Merkure, 07 Janar 2009 21:10:16

Lexoni versionin Print

Perimet e Bonapartit dhe garda e re

Më kujtohen mirë dy ligjërime vajtuese në vdekjen e Hoxhës. Njëra ishte alivanosja popullore, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, tjetra ishte alivanojsja e inteligjencës shqiptare të kohës,

Nga Virion Graçi
Merkure, 19 Nentor 2008 08:30:00

Më kujtohen mirë dy ligjërime vajtuese në vdekjen e Hoxhës. Njëra ishte alivanosja popullore, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, tjetra ishte alivanojsja e inteligjencës shqiptare të kohës, që është gjithashtu sot, në mënyrë objektivisht të merituar llozha luksoze e mendimit shqiptar sot: në filozofi, art, shkencë, politikë…për nga epërsia që kanë imazhet, pasardhësit tanë do të shohin me habi e përçmim alivanosjen karikaturekse popullore: çfarë njerëzish paskan qenë?- do pyesin.

Ndonjë bukinist që mund të ketë ruajtur librin me kujtime dhe mbresa për shokun filan, ndjesë pastë, shkruar nga patriarkët e sotëm, nga anëtarët e merituar të lozhës që përmendëm më parë mund të bëjë të njëjtën pyetje retorike. E ato që u shkruan e u thanë përmbys, pas vitit 1990, do ta çonin në stratosferë hutimin, habinë sociologjike.

Populli harxhoi më kot tërë atë sasi lotësh të nxehtë, përvëlues, shkrimtarët, filozofët, intelektualët nga fusha të ndryshme të shkencës, harrxhuan kot tërë ata mbiemra superlativë. Libri i tyre me kujtime mallëngjyese dhe betime për vazhdimësi për këtë krisht të shqiptarizmës (sipas tyre fener botëror), ra vetvetiu para se të rrëzohej përmendorja komandantit.

Sidoqoftë, ky shkrim nuk ka për qëllim të ndjekë dialektikën dhe hapat evolutivë që kemi hedhur në këto vite të tejngarkuar me ngjarje dhe fenomene: është një interpretim i lirë për heronjtë dhe për kronistët, për figurat historike dhe për përmendoret e tyre, prej bronzi a prej letre (librash), qofshin.

Për personalitete të politikës, të kulturës e të artit në botë, përditë ka kërkime, zbulime, por edhe gjëra kallpe, trukime, spekulime. Shekspiri, Molieri që po më kujtohen për momentin, nuk janë të parëndësishëm në kulturat përkatëse dhe në atë botërore, po përditë ka hipoteza e variante që, me mendësitë tona, ne shqiptarët do të kishim kërkuar ligj për mbrojtjen e tyre, ndalimin policor të kërkimeve a supozimeve trilluese për ta.

Lidhur me Napoleon Bonapartin kisha lexuar dy-tre monografi, por më ka rënë në dorë dikur edhe një nga romanet që i kushtohen atij dhe titullohet “Vdekja e Napoleonit”. Është roman dramatik dhe tregon se si Napoleoni, me anë të një marifeti të besueshëm, (kemi parasysh një fikshën) arrin të arratiset për së dyti, lë pas krahëve vendin e internimit, ishullin, kthehet në Paris si person tjetër dhe… çfarë bën?!

Këshillon pronaren e bujtinës ku është strehuar dhe të dy bashkë pushtojnë Parisin, bëhen të suksesshëm si tregtarë perimesh, zarzavatesh, kungujsh, karpuzësh, domatesh. Kur Napoleoni shfaq indentitetin e tij përfundon për ibret, në një godine që është mjaft më e keqe se çmendinat dhe shtëpitë e të moshuarve të asaj kohe të marra së bashku.

Romani është përshëndetur si kryevepër arti, dhe është e tepërt për arsye vendi ta analizojmë në shumësinë e kuptimeve të fuqishme që përcjell. Por askush nuk është kujtuar ta “mbrojë” figurën e Napoleonit në këtë vepër tragjike e groteske njëkohësisht.

