Merkure, 07 Janar 2009 23:48:39

Lexoni versionin Print

Bilanci i kauboit të lodhur

Më 20 janar të vitit të ardhshëm, administrata e George Walker Bush-it do t'i përkasë zyrtarisht së kaluarës. Presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Elton Xhanari
Shtune, 22 Nentor 2008 11:51:00

Më 20 janar të vitit të ardhshëm, administrata e George Walker Bush-it do t'i përkasë zyrtarisht së kaluarës. Presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, del nga skena me shkallën e popullaritetit më të ulët në historinë e kombit (27%), dhe lë pas vetes një oqean me probleme.

 

Për hir të së vërtetës, disa prej tyre nuk varen aspak nga ai, por pjesa dërrmuese janë fryt i një leximi ideologjik të realitetit: Mënyra më e mirë për të gabuar. Ish-guvernatori Teksan do të kujtohet për dy dështime kyçe që kanë shënuar rrënjësisht dekadën e parë të mijëvjeçarit të ri: Politika ekonomiko-financiare që solli krizën më të rëndë pas "Depresionit të Madh" të '29-s, dhe strategjia ndërkombëtare që prodhoi dy luftëra ende në zhvillim. Dështimi i parë prehet mbi një iluzion, kurse i dyti thjesht mbi një gënjeshtër. Iluzioni është se tregu rregullohet vetvetiu, dhe se dora e shtetit s'është gjë tjetër, veçse një pengesë e padëshirueshme. Bushi hoqi të gjitha ato brigje ligjore që mbanin financën në një shtrat të kontrollueshëm, dhe mjaftoi stuhia e parë (kreditë e pasigurta "sub-prime"), që lumi i "peshkaqenëve të Wall-Street-it" të përmbyste edhe ekonominë reale.

 

Në mënyrë periodike, kapitalizmi ka demonstruar që, nëse lihet i lirë, rrezikon të shkatërrojë, bashkë me veten, edhe sistemin tonë të jetesës. Pasojat e krizës financiare që sot e gjithë bota po përjeton, rrjedhin nga ai leksion që këshilltarët ekonomikë të presidentit nuk kanë dashur kurrë ta mësojnë. Çmimi që buxheti shtetëror do të paguajë për të shpëtuar çfarë akoma mund të shpëtohet, lëkundet nga 700 deri në 1000 miliardë dollarë, ndërkohë që, falë edhe shpenzimeve ushtarake (në 2008 fondet për Ministrinë e Mbrojtjes kanë arritur kulmin, 669 miliardë dollarë), borxhi kombëtar ka prekur shifra marramendëse. Në 2001-shin, administrata Clinton kishte lënë si trashëgimi 5700 miliardë dollarë borxh, ndërkohë që në tetë vjet, Bushi dyfishoi këtë shifër, duke e çuar 10622 miliardë dollarë, në rritje me një ritëm prej 1 milion dollarë në minutë.

 

Së dyti, gënjeshtra ishte se regjimi diktatorial i Sadam Hussein-it zotëronte armë shkatërrimi masiv (bakteriologjike dhe bërthamore), dhe kishte lidhje të ngushta me terroristët e Al-Kaedës (me Bin Ladenin në krye). Kjo gënjeshtër u përsërit nga foltorja e Shtëpisë së Bardhë plot 532 herë para pushtimit të Irakut, por e vërteta rezultoi që ushtria e atij shteti nuk kishte as këpucë dhe uniforma, jo më armë të sofistikuara. Marinsat amerikanë hynë në Bagdad pa kurrfarë rezistence nga forcat shtetërore, por ndoshta këtë gjë, George W. Bush, e kishte parashikuar. Çfarë nuk kishte parashikuar, ishte simpatia që fitoi Al-Kaeda te popullsia irakiane dhe në përgjithësi arabe, falë imazhit të Amerikës si një shtet uzurpues.

 

E famshmja "lufta ndaj terrorit", solli efektin e kundërt: Terrori në Irak dhe Afganistan është më i gjallë se kurrë, dhe 4197 ushtarët amerikanë të vrarë në tokën irakiane, janë dëshmia më e trishtë. Përgjigja kundrejt atentatit të shëmtuar të 11 shtatorit, ishte pikërisht ajo që Bin Ladeni synonte; një luftë artificiale midis botës islamike dhe asaj perëndimore, që nuk do kishte marrë këto përmasa nëse Osama do trajtohej thjesht për atë që është: Një kriminel.

 

Vizioni apokaliptik i "së mirës kundër së keqes", është inefikas për të fituar një lojë tepër të ndërlikuar, ku nafta përzihet me fenë dhe flijimi me ambicie fuqie gjeopolitike. Në këtë fushë shahu, lëvizjet e Bushit dhe strategut të tij, Rumsfeld (i dalë nga skena në 2006-n për falimentimin irakian), barazohen me atë të një elefanti në një dyqan kinkalerie. Për të ngjitur copëzat e vazove të thyera, do të duhet shumë kohë.

 


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML