Që fitorja e Obamës do të kishte jehonë në të gjithë botën, kjo nuk përbën ndonjë surprizë. Që kjo fitore nuk do t’i vinte për mbarë qeverisë shqiptare, e investuar aq shumë tek miqësia me Bushin dhe mbështetja për McCain-in, dhe kjo ishte e pritshme.
Por, që pa kaluar as muaji nga kjo fitore, qeveria shqiptare, jo vetëm që do t’i vinte shkelmin “mikut më të mirë të shqiptarëve”, duke e quajtur të dështuar, por dhe do të hidhte në qarkullim idenë se kjo qeveri përfaqëson versionin shqiptar të ndryshimit që premton Obama, kjo sigurisht që të lë pa mend.
Por, sado e pabesueshme mund të duket, pikërisht kjo është ideja që ka hedhur drejtori i departamentit të informacionit të qeverisë, Grid Rroji. Në një editorial, ku spikasnin shprehje mjaft elokuente, si “piskama xhuxhësh” apo “fjalë të lyera me buzëkuq” (që veç Gridit, një zot e di se ç’duan të thonë), drejtori i komunikimit të zotit Berisha përpiqej të bindte publikun se, nëse ka një njeri në Shqipëri, që i ngjan si dy pika uji Obamës, ky nuk është as Edi Rama, as Erion Veliaj, por… Berisha (!). Dhe kjo, nga përfaqësuesi i një administrate ku, shumë mbështetësve të zotit Obama iu ndalua shprehimisht nga shefi i zotit Rroji ta shprehnin, disa ditë më parë, këtë mbështetje!
Në fakt, ka vetëm dy shpjegime të mundshme për këtë pretendim të zotit Rroji. Nga njëra anë, ka mundësi që si drejtor i departamentit të informacionit të qeverisë, zotit Rroji t’i ketë rënë për pjesë detyra e vështirë e bërjes së makijazhit të qeverisë.
E nëse puna qëndron kështu, zoti Rroji do të bënte mirë të kujtonte një metaforë që përdori zoti Obama gjatë fushatës së tij, tek fliste për politikat e vjetra, ku ai u shpreh se “mund t’i vësh buzëkuq një derri, po ai prapë derr mbetet”.
Shpjegimi i dytë, lidhet sërish me detyrën e zotit Rroji si drejtor i informacionit. Ka mundësi që ai të jetë përfshirë me aq entuziazëm në fushatën e spoteve propagandistike informale për arritjet imagjinare të qeverisë në luftën kundër korrupsionit, ndërtimin e rrugëve, investimet në arsim etj., etj., etj., sa të ketë mbetur viktimë e propagandës së vet. Dhe kjo, ndoshta shpjegon përse në komunikimin e saj me publikun qeveria e ka humbur aq shumë lidhjen me realitetin.
Në fakt, është absurde të bësh krahasime mes forcave politike shqiptare, cilatdo qofshin ato, dhe zotit Obama. Por, padyshim që situata bëhet groteske kur dikush mundohet të vërë shenjën e barazimit mes presidentit të ardhshëm të Amerikës dhe një kryeministri si Sali Berisha.
Është e vërtetë se zoti Berisha ka treguar me fakte se di të realizojë ndryshimin, por jo në atë kuptim që i volit zotit Rroji. Zoti Berisha ka treguar se është i aftë të rishpikë kohë pas kohe personalitetin e tij politik, duke kapitalizuar në atë që është kryefjala e debatit politik në një moment të caktuar.
Por, ama, ai kurrë nuk ka ndryshuar gjë në thelbin e personalitetit të tij. Berisha antikomunist, Berisha i fajdeve, Berisha i 1997-s, Berisha i grushteve të shtetit, Berisha i 2005-s dhe Berisha kryeministër, janë thjesht i njëjti politikan autoritar, oportunist, konfliktual, agresiv e me mungesë të theksuar parimesh.
Këtij zotërie iu dha shansi për të treguar se ka ndryshuar, iu dha mundësia të sjellë një ndryshim rrënjësor në vitin 2005. Dhe në një mënyrë të turpshme, ai ua shpërbleu shqiptarëve këtë besim me më shumë korrupsion, më shumë varfëri, me Gërdecin, me Fazlliçin.
Apo mos ndoshta zoti Rroji sheh ndonjë ngjashmëri mes fjalimeve elokuente e frymëzuese të Obamës dhe gjuhës së rrugëve e shakave vulgare që përdor kryeministri në parlament? Nëse ka forca që mund të sjellin ndryshimin në Shqipëri këto duhen kërkuar gjetkë e jo tek një kryeministër si ky i yni.
Dhe, sigurisht që, edhe G99-a, e cila merret aq shumë në shënjestër, në artikullin e z.Rroji, përfaqëson një frymë të re në politikë, një forcë shumë më të aftë për të sjellë ndryshim se sa zoti Berisha apo shumëkush tjetër në politikën shqiptare.
Vërtet, gjithkush që dëshiron të sjellë ndryshimin në Shqipëri, që dëshiron të fusë një model të ri të politikëbërjes, që dëshiron t’i japë fund situatës së papranueshme ekonomike, sociale e politike ku lëngon sot Shqipëria, ka shumë për të mësuar nga zoti Obama.
Dhe padyshim, një ndër gjërat e para që mund të mësohet prej tij është që të mos tërhiqet përpara sulmeve të paprincipta, shpifjeve e hedhjes së baltës, që natyrshëm kanë për të ardhur nga një klasë politike si kjo që na qeveris sot.
SHËNIM I AUTORIT : Artikulli është një përgjigje për fyerjet ndaj G99-s dhe drejtuesve të saj, të bëra në artikullin “Obama dhe fenomenet politike shqiptare”, me autor z. Grid Rroji, drejtues i Departamentit të Informacionit në Këshillin e Ministrave, botuar dje në gazetën “Panorama”.
Ky artikull u soll në “Shekulli”, pasi gazeta që kishte botuar shkrimin e z. Rroji, refuzoi ta botonte, duke kryer për fat të keq, një shkelje arbitraretë rregullave profesionale të replikës.