze pseudodebatet, sponsorizimet fiasco e pragmatizmi vulgar, të shenjtëruara këto nëpërmjet karrierës politiko-burokratike dhemediatizimit të personave përfitues.

Në këto rrethana të bollëkut të emrave me tituj kumbues dhe të mungesës së veprave përkatëse, autoritare, rritet e theksohet më fort vlera e veprës dhe e shembullit vetjak të Profesor Çabejt, shtohet respekti dhe kërshëria për gjeninë dhe vullnetin me të cilat atë e pati stolisur natyra. Njëherësh, në këtë përvjetor të lindjes së tij, ndërgjegjësohemi sërisht për zbehtësinë e shkrimit tonë mbi diamant. Na mbetet të përsërisim për Prof. Çabejn ato që janë thënë për autorin e romanit të fundit që ai lexoi: “Aristokrat, burrë me stil dhe dinjitet që i qëndroi besnik kastës së tij shoqërore duke mishëruar deri në vdekje idealet e saj”.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën

21/11/08 20:27:00 | Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi..

Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

LAJME TE NGJASHME

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML