Merkure, 07 Janar 2009 21:48:27

Lexoni versionin Print

Fac sapiens liber eris

(Mbi debatin për Skënderbeun)

Fatos Lubonja
Marte, 02 Dhjetor 2008 09:14:00

 

 

     "Të çmitizosh figurën e Gjergj Kastriotit do të thotë të bësh sulm kundër konceptit të lirisë." Ky titull gazetash që i atribuhej shkrimtarit  Ismail Kadare, lexuar në pasqyrën e shtypit të mëngjesit, më tërhoqi vëmendjen sepse më prekte edhe në punën time.  Kam mëse dhjetë vjet që botoj një revistë (Përpjekja) synimi i së cilës është futja e frymës kritike në kulturën shqiptare, e, në këtë kontekst, edhe çmitizmi (dekonstruktimi) i shumë miteve të nacional - komunizmit në emër të diturisë dhe lirisë. "Fac sapiens liber eris" (bëhu i ditur që të jesh i lirë) është edhe motoja e revistës. Kurse Kadareja na thotë se të çmitizosh do të thotë të jesh kundër lirisë për robërinë. Dhe kjo nuk përbën një diferencë të vogël, por është bash e kundërta.

 

      Kur hapa gazetën pashë se teksti ishte edhe më agresiv: "Çmitizimi i figurës së Gjergj Kastriotit është një nga turpet e kombit shqiptar. Ka disa autorë që janë përpjekur ta bëjnë këtë gjë në mënyrën më të pafytyrë. Te jesh kundër kësaj figure do të thotë të jesh kundër lirisë për robërinë."  Me një të rënë goje  çmitizimi bëhet "të jesh kundër" mitit dhe të jesh kundër tij bëhet "të jesh për robërinë". Ca më poshtë del se kjo do të thotë edhe të bësh një turp që nuk e paska bërë kush në Evropë.  Edhe ky pohim është bash e kundërta e asaj që di për Evropën.

 

      Duke shfletuar shtypin pashë se debati qënka ndezur pas botimit të monografisë së Skënderbeut të Oliver Schmitt përkthyer nga Ardian Klosi. Në fakt për mua dhe revistën Përpjekja ky është një debat i vjetër dhe i marrë e rimarrë në argumenta gjithashtu. Mjaft të lexosh  Përpjekja 15 -16 (Mbi rolin e miteve në historinë e Shqipërisë, Tiranë, dhjetor 1999) që përmbledh materialet e një konference me të njëjtin titull që u mbajt në Londër me studiuesit më në zë ndërkombëtarë të historisë së shqiptarëve (ndër të cilët Natalie Calyer, Berndt Fischer, Noel Malcolm), që është botuar edhe në Angli nën titullin "Albanian Identities".  Po ashtu polemizime ndaj veprës së Kadaresë, si një prej farkuesve kryesorë të miteve të nacional - komunizmit, gjenden që në numrin e dytë të Përpjekjes. Megjithatë është për tu trishtuar kur sheh se me kalimin e viteve në vend se të shfaqen historianë, studiues e pedagogë të rinj me frymën e studiuesve të sipërpërmendur shoqëria jonë, duke filluar nga shkollat apo akademitë, ka prirjen të ngurtësohet në klishetë nacional - komuniste, çka reflektohet pastaj në formën më banale në mediat. Duke parë këtë realitet një studiues i huaj më tha një ditë me të qeshur se intelektualisht ju duket se nuk jetoni në shekulin XXI, por në mesin e shekullit XIX. Edhe Oliver Schmitt, një nga mendjet e ndritura të shkencës austriake, që kam pasur rastin ta takoj personalisht para disa muajsh me rastin e një konference shkencore në Vienë, me të qeshur do t'i marrë sulmet që i bëhen. Por ajo e qeshur  ne duhet të na ndihmojë të kuptojmë se ka ardhur koha të rritemi, se në botën e dijes e të qytetërimit nuk mund të hyjmë si fëmijë mbi kalin e Skënderbeut, por si të rritur me punë e studim serioz. Nuk mund të vazhdojmë të jemi ilustrim i thënies së Shtadmylerit  të afro një shekulli më parë se ballkanasit nuk janë pjekur ende të shkruajnë historinë e tyre.