Këto ditë u fol për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe, nëreminishencë me figurën e Napoleonit dhe librat kushtuar atij, m’u kujtuan dy kryevepra të letërsisë shqipe: “Skënderbeu”, i Sabri Godos dhe “Kështjella” e Ismail Kadaresë. Godua dihet se ka ndjekur një rrugë rrëfimi që ecën midis realizmit klasik dhe romanit historik, por edhe ai, në mënyrë të përligjur e të sukseshme ka futur në dy-tre raste, elementë irealë, të legjendës a të gojëdhënave, mund të themi.

Kurse Kadare te “Kështjella”, edhe ky roman është prezantuar dhe është pritur si roman historik, ka ndjekur një rrugë të qartë çmitizimi për figurën e Skënderbeut. Sipas një parimi të njohur krijues do të thoshnim se e ka vizatuar Skënderbeun në mungesë, por të thuash vetëm kaq është e pamjaftueshme.

Duhet shtuar se përmendet vetëm disa herë si “Gjergji ynë” nga ata që kanë qëndruar në kështjellë. Si karakteristikë fizike e tij jepet kjo (në perifrazë): ishte ftohur ca, kollej dhe kish mbështjellë fytin me një shall-parë e përshkruar me sytë e osmanllinjve. Dhe një analizë më e “gjerë” e Skënderbeut bëhet nga gratë e haremit të pashait, si mund të jetë, a ka harem, etj., si këto.

Kjo vepër (për shijen time do të thoshja-kryevepër) së voni paraqitet edhe si alegorike, si simboliste, etj., por është roman historik. Si roman historik është pranuar pa peripeci e shtërngesa edhe prej censorëve të aparatit shtetëror që mbulonin artet dhe letërsinë në monizëm. E në letra, në tribuna, në analizat dhe në temat që mbanin në Format e Edukimit as vëzhguesit e Komitetit Qëndror nuk të falnin po t’i hyje në pjesë Skënderbeut dhe imazhit që mbizotëronte te njerëzit e zakonshëm. E për fat të mirë, kjo perlë e prozës shqipe para gati 45 vitesh ka gjetur përkrahje e simpati dhe është lexuar dhe po lexohet me ëndje.

Duke klikuar shtypin tonë në internet, të krijohet përshtypja se një fushatë e re, më e egër se ajo e sulltan Muratit po ndërmerret kundër Skënderbeut. Mbiemra e ndajfolje fyese e poshtëruese, të tilla për shkak se janë të pamerituara, jo në vendin e duhur, që nuk janë përdorur as për të cilësuar shkaktarët e tragjedive të reja e të vjetra që kemi kaluar, hidhen në qarkullim.

Për një hero si Skënderbeu, ku vetëm të huajt duhet të kenë shkruar mbi 500 libra të rëndësishëm, një retorikë dhe një gardë e tillë mbrojtëse është e panevojshme. Pa u lexuar librat, nuk mund të paragjykohen se janë denigrues apo mitizues. Aq më keq për ta po të jenë të tillë, shpërfillja dhe harresa e merituar do t’i mbulojë, sigurisht.

Për t’i nxjerrë krye arsyetimit lidhur me shqetësimet e ekzagjeruara ditore, mendoj se është më e udhës për të tërë ne ushtarët e Skënderbeut, nipat e stërnipat e tij krenarë, të ulemi e ta njohim atë që vjen si e re dhe e panjohur, pastaj të gjykojmë hapur për të, ose ta shpërfillim, pra atë që vlen. Nëse nuk kemi kohë ta njohim dikë, diçka, qoftë ky libër, qoftë gazetar, qoftë historian, edhe e drejta për ta vlerësuar e përkufizuar bie, absolutisht. E aq më pak, të lind e dretja për anatema e fyerje.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML