SITUATA NË KOSOVË
Gjashtë pikat, absolutisht janë të papranueshme, jo vetëm për një nivel të krerëve institucionalë të një vendi, por për qytetarët, popullsinë e Kosovës dhe perspektivën e saj, sepse, në të vërtetë, në mënyrë hileqare, tinzare, promovojnë ndarjen e Kosovës, prekjen e sistemit të saj të brendshëm, të integritetit territorial – faktikisht, mohojnë pavarësinë e saj.
Është mirë që e gjithë popullsia e Kosovës, bashkë me udhëheqësinë e saj, që në hapin e parë i kanë refuzuar këto. Paraqitja e katër pikave të reja, katër pikave të qëndrimeve të Prishtinës, në të vërtetë është vetëm një rimarrje e obligimeve institucionale për Kosovën pas pavarësisë, d.m.th., mbështetjen në Kushtetutë, mbështetje në planin e Ahtisaarit, nëpërmes të cilit është promovuar edhe Kushtetuta dhe është shpallur pavarësia – natyrisht si vullnet i popullit.
Mohimi i gjashtë pikave, në këtë rast është pohim i politikës nacionale të Kosovës, që kushtëzohet nga interesat e qytetarëve të Kosovës dhe nga mbrojtja e pavarësisë së Kosovës dhe krijimi i një shteti ligjor e funksional.
Edhe tash, edhe më parë, edhe përgjithmonë, një udhëheqësi legjitime e një vendi, e cila kërkon rrugët paqësore për të realizuar interesat e vendit, interesat nacionale, nuk ka pse, pra veprimet e saj, të interpretohen si prishje e marrëdhënieve me ndërkombëtarët, kushdo qofshin ata.
Edhe deklarata në katër pika e udhëheqjes institucionale të Kosovës e lë pikën e katërt si mundësi për bashkëpunim të koordinuar, siç ka qenë deri më tani, me faktorët themelorë, sepse bashkëpunimi bëhet me faktorët themelorë, të cilët përkrahin interesat e një vendi – në këtë rast janë SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, që kanë në fokus raportet e deritashme me Kosovën dhe pozicionimi, i cili i jep udhë zhvillimit të Kosovës kah integrimet evropiane.
Unë mendoj që një qëndrim i tillë i strukturuar, e rrit bashkëpunimin, nuk e vë në krizë bashkëpunimin me faktorët, unë po i quaj ndërkombëtarë – jo bashkësinë ndërkombëtare, sepse është një koncept shumështresor – faktorët ndërkombëtarë, të cilët kanë ndihmuar që të shpallet pavarësia e Kosovës. Ajo që ka manifestuar Kosova në 10-ditëshin e fundit, vetëm se ka tërhequr vërejtjen për një faktorizim të vërtetë të vetvetes. Unë mendoj se faktorizimi i vetvetes nuk do të thotë prishje marrëdhëniesh me të tjerët, por do të thotë respektim më i madh.
Mendoj që Kosova sot është më e respektueshme, sesa deri dje, edhe para faktorëve të tjerë, të cilët mund të kenë ide të tjera. Fundi i fundit, raportet në politikë janë raporte interesi, nuk janë raporte dashurie me askënd, kushdo qoftë, qoftë vend i veçantë, qoftë grup vendesh, qoftë organizatë e madhe ndërkombëtare.
EULEX-i mund të funksionojë me funksionin origjinar, që të ndihmojë krijimin e shtetit ligjor në Kosovë, që të ndihmojë sigurinë, që të marrë funksionet elementare, duke zbatuar Kushtetutën e Kosovës dhe duke zbatuar ligjet e Kosovës.
Çdo detyrë tjetër shtesë - EULEX-i në të vërtetë do t’i qesë probleme vetvetes përpara, sepse një mision i tillë duhet ta ketë besimin e popullit ku vjen. Kjo është elementare. Nëse ai e humb besimin ende pa ardhur në Kosovë, vështirë e ka të veprojë në Kosovë.