 

      Miti i Skënderbeut dhe e sotmja

 

      Le ta marrim pak më shtuar. Nëse do të kërkonim të ishim mirëkuptues me nacional - komunistët tanë të shndrruar në nacional- romantikë të vonuar do të thoshim se thelbi i idesë së tyre konsiston në atë se Skënderbeu është simbol i luftës së shqiptarëve për liri  (dhe për bashkim me Evropën thotë Kadareja) dhe, si i tillë, nuk ka pse preket. Ka nga ata që thonë se edhe nëse është përrallë "le ta mbajmë si përrallë" apo se "na duhen heronjtë". (Pëllumb Kulla, Franko Egro, Shekulli, 18 nentor 2008). Me fjalë të tjera, sipas tyre, po të fillosh të shkruash apo të botosh një histori shkencore të Skënderbeut sipas së cilës del se Skënderbeu mund edhe të mos ketë qenë shqiptar, se ai nuk na paska ndërtuar ndonjë shtet të pavarur shqiptar, se ai nuk është bashkuar për të luftuar  vetëm me shqiptarë për interesa shqiptarie, por se është bashkuar edhe me sllavë etj. për interesa fetare dhe pronësie, se ka qenë vasal i mbretit të Napolit dhe, si i tillë, ka bërë edhe ndoca masakra në Puglia, se ka marë Krujën jo me ndonjë luftë nacional - çlirimtare, por me një ferman të rremë, kjo do të thotë që njerëzit të humbasin dashurinë për të. Dhe kjo humbje dashurie për Skënderbeun do t'u shkaktoka thyerjen e shtyllës kurrizore apo helmimin e palcës së saj dhe rënien përtokë. Pra edhe humbjen e heroizmit e të ndjenjës së lirisë e me rradhë. Po a është kështu? Aspak. E ka provuar koha e Enver Hoxhës këtë dhe po e provon edhe kjo e sotmja. Ju siguroj unë, sikur të gjithë shqiptarët të marrin vesh e të binden se Skënderbeu paska qenë thjesht një maskara asgjë nuk do të ndodhë. Ne do të mbetemi po kaq përtokë sa ç'jemi sepse robëria më e madhe është ajo e paditurisë. Sepse sot problemi nuk është ai i shekullit XIX kur u ngjiz miti i Skënderbeut: të bëhej Shqipëria si shtet dhe shqiptarët të kishin një ndjenjë kombëtare. Sot problemi është të bëhen shqiptarët e shekullit XXI, shqiptarët me një ndjenjë qytetare të kohës që jetojmë sepse Shqipëria, për mirë a për keq të shqiptarëve, është bërë dhe shqiptarët, për mirë a për keq, një ndjenjë kombëtare e kanë. Dhe për këtë nuk na ndihmon dot miti i Skënderbeut, por duhen të tjera instrumente intelektuale e shpirtërore. Poende, sot (ashtu si edhe në kohën e diktuturës) jetojmë në një kohë kur shqiptarët nuk kërkojnë të çlirohen nga ndonjë armik i jashtëm, por nga armiku i brendshëm që janë shqiptarët vetë - në thelb padituria e tyre, - armik ky i njëjtë me Enver Hoxhën i cili, megjithëse e mbushi Shqipërinë anekënd me buste dhe statuja të Skënderbeut, i masakroi shqiptarët në atë farë feje sa ikën nga sytë këmbët nga Shqipëria e tij dhe vazhdojnë të ikin edhe sot e kësaj dite megjithëse Skënderbeun nuk e ka lëvizur njeri nga kali. (Dikush do të më përmendë shqiptarët e Kosovës, por në thelb mendoj se e njëjta gjë mund të thuhet edhe për ta dhe çështjen e tyre: se armiku i tyre më i madh është padituria. Dhe është kulmi i paditurisë në mos marrëzi të mendosh se evropianët si Schmitt shkruajnë ashtu për Skënderbeun sepse kanë hall që të diskreditojnë çështjen e shqiptarëve të Kosovës. Pikërisht një mendim i tillë i diskrediton më shumë se çdo gjë ata sepse i tregon të papjekur kulturalisht për tu bërë pjesë e komunitetit evropian). Në fakt Skënderbeu nuk luan dot nga kali për të na ngritur në këmbët e dijes, përkundrazi ai ka kohë që përdoret nga nacional - komunistët e ricikluar për të mbajtur në këmbë ata që na mbajnë ne përtokë. Dhe vetë ai i gjori ka nevojë të çlirohet nga kali ku e kanë mbërthyer për ta keqpërdorur dhe të dalë në dritë me gjithë vërtetësinë e tij.

 

      Të bëhen shqiptarët e shekulli XXI

 

      Dhe tek problemi "të bëhen shqiptarët e shekullit XXI" hyn edhe debati i fundit mbi nevojën apo jo të dekonstruktimit të miteve nacional - komuniste.

 

      Sipas meje mjafton të lexosh shumicën e debatuesve për të parë se sa i nevojshëm është dekonstruktimi i miteve. Le të rradhis disa argumente.

 

      Së pari, duhet thënë se të dekonstruktosh një mit nuk do të thotë thjesht të jesh kundër tij, apo ta hedhësh poshtë atë (ndonëse edhe kjo mund të jetë), por të kuptosh se si e pse është ndërtuar ai.  Në këtë kontekst edhe dekonstruktimi i mitit të Skënderbeut nuk ka lidhje me njohjen e historisë së shekulit XV, por me njohjen e historisë së shekulit XIX pra me tërë atë proces identitet ndërtues në shekullin XIX që e nxorri Skënderbeun nga historia nëpërmjet një procesi selektiviteti dhe e ktheu në mit e simbol. E, në këtë kuptim, vetë fakti që shqiptarët, ndonëse me vonesë, kanë filluar të ndajnë mitin nga historia përbën një hap përpara drejt njohjes. Vetë fakti që historia e Skënderbeut pranohet se mund të jetë e ndryshme nga ajo çka u është mësuar në kohën e Enver Hoxhës është një hap edhe drejt dekonstruktimit, çka do të thotë një hap drejt njohjes së historisë shkencore të kohës së Skënderbeut dhe, po ashtu, të historisë së ngjizjes së mitit të tij në kohën e Rilindjes. Një hap drejt vetëdijësimit se tjetër është historia e tjetër është miti i nacionalizmit shqiptar; se për tjetër gjë na duhet e historia (për të njohur më mirë vetveten) e për tjetër gjë na ka shërbyer apo na shërben miti historik e prandaj njerëzit e ditur e të pjekur këto i ndajnë.

 

      Së dyti: dihet se mitet shërbejnë si fillesa përbashkuese frymëzuese, se ato i japin kuptim jetës së një komuniteti, i japin edhe identitet. Por, nga ana tjetër, edhe ky përbashkim në një identitet kolektiv ka rreziqet e veta që i ka provuar dhe vazhdon t'i provojë historia. Rreziku më i madh është se, duke u bërë pjesë e një komuniteti që ndan disa simbole identitare, njeriu rrezikon të humbasë lirinë e vet si individ. Shpesh njerëzit e kanë më të lehtë të strehoen tek identitete kolektive se sa të zhvillojnë individualitetin e tyre.  Por kjo i bën shumë të vegjël si individë përpara kolektivitetit dhe heronjve që i simbolizojnë ata, krijon një ndarje të tillë saqë individi nuk bëhet dot më shpëtimtar i vetvetes, por e pret shpëtimin nga heronjtë imagjinarë që në jetën reale shpesh nuk i gjen kërkund, ose i gjen në trajta aventurierësh paranojakë e delirantë. Ky është një nga rreziqet, por jo i vetmi.

 

      Sikurse thotë një antropolog i njohur italian "identiteti, i cilit çdo lloji qoftë (etnik, nacional, personal etj.) është një varfërim, një heqje e diçkaje, një reduktim i mundësive si për pupujt edhe për individët" (Francesco Remotti  "Contro l'identita" 1996). Veçarisht është e vërtetë kjo kur identiteti shihet sipas një qasjeje esencialiste, si gjetje dhe ruajtje e një bërthame të pandryshueshme.  Mjaf të kesh parasysh se si ne kërkojmë të heqim e harrojmë historinë e gjatë të bashkjetesës me sllavë, turq, grekë vllehë, maqedonas në emër të identitetit tonë për të kuptuar këtë varfërim.

 

      Jo vetëm kaq, por çështja shtrohet edhe se çfarë mund të ndodhë me ata individë apo grupe që nuk i ndajnë simbolet apo ritet e një komuniteti. Mund të ndodhë deri ajo që u ndodhi çifutëve që, duke u konsioderuar si mish i huaj, dikush pati idenë makabre t'i asgjësojë edhe fizikisht. Dhe ideologjija që shkoi deri këtu ishte e ndërtuar bash mbi mite nacionaliste. Dikush mund të thotë se kam shkuar larg në krahasim, por lexoni se ç'shkruan një nga skënderbejanët e shekullit XXI në debatin e fundit: "kombi, atdheu imponohet me të gjithë madhështinë e së shenjtës. Dekretet e tij janë imperative. Bindja ndaj tyre është pa kushte. Ai imponon tabutë e tij, ritet, ceremonitë, heronjtë dhe simbolet e tij – shkelja apo rrëzimi i tyre (qoftë dhe në tentativë) është thjesht tradhti ndaj kombit". (Mira Meksi, Shekulli, 18 nëntor 2008). Këto fjalë, për besë, nuk do të guxonte t'i thoshte kaq hapur edhe Hitleri kur proklamonte madhështinë e kombit gjerman dhe përgatiste zhdukjen e çifutëve, social - demokratëve, priftërinjve në emër të simboleve e riteve të tij. Personalisht m'u ngjethën mishtë duke i lexuar sepse mu kujtuan tërë ata bashkëvuajtës që për një tentativë arratisjeje dënoheshin nga dhjetë deri në 25 vjet burg deri edhe me vdekje për "tradhëti" ndaj atdheut.

 

      Prandaj nuk duhet harruar asnjëherë se mitet e atdheut, ata që pretendojn se janë mbrojtësit e tyre/tij, i kanë përdorur jo rrallë si instrumente pushteti për të shtypur lirinë e individëve dhe grupimeve që mendojnë ndryshe. Sikurse thotë Durrenmatti: "shteti e quan gjithmonë veten atdhe kur përgatit një vrasje". 

 

      Së treti, aftësimi i njeriut për të dalluar mitin nga e vërteta shkencore ka të bëjë pikërisht me diturimin e tij, me fjalë të tjera me rritjen e pjekurinë e tij prandaj edhe të lirisë së tij. Çështja që ngrihet është: a duhet apo nuk duhet që shqiptarët ta lexojmë një libër si ai i histirianit Oliver Schmitt? A duhet që tekste të tilla të hyjnë në programet tona shkollore? Apo duhet të bëjmë sikur libra të tilla nuk ekzistojnë?

 

      Disa mbrojtës më të sofistikuar të mosdekonstruktimit të mitit kanë hedhur idenë që të vërtetën shkencore le tua lemë akademikëve, pa e ngatërruar punën e tyre me punën e shkollave: "e vetmja mënyrë që akademia t’i shkoqitë me urtësi mitet kombëtariste totalitare të trashëguara nga Rilindja dhe periudha komuniste, është që të lihet ta bëjë këtë në pavarësi të plotë nga shkolla, kultura popullore, simbolet kombëtare dhe përdorimi i rrëfenjave historike si instrumente të edukimit etik dhe qytetar të shtetasve." "historia e Shqipërisë, ashtu siç është përpunuar në formë mitologjike, është pjesë e misionit të shkollës për t’u dhënë fëmijëve një identitet qytetar modern. (Ardian Vehbiu Shekulli, 18 nëntor 2008)  Po a është vërtet kështu? A formojmë vëret një identitet qytetar modern duke i ushqyer fëmijët me mite nacionaliste ashtu siç janë farkuar ata një shekull e gjysëm më parë dhe përforcuar me frymë totalitare nga diktatura komuniste? Mjafton të shoshësh klishetë nacional - komuniste me të cilat trajtojnë këto argumente gazetat shqiptare apo reagimet në internet të shumicës së atyre që kanë qenë fëmijë në kohën e diktaturës për të kuptuar se nuk është kështu. Mjafton të shohësh se deklaratat absurde e njëherësh paternaliste e delirante të Kadaresë, që janë një turp për një intelektual të kohës sonë, shihen prej tyre si fjalë të shenjta, për të kuptuar se nuk është kështu. Nëse fëmijëve tanë do t'u tregojmë gënjeshtra, edhe ata do të vazhdojnë të tregojnë gënjeshtra e ne do të vazhdojmë të kultivojmë kulturën e rrenës dhe manipulimit. Jo vetëm, po cila qenka mosha në të cilën fëmijëve u duhet thënë e vërteta duke patur parasysh se fëmijëria vazhdon deri në moshën 18 vjeç? Si u duhet thënë kjo e vërtetë, mos duke përdorur edhe ca gënjeshtra më të ngrënëshme që të mos traumatizohen. Poende, ky argument të bën të lindë edhe pyetja: pse na duhen akademikët dhe shkenca në përgjithësi? Pse vetëm akademikët u dashka ta kenë gurin e dijes (ndonse, kur ke parasysh këtë klimë, bëhet edhe më e kuptueshme se pse nuk dalin dot studiues të rinj seriozë në këtë vend). Pse populli sëbashku me fëmijët paska nevojë të mbetet në padije? Për tu sunduar më mirë nga elitat dhe akademikët e tyre, apo pse ai nuk e di se çfarë të bëj me diturinë e tij dhe me lirinë e tij? Edhe në kohën e Hoxhës vetëm udhëheqja kishte mundësi të shihte filmat e ndaluar për pupullin, të lexonte librat e ndaluar për popullin apo të mësonte lajmet e ndaluara për popullin. Poende, në cilin nivel arsimimi mbarokan akademikët dhe filloka populli sepse kjo përmban edhe një rrezik tjetër të madh: të të bëjnë "popull".  Ta bëjnë "popull" edhe Vehbiun vetë. 

 

 

      Së katërti, mitet duhen dekonstruktuar edhe në emër të frymës së kohës kur jetojmë. Miti i Skënderbeu është një konstrukt historik i ndërtuar në një kohë të caktuar dhe në një kontekst të caktuar luftrash dhe urrejtjesh nacionale. Pra, kur ai trajtohet si mit, çështja nuk duhet shtruar se si "ka qenë" Skënderbeu por "si dhe në ç'kontekst është konstruktuar" miti i Skënderbeut. Sikurse e kam shkruar edhe herë tjetër ai është një mit i rimarrë i rikonstruktuar mëse një herë. Ai është konstruktuar së pari si mit në emër të krishtërimit, kur u mbiquajt "kalorës i krishtërimit", kurse dy tre shekuj më vonë u rimorr në emër të nacionalizmit. Madje, kur bëhet fjalë për nacionalizmin, ai është konstruktuar e rikonstruktuar në një proces të gjatë që meriton një studim më vete. Dihet se ka pasur pretendime për "ta marrë" Skënderbeun nga nacionalizmat e vendeve fqinje, ku nuk mungon edhe ndonjë projekt që ai të jetë një simbol shqiptaro/sllav. Për këtë "çudi" na flet një historiane tjetër e njohur Nathalie Clayer. Ajo vëren se ndjenja e shqiptarisë ngjyroset me antisllavizëm (pasi ishte ngjyrosur me antiturqizëm dhe antigreqizëm) në fillim të shekullit të XX nga veprimtarët patriotë katolikë të krahinës së Shkodrës. Ndërkaq, sipas saj, në periudhat e mëparshme, ishin bërë përpjekje të ndryshme, sidomos nga ana e mirditorëve, për të bashkëpunuar me fqinjët malazezë ose serbë, kundër “turqve”. Po ashtu disa qarqe italiane vazhdonin të mendonin për një afrim midis Malit të Zi ortodoks dhe veriut shqiptar katolik, nën ombrellën e tyre. Kurse Austro-Hungaria, që kërkonte të pengonte përparimin serb dhe malazez në drejtim të Adriatikut, kishte si interes të përforconte dallimet “shqiptar” kundrejt “sllav” dhe “katolik” kundrejt “ortodoks”. Në këtë kontekst një nga promotorët e planit austro-hungarez të veprimit në Shqipëri, Ludwig von Thalloczy, pohonte se duhej vepruar kundër projektit italian dhe sillte shembullin e letërsisë popullore serbe e cila “po përparonte” në malësitë e veriut, në rajonet e Shpuzës dhe të Podgoricës dhe po përhapte një lloj besimi shqiptaro-sllav përmes figurës së Skënderbeut që paraqitej si luftëtar sllav duke përmendur veprën e priftit françeskan kroat Andrija Kačić- Miošić (Razgovor ugodni naroda slovinskoga, Venise, 1756) e cila i këndonte bëmave të Skënderbeut dhe që ishte bërë shumë popullore. (Natalie Clayer, "Aus origines du nationalisme albanais"  Paris, 2007)

 

      Që ky projekt shqiptaro sllav të mos realizohet, siç e shjegon më tej Clayer, ndikuan shumë gjëra, përveç të tjerash edhe nacionalizmat e sllavëve. Por me çka thashë më sipër desha të ilustroj se kemi të bëjmë me projekte konstruksionesh identitare të shekullit XIX - XX dhe se, sikur disa rrethana që lidhen me lojën e forcave në shekullin e XIX - XX të kishin qenë ndryshe, do të kishte qenë ndryshe edhe konstrukti i mitit Skënderbe.

 

      Problemi është se ne kemi patur fatin e keq që dorën e fundit dhe më të gjatë ky konstrukt nacionalist  e ka marrë në simbiozë me ideologjinë komuniste të Enver Hoxhës që e përdori për interesat e veta të pushtetit, veçanërisht pas prishjes me BS kur Skënderbeu zëvendësoi Stalinin në sheshin qendror të Tiranës. Në sajë të këtij manipulimi me frymë tejet totalitare që edhe shkencën e vinte në funksion të ideologjisë, sikurse e thotë edhe Oliver Schmitt, Skënderbeu do të merrte përmasat e veta "më irreale", si projeksion në Mesjetë i vetizolimit të Shqipërisë/kështjellë që u bën ballë sulmeve të imperializmit dhe revizionizmit. E kjo pjesë, sigurisht, i djeg më shumë edhe Kadaresë si farkues i kësaj mitologjine nacional - komuniste me librat e tij të shumta për mesjetën shqiptare të trajtuara me këtë simbolikë. Edhe figurativisht imazhi i Skënderbeut i ndërtuar nëpërmjet skulpturës dhe bustit të Paskalit, e shumë veprave të tjera të asaj kohe, është ai i një luftëtari të egër mbi kalë, shumë i ndryshëm nga imazhi që ka qarkulluar në vendet evropiane: ai i një plaku të urtë e të ditur, njeri i armëve sigurisht, por edhe i qytetëruar dhe i formuar.

 

      Në këtë kontekst le të them edhe dy fjalë për mitin si përrallë që u tregohet fëmijëve. Sigurisht fëmijëve të vegjël ne do t'u flasim për Skënderbeun dhe për kalin e tij. Në mos për gjë sepse ata e shohin kudo në sheshet e qyteteve. Por, sipas meje, assesi nuk duhet t'u flasim ashtu sikurse u është folur gjatë izolimit/dimrit të madh. Kjo nuk ndikon aspak për formimin e tyre me një identitet qytetar të modern. Sot edhe përrallat/përralla me njerëz apo me kafshë që u tregohen fëmijëve janë ndryshuar me synimin që të transmetojnë një tjetër kulturë. Ato janë ndryshuar psh. për të edukuar fëmijët me një tjetër frymë përsa i përket raportit të burrit me gruan. Ato janë ndryshuar për të ndryshuar qëndrimin e fëmijëve ndaj kafshëve. Ato janë ndryshuar për të ndryshuar qëndrimin e fëmijëve ndaj luftës dhe paqes. Edhe mitet ndryshohen apo harrohen apo ndërtohen të tjera në funksion të kohës që jetojmë dhe aspiratave të tjera që kemi. Pra nëse Kadareja shkruante në vitet e komunizmit se shpata e shqiptarëve të Skënderbeut ishte e drejtë, pasi shqiptarët ishin të mirë, kurse shpata e turqve  (jatagani) ishte e shtrembër sepse ata ishin të këqij (Shih poemën për fëmijë "Në muzeun e armëve" Tiranë 1989) nuk është me vend që sot, në kohën e aspiratës për të hyrë në Evropë sëbashku me turqit, të krijohet tek fëmijët i njëjti imazh për ta si ai i kohëve të luftrave nacionaliste apo të izolimeve nacional - komuniste. Skënderbeu si mit ashtu si është ndërtuar në mitologjinë nacional - komuniste nuk mund të përdoret në kohën e sotme edhe tek fëmijët. Ai nuk mund të jetë njëherësh edhe frymëzues i armiqësisë edhe inspirues i miqësisë dhe bashkimit me turqit, grekët, serbët, maqedonët etj.  në Evropë. Jo vetëm, por kjo krijon edhe një skicofreni të rëndë. Tu thuash sot shqiptarëve se Skënderbeu është pararendës i NATO - siç thotë Kadareja duke iu referuar luftrave të tij me perandorinë osmane - ndërkohë që Turqia ka hyrë në NATO para nesh e është kandidate para nesh për të hyrë në Evropë kjo krijon skicofreni. Koha e sotme kërkon mite e heronj të rinj edhe për fëmijët, por edhe shikimin e miteve të vjetra sa nën filtrin e dijes shkencore aq edhe në fuksion të frymës së kohës dhe aspiratave të kohës.

 

      Nga sa di unë e gjithë Evropa e ka rishkruar historinë e saj në këtë kontekst. Ka pasur gjithashtu edhe projekte për të rishkruar historinë e Ballkanit po në këtë kntekst ku kanë marrë pjesë edhe historianë shqiptarë. Duke parë reagimin ndaj librit të Oliver Schmiditt, mund të thuhet se është bërë shumë pak.  Dhe i vetmi shpjegim në thebin e vet, sipas meje, është se ata që e kanë në dorë këtë punë kanë frikë nga diturimi i njerëzve sepse kjo do t'i bëjë të lirë ndaj pushtetit të tyre, të cilin e kanë keqpërdorur dhe e keqpërdorin edhe sot në formën më dramatike për atdheun - e kuptuar ky si shoqëri shqiptare. Ja pse ngulmoj se përgjigja më e mirë ndaj histerisë së ngritur kundër librit të Schmittit është: "Bëhu i ditur të jesh i lirë".

 

 


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML