Enjte, 08 Janar 2009 00:21:51

Lexoni versionin Print

India, gjigantja e plagosur

Pak më shumë se adoleshentë, jo akoma burra. Njëmbëdhjetë terroristë, ndoshta më shumë. Dyqind të vrarë, ndoshta më shumë. Terrori i sulet Indisë, me një stil të ri, akoma më vdekjeprurës dhe efikas. Nuk janë thjesht kamikazë, njerëz-bombë që marrin jetë duke dhënë të vetën.

Elton Xhanari
Marte, 02 Dhjetor 2008 09:14:00

Pak më shumë se adoleshentë, jo akoma burra. Njëmbëdhjetë terroristë, ndoshta më shumë. Dyqind të vrarë, ndoshta më shumë. Terrori i sulet Indisë, me një stil të ri, akoma më vdekjeprurës dhe efikas. Nuk janë thjesht kamikazë, njerëz-bombë që marrin jetë duke dhënë të vetën.

Këta janë ushtarë: Të stërvitur mirë, të armatosur akoma më mirë, të vetëdijshëm që po shkojnë drejt vdekjes dhe tmerrësisht të vendosur për kompletimin e misionit të tyre. Me granata dhe armë automatike, këta djem, me buzëqeshjen e nxënësve në ekskursion, ekzekutuan me gjakftohtësi njerëz të pafajshëm, duke kërkuar me ngulm ata me pasaporta amerikane ose angleze. Viktima me pesë yje.

Por si është e mundur që Mumbai, zemra financiare e Indisë, shembulli i modernizimit të një shteti në zhvillim të zhurmshëm, të mbahet peng për plot 60 orë? Si është e mundur që "macet e zeza" (repartet speciale indiane, ndër më të famshmet në Azi), të kapen mat për tri ditë rresht dhe të humbasin në fushën e betejës edhe shefin e tyre (Hemant Karkare, që në atdhe konsiderohej, jo më pak se një "superman")?

Disa përgjigje ka filluar t'i japë i vetmi terrorist i kapur gjallë, Azam Amir Kasav, 21-vjeçar pakistanez, i cili do të merret në pyetje deri sa të hedhë dritë të plotë mbi këtë masakër.

Sipas Kasav-it, sulmi u përgatit nga organizata separatiste islamike "Lashkar-e-Toiba", një grupim që lindi në Kashmirin indian, por që ka rrënjë të forta në Pakistan dhe në Afganistan. Plani ishte ambicioz dhe, për fat të keq, u realizua që në detajet minimale. Komandoja veproi e sinkronizuar:

Disa prej tyre ishin në Mumbai prej ditësh dhe, të shitur si studentë dhe si biznesmenë, morën me qira një dhomë në qendrën hebraike dhe në hotelet luksoze Taj Mahal dhe Oberoi. Pjesa tjetër, ndërkohë, sistemonte detajet e fundit nga porti i Karaçit, Pakistan. Në orën 22.30, të 26 nëntorit, gjithçka është gati, dhe dy skuadrat bashkohen: E para heq maskën, e dyta, nëpërmjet një anijeje të vjedhur, arrin në qytet. Objektivat janë pesë, të gjitha përbëjnë një simbol, dhe të gjitha janë plot me njerëz.

Qendra ebraike, Leopold's Café (e preferuar nga turistët e huaj), Stacioni Viktoria dhe hotelet Taj Mahal dhe Oberoi (vendqëndrim i detyruar për VIP-at e spektaklit dhe ekonomisë). Me pushkë Ak47 dhe granata, fillon një kërdi me përmasa çnjerëzore. Terroristët janë të pamëshirshëm; nuk bëjnë diferencë midis grave, pleqve apo fëmijëve. I ndjekin dhe i vrasin. Kjo është detyra; deri sa të mbarojnë municionet, ose deri sa dikush tjetër të qëllojë në drejtimin e tyre. Kur edhe vrasësi i fundit neutralizohet, dëmi tashmë është bërë: numërohen rreth 200 trupa (midis tyre 27 të huaj dhe 15 policë).

Nëse ky nuk është 11 shtatori Indian, i afrohet shumë. Për befasinë e sulmit dhe për papërgatitjen e aparatit mbrojtës (me shërbimin sekret në krye). Ministri i Brendshëm dha dorëheqjen të dielën, dhe shumë koka kanë për të rënë ditët e ardhshme në kabinetin qeveritar. Përgjegjësia e kësaj masakre është një peshë tepër e rëndë për të vazhduar akoma, por tani pyetja që rreh si çekan në trurin e gjigantes aziatike është: Kush bëri të mundur që një duzinë çunakësh të transformohej në makinë perfekte morti?

Sytë kthehen vetvetiu te Pakistani, te i fuqishmi shërbim sekret ushtarak (Isi), një shtet në shtet që asnjë president apo kryeministër pakistanez nuk e ka pasur komplet nën kontroll. Armët, taktikat, lëvizjet, njohuritë. Në një plan ku rastësia nuk ka asnjë hapësirë, nuhatet dora e profesionistëve të armikut të moçëm. Por kjo është një histori tjetër, e gjatë dhe e ndërlikuar. Fajtorët do të zbulohen më vonë dhe makthi në horizont është një konflikt midis Indisë dhe Pakistanit (dy fuqi në zotërim të bombës atomike), që do të kishte pasoja shkatërrimprurëse.

Tani, në Indi është koha për të qarë mbi qindra persona që u përshkruan nga plumbat dhe gëzhojat pa asnjë motiv dhe pa asnjë kuptim. Është vështirë të shpjegosh si e gjitha kjo kasaphanë u krye në emër të zotit, sepse ndoshta, në ato 60 orë, zoti nuk ka qenë atje.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML