Enjte, 08 Janar 2009 00:25:16

Lexoni versionin Print

Pse bashkëpunoi PS-ja me PD-në

Me kodin e ri zgjedhor i kemi ftuar shqiptarët të zgjedhin një parti, një program, një ekip dhe një lider. Me këtë kod, shqiptarët do ta kenë shumë më të thjeshtë zgjedhjen e tyre politike nga sa është bërë deri më sot.

Nga Gramoz Ruçi*
Enjte, 20 Nentor 2008 08:51:00

Me kodin e ri zgjedhor i kemi ftuar shqiptarët të zgjedhin një parti, një program, një ekip dhe një lider. Me këtë kod, shqiptarët do ta kenë shumë më të thjeshtë zgjedhjen e tyre politike nga sa është bërë deri më sot. Me këtë kod, shqiptarët do të jenë qartësisht të përfaqësuar në vendimmarrjen e shtetit.

Me këtë kod, të gjitha partitë do të marrin hakun që u takon. Nuk do të ketë më kandidatë për deputetë pagatorë votash, por kandidatë për deputetë që përfaqësojnë një alternativë politike. Në këtë kuptim, kodi i ri zgjedhor është një risi.

Debatet politike që lidhen me këtë kod, për fat të keq nuk i takojnë vetë kodit, por klimës së mosbesimit. Unë jam nga ata deputetë me përvojë të gjatë në politikë, që konstatoj jo pa arsye, se mosbesimi tek zgjedhjet e lira e të ndershme është real, për sa kohë që kemi ende në krye të qeverisë njeriun që nuk është dalluar ndonjëherë si organizator zgjedhjesh të lira dhe të ndershme, i zgjedhjeve si ato të vitit 1996, vit në të cilin për herë të parë lindi kriza e mosbesimit elektoral.

Edhe ne nuk besojmë tek zgjedhjet që bën Sali Berisha me të tijtë. Nuk e kemi harruar as '96-tën e as 2007-tën. Përkundrazi, e kemi analizuar dhe mendojmë se kemi mësuar si të sillemi me këtë njeri, edhe pa qenë nevoja të radikalizojmë sjelljen politike vetëm 7 muaj para zgjedhjeve.

Nuk ka për të qenë i lehtë zhvillimi i zgjedhjeve me ferdinandponët, këtë e dimë. Por dimë gjithashtu, se shumica dërmuese e shqiptarëve sot duan ndryshimin demokratik të këtij realiteti politik, prandaj detyra jonë është jo rendja pas interesave momentale apo ekstremizimi i situatës, por bashkimi me këtë shumicë plebishitare të shqiptarëve.

Duhet të miratojmë rregullat e lojës dhe jo të diskutojmë për rezultatin e saj ende pa filluar. Kjo kohë, koha e diskutimit të përfundimit pa filluar ende, ka marrë fund bashkë me "Dushkun". Tashmë detyra e çdo partie, është të kërkojë mbështetje elektorale vetëm për hesap të vet dhe jo siç ka qenë deri më sot, që për hesap të vet, partia u jepte vota partive të tjera aleate, e këto të fundit përfundojnë në xhuvelistë politikë pa dinjitet.

Dëshiroj të sqaroj pozitën e Partisë Socialiste, në gjithë procesin e reformës zgjedhore. Ne u angazhuam në këtë reformë, me bindjen e plotë se klasa politike e sotme që është pjesë e një sistemi të kalbur politik, ka nevojë për reformim. Këtë bindje e kishim dhe e kemi të fortë dhe të argumentuar nga shembuj të pafundmë, por një gjë mbetet evidente, se asnjë reformë tjetër nuk ka sukses pa reformimin e vetë politikës. Kjo është e perceptuar gjerësisht nga të gjithë shqiptarët dhe nga ne politikanët. Pra, vjen një moment dhe të gjithë i themi STOP kësaj katrahure politike që kemi ndërtuar.

Suksesi i reformës politike, përcaktohet drejtpërdrejt nga bashkëpunimi i partive politike rreth nevojës për ndryshim të këtij sistemi të kalbur. Të dyja forcat politike kryesore të vendit, e patën vullnetin e domosdoshëm për t'u rreshtuar në krah të nevojës për të ndryshuar këtë gjendje.

Partitë e tjera parlamentare e kanë këtë vullnet në parim, por rreshtohen kundër ndryshimit për disa qejfmbetje komisionerësh. Të paktën kështu mund ta lexoj unë këtë qëndrim të partive të vogla, që japin miratim për të gjitha nenet e kodit, me përjashtim të neneve që përcaktojnë formulën e komisioneve.

Sidoqoftë, kemi ardhur deri në këtë fazë të fundit të reformës ligjore zgjedhore (them "ligjore", se ka ende punë për të bërë, prandaj na duhet të përqendrohemi tek të gjitha aspektet e tjera të zgjedhjeve).

Pyetja kryesore që na është bërë dhe vazhdon të na bëhet, mbetet e njëjta: Si ka mundësi që PS-ja bashkëpunoi me PD-në, për të bërë e vendosur rregullat e lojës?

Beteja elektorale në Shqipëri, në gjithë këta vite, ka parë të vijnë e të ikin shumë palë, por mbi të gjitha ka patur dy palë kryesore: PD-në dhe PS-në. Si e tillë, si çdo betejë, qysh nga kohët e romakëve të lashtë e deri në ditët tona, që nga dyluftimet mes dy njerëzve, e deri tek luftërat mes shteteve, janë bërë me rregulla të përcaktuara paraprakisht dhe bashkërisht nga palët. Përndryshe, kur nuk kemi rregulla të përcaktuara që më parë, nuk kemi më dyluftim, por banditizëm a masakër, siç jo rrallë ka ndodhur në këta vite në Shqipëri.

Kritika që na bëhet qëndron mbi bazën e një argumenti tepër të vjetruar, të atij të mosbashkëpunimit me kundërshtarin politik. Unë besoj se ky pozicionim kundër bashkëpunimit, bëhet thjesht për të fituar terren elektoral, sepse terreni logjik nuk e pranon këtë gjë. Nuk e pranon sepse, të thuash nga njëra anë se jemi për reforma që integrojnë vendin dhe, nga ana tjetër, nuk u dashka të bashkëpunosh me kundërshtarin politik, janë dy pohime që kundërshtojnë njëri-tjetrin.

Në rastin e reformës zgjedhore, thashë pak më parë, se ne si PSSH, ishim dhe jemi të rreshtuar nga nevoja për të ndryshuar politikën. Shpresuam dhe shpresojmë se edhe partitë e tjera, aleate tonat gjer më sot, të rreshtohen me ne. Por në çdo rast, bashkëpunimi me PD-në është i pashmangshëm, sepse ajo parti përfaqëson krahun tjetër politik të elektoratit shqiptar.

Partitë e vogla kanë mundësinë dhe detyrën të japin kontributin e tyre në këto procese, por nuk mund t'i lejojnë vetes luksin që të kthehen në përcaktuese të kahjes që duhet të marrin reformat, sepse nuk përfaqësojnë dot vullnetin e shumicës. Argumentet që ngrihen sot, bazuar në referenca fiktive të zgjedhjeve vendore, nuk e lartësojnë misionin politik të këtyre partive, përkundrazi, i vendosin ato në pozicione abstrakte, teorike dhe të palogjikshme.

Në çdo sistem politik demokratik, je i detyruar të bashkëpunosh me pjesën tjetër të politikës përfaqësuese, sa herë e kërkojnë interesat e vendit. Ashtu siç je i detyruar të mos pajtohesh me çdo politikë të mbrapshtë që mban peng vendin. Kjo është vlera reale e demokracisë. Kundërshtarët politikë nuk i zgjedhim ne, por ata janë aty si rezultat i vullnetit të grupimeve të ndryshme shoqërore. Por, kur shoqëria ka nevojë për zhvillim, kundërshtarët politikë duhet t'i përgjigjen nevojës së shoqërisë për zhvillim.

Sot shoqëria jonë ka nevojë për një politikë krejt tjetër nga kjo e tanishmja. Kësaj nevoje të shoqërisë shqiptare për ndryshim, ne iu përgjigjëm me mjetet e kohëve moderne, me përgatitjen e sa më shumë hapësirave demokratike dhe kontrolluese që t'u mundësojmë shqiptarëve të shprehin vullnetin e tyre elektoral vitin tjetër.

Ky impenjim i yni me kundërshtarin politik, nuk i heq asnjë pikë e asnjë presje asaj çka kemi thënë e do themi për simbolin e fundit të politikës së shkuar, Sali Berishën. Pensioni politik i këtij njeriu, do të jetë shenja më e sigurt e progresit shoqëror dhe demokratik të shqiptarëve, progres të cilin ata mund ta arrijnë vetëm nëpërmjet bashkimit të tyre. Çdo forcë tjetër e krahut tonë politik, ndoshta nuk është e detyruar të bashkohet me ne, por, me shumicën e shqiptarëve që duan ndryshimin, duhet të bashkohet patjetër. Dhe të jeni të sigurt se aty do të na gjeni edhe ne.

*Kryetar i Asamblesë Kombëtare të PSSH-së


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

  • anton: - 11-20-08
    pse bashkepunoi ps me pd

    nuk e kisha besuar se gramoz ruci te ishte kaq i pergatitur politikisht.artikullit qe ka shkruar gramozi i shkelqyer,nuk ke qfare ti shtosh me teper.komplimenti zoti gramoz.

  • R.Lika: - 11-20-08
    Per te tilla agumentime e veprime ka nevoje sot Shqiperia,

    Ajo qe ngiten 2 Partite shqipetare per kodin zjedhor dhe vepruan deri me greve urije me egoizmin e per interesat e tyre lakmuese, per nje problem jo esencial, madhore, eshte per te ardhur keq dhe te lene me pershtypje mjafte negative per lideret e ketyre partive e qorrsakakun ku ata
    kerkojne ta fusin akoma politiken shqipetare. Eshte koha per nje politike me largepamse ne interes te kombit tone, e shkeputur nga disa mentalitete negative shqipetare Demokracia presupozon marreveshtjen mekundershtarin, pamvarsisht nga negaqtiviteti i disa liderve te tij.Me kodin
    e ri me duket se eshte bere nje hap perpara. Zotin Gramos e pergezoj per trajtimin denjitoz e sygjerimet e tij.Keshtu i sherbehet jo vetem Partise por dhe kombit.Kjo kerkohet sot te kominohet me mire.

  • Andi Zako: - 11-20-08
    ke te drejte

    Ke te drejte o vella...ata u futen ne greve per kolltuket e tyre dhe te vartesve te tyre dhe jo per votat e lira. Votat e lira duhet te mbrohen nga te gjithe...

  • eli: - 11-20-08
    zgjedhjet

    Eshte bere shume per te arritur tek kodi elektoral i ri qe me duket i konceptushem i thjeshte dhe mund te zbatohet shume mire.Poorr deri sa te jete Saliu asnje kod nuk shmang manipulimin (vjedhjen) e votave.
    JAM me shume se e sigurt se Saliu ka krijuar kodin dhe planin e tij per vjedhjen e tyre deri ne dhune.
    A do te jeni te zote ta kapercejme kete te keqe???

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML