Merkure, 07 Janar 2009 23:55:37

Lexoni versionin Print

Minatorë & politikanë

Tirana është vend i vogël, kështu që një grevë urie, apo edhe ngjarje të tjera më pak të bujshme, edhe nëse dëshiron t’i anashkalosh, nuk mundesh. Të dalin përpara.

Nga Naim Seferi*
Premte, 21 Nentor 2008 08:58:00

Tirana është vend i vogël, kështu që një grevë urie, apo edhe ngjarje të tjera më pak të bujshme, edhe nëse dëshiron t’i anashkalosh, nuk mundesh. Të dalin përpara.

P.sh., pi një kafe tek bar “Kalaja", dhe pak metra më tutje ke parlamentin me grevistë brenda. Thua me vete, "bah gjynah këta politikanët", ose del lideri nga selia dhe merakoset për të ushqyerit e tyre, ose ose, ish-presidenti del në ballkon dhe vëren situatën për ndonjë rrjedhë të çuditshme të ngjarjes.

Dalin grevistët politikanë dhe me zor i mbajnë gjunjët, janë të kequshqyer, kanë fjetur keq natën, temperaturat zero, po që kanë bërë të vetën, e ashtu të plevitosur e buzët mavi nga kllapia, përshëndeten me të afërmit, e me kolegët. U tregojnë rreziqet, ndjenjën e frikshme të urisë, ndjenjë kjo e paprovuar prej dekadash, fjetja me mjete rrethanore, ndonjë shpoti e qyfyre momentale. (qyfyret mund të kenë ndodhur vetëm në etapat e para, por kur përfaqësuesit e popullit e kanë kuptuar se greva është diçka serioze, atëherë janë limituar vetëm në shkëmbim sms-sh në celular, për të ruajtur energjitë për kohët e këqija).

Pas mallkimeve se natën bën ftohtë, janë ndjerë më solidarë së kurrë. Nën pëshpërimat se çdo ndodhë të nesërmen, cili do të jetë reagimi i ndërkombëtarëve, mbështetja e partisë, turmat e simpatizantëve apo më mirë akoma, militantëve, mund të ketë lindur ndonjë "hapje zemre", ndonjë lidhje interesash, ndryshime këndvështrimesh, unifikime ideologjish, partneritete biznesesh, ti më le këtë e unë atë, fraza absurde këto për egon e tyre, por që në ato momente janë më se të domosdoshme për vetë ata, që t'i japin kuptim qenësisë së njëri – tjetrit, "sa mirë që u caktuam ne për grevën dhe jo ata tjerët, se me atë nuk shkoja mirë", ose "imagjino të flinte me mua ai spurdhjaku nga Lushnja, jo mër vëlla 100 mijë herë ti më mirë", etj. si këto.

Tani i ke hyrë kësaj rruge. Je që je në grevë, nxirr celularin 7mg pixel dhe filmo, regjistro kolegun. Aty ekziston një nivel i lartë kohezioni, shuhen hatër mbetjet, ajri që thithin është më familjar se kurrë, edhe pse ambient i madh, politikanët e kuptojnë që si njerëz, në raport me këtë institucion grotesk, janë të vegjël. Kanë nevojë për përkujdesje.

Duhet edhe një përgatitje shpirtërore. Një poet, profet apo lajmëtar futuristik. Lideri grevist, mjaftohet vetëm me gjeste, sms, mban gjallë bandën e grevistëve, ngre moralin ndër kolegë dhe jep devizat e pasdaljes nga greva:

"Ta shofi bota kur hyn njeriu në grevë, turp për këtë klasë politike që me marrëveshjet e tyre, duan të minojnë sistemin elektoral, përdhunojnë parimet e demokracisë, shtypin minorancën parlamentare, ose kuptuar ndryshe: cenojnë sistemin elektoral, shtypin parimet e demokracisë dhe përdhunojnë minorancën parlamentare.

Ne do t’i tregojmë që askush nuk mund të përdhunojë aspiratat tona për integrimin në strukturat evropiane, institucionet euroatlantike, dëshirat tona si popull për Asocim e Stabilizim dhe futjen në Evropë". Kështu, lideri u bën si përgatitjen e nevojshme morale, edhe atë trupore. Të ngjethet mishi, mornica të shkojnë në trup, sepse jo më kot lideri mbetet lider…

Ndërkohë, pak kohë më parë, disa minatorë kishin zhvilluar një grevë. Një grevë e lajmëruar edhe më parë, një grevë për kushte më të mira pune, jo për kolltukë, tabela, mikrofonë e parime, por një grevë për të shpëtuar jetën gjatë punës. Një grevë të mjerë që as nuk meriton për t’i hedhur sytë andej. Një grevë pa media, një grevë koti që as qurrat s'ja vlen t'i hedhësh.

Ja p.sh., del kryeministri nga shpella e fortifikuar, nga selia dhe nuk di se ku zhvillohet greva, sjell ndërmend ndonjë kronikë mbi të gjatë edicioneve ose gjatë raporteve që i sjellin, por prapëseprapë që s'i kujtohet. Një grevë? Një veprim i çuditshëm, që kur mediton mbi të çuditesh, sepse s'kupton asgjë që, pse bëhet?

Që edhe kur e mendon ndjehesh keq për kohën e humbur. Minatorë? Të irriton fakti se 7 zbythsa rrinë pa ngrënë, atë barktharë janë, nuk do ta marrin vesh kurrë se ç'ndjesi është të kesh një plënc plot. Hë, morrat, se u hutova, parazitë e shoqërisë së të ardhmes, shoqërisë së "internet age", parazitët e shoqërisë së rritjes ekonomike me 12-15-300%.

Ja, kështu është kur i kushton shumë rëndësi, ç'po bënin? Grevë. T'ëmën e s'ëmës. U shton rrogën me 5 përqind, grevë ata, ua shton me 8 përqind, prapë grevë. Vdesin si minj nëpër galeri ku hynë vetë me dëshirën e tyre. Askush nuk i detyron...." e vazhdon hip në makinë tip 'mercedez Amg 6000'.

Një grevë larg qendrës së Tiranës, si të zhvillosh një grevë në një zonë të humbur. Më mirë të humbur do të mendojnë politikanët, u japim një pension pas vdekjes, një dekoratë 10.000 lekëshe, 2 fjalë që bagazhi i njohurive dhe aq. Shyqyr.

Një grevë në temperaturë të ulët, që nuk ndryshon nga qëndrimi në shtëpi. Edhe aty ftohtë, mungesë kushtesh, paga e ulët, spoti publicitar mbi energjinë elektrike është i qartë, "duhet paguar që ta kesh", "punën e sotme mos e lër për nesër", etj. të tilla si këto, që s'bëjnë asgjë tjetër veçse u shtojnë varfërinë shpirtërore këtyre njerëzve.

Këta shtetas e blejnë me jetën e tyre çdo gjë, çdo sekondë e jetës vlen pare për ta. Një orë punë 1, mijë lekë të vjetra, 1000 lekë të vjetra, 1000 metra nën tokë, lagështi, mikrobe, pasiguri, errësirë, të papritura. Jo pak kanë gjetur vdekjen nga këto "surpriza".

Ndërsa deputetët rrezikojnë shumë gjatë grevës, ata nxirren me ambulanca, por prapëseprapë ndryshim i klimës, dalja nga dushi me ujë të nxehtë, mund të sjellë efekt të padëshiruar tek ata, p.sh., mund të ftohen tek nisin e vishen me ngadalë, duke shuar kureshtjet e bashkëshorteve të tyre mbi situatën. Kjo është bela.

Ti nuk mund të komandosh erën – thotë një proverb – por mund të drejtosh velat. Politikanët tanë, kur futen në grevë i drejtojnë mirë velat nga interesat e tyre, kurse minatorët, ata që djersën e kanë të çmuar, nuk dinë se ç'është vela ende. Ata duan të ndryshojnë kursin e jetës së tyre. Të paktën të vdesim në shtëpitë tona dhe jo nga fatkeqësitë, makthet e nga tmerret e njëpasnjëshme.

Deri kur do të vazhdojë ky diferencim, edhe sa do të zgjasë lemeria e këtyre familjeve, kur do ta kthejnë këta politikanë velën... Kambanat bien për ata që kanë veshë, thotë populli, por veshët e politikanëve tanë gjenden gjetkë, nëpër llogari bankare jashtë vendit, në parajsa fiskale, në interesa vetjakë, te shkollimet e fëmijëve.

Veshët e minatorit janë të lodhur nga premtimet. E kur të nesërmen e grevës, politikani i kthehet makinës luksoze, "kafeve" dhe ujdive, minatori i kthehet punës që i rrezikon jetën, i kthehet një të ardhmeje të mjerë. Edhe një llokmë e vogël mishi në gjellë i është kthyer në totem; në totem aq sa kur fëmijët shohin ndonjë reklamë sallami nisin dhe e adhurojnë duke imagjinuar aromën e mirë kur skuqet.

*Autori studion Shkenca Politike


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML