Ndërsa qeveria u bie borive për “suksese”, dhe institucionet Euro-Atlantike vazhdojnë të na bëjnë thirrje për përmbushje standardesh demokratike, në këtë mini-sulltanatin tonë, duket se sfida më e madhe është institucionalizimi i një sistemi të llogaridhënies dhe përgjegjësisë përpara ligjit.
Kasta politike në pushtet, me paturpësinë më të madhe na shet arritje në luftën ndaj korrupsionit, por përplasja e radhës mes PD-së (dhe benjaminit të liderit të saj absolut) - me Prokurorinë e Përgjithshme, tregon qartë se jemi vite dritë larg. Larg prej të qenit një shtet, ku zyrtarët kuptojnë me hir (apo detyrohen me pahir që të kuptojnë) se janë të punësuar e jo pronarë të shtetit e të popullit, dhe se do përballen me forcën e ligjit, nëse vjedhin dhe abuzojnë.
Rasti i ministrit të Jashtëm pa imunitet, por i mbrojtur me imunitet, është i fundit në radhën e mega-abuzimeve që po u bëhen parave të shqiptarëve, retorikës boshe mbi duart e pastra, si dhe kulmimi i një sulmi të paralajmëruar kundrejt Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama.
Vetë Z. Basha erdhi në pushtet i rrethuar nga një aureolë pozitiviteti, pastërtie morale dhe ligjore, duke mbartur mbi vete shpresën se do të përfaqësonte, bashkë me të tjerë, një brez politikanësh të rinj që do të vendosnin interesat e vendit përpara xhepave të tyre e të kushërinjve. Por, miti i Bashës e të tjerëve si ai u shua shpejt nën presionin e makutërisë.
Makutëri individësh, për të cilët “tetë vjet pa pushtet” janë thjesht “tetë vjet pa mundësi për vjedhje”, ndaj duhet të frynin xhepat, ndoshta edhe në kurriz të pastërtisë së atij grupi të rinjsh e të rejash, të cilët mundësuan që PD-ja të vendoste një maskë reformatore ndryshimi në vitin 2005. Nëse fle me qentë, ngrihesh me pleshta. Dhe pleshtëzimi nuk vonoi të vinte, për fat të keq edhe për të rinjtë e mirarsimuar e të mirartikuluar, duke mbytur brenda batakut të korrupsionit shpresat e ringjallura të qytetarëve të këtij vendi për një frymë të re qeverisëse.
Po pse është i papranueshëm qëndrimi i z. Basha dhe i tërë qeverisë!? Le të harrojmë për një moment faktin që ishte kjo mazhorancë, e cila hoqi ish-Kryeprokurorin Sollaku, për ta zëvendësuar me Ina Ramën (ose shembëlltyrën shqiptare të Silvia Contit); harrojmë po ashtu që ish-ministri Rusmali dha dorëheqjen vetëm për një telefonatë të dyshimtë të vëllait, dhe Kryeministri Berisha doli e u mburr për standardet që po vendoste qeveria; mbyllim sytë edhe mbi faktin se kjo mazhorancë eviton gjithë diskutimet në detaj mbi abuzimet potenciale me rrugën Durrës-Kukës-Morinë, duke u mbërthyer me thonj tek kamerdarja e patriotizmit (që Samuel Johnson me të drejtë e quan streha e fundit e maskarenjve); i mbyllim edhe veshët teksa dëgjojmë që ministri ikanak do ndërmarrë një tur diplomatik, pikërisht në javën kur Prokuroria e pret që të ulet në karrigen e deponimit; na ngelet veç të pranojmë se sa më sipër janë tregues tipikë të transformimit të Shqipërisë në një vend ku pushteti s'njeh limit e kontroll e s'pranon të japë llogari e mbajë përgjegjësi.
Por standardi i z. Basha dhe karshillëku e evitimi që ai po i bën Prokurorisë, përveçse është një tjetër provë që shton bindjen për hajdutërinë e dyshuar, është shembulli më i keq dhe më dekurajues për cilindo të ri që aspiron të hyjë në politikën shqiptare përmes rrugës së pastërtisë e ndershmërisë.
Ajo që ministri Basha dhe gjithë makineria propagandistike pas tij po u tregojnë shqiptarëve të rinj që dëshirojnë t'i shërbejnë vendit, është se nuk ka vend për parime e aspirata, por vetëm për matrapazllëqe, abuzime e vjedhje, si dhe shantazhe, presione të fshehta apo të hapura e manovra evazive, mospërfillje të hapur për shtetin e së drejtës dhe institucionet e drejtësisë, dhe tallje publike me qytetarët e ndershëm.
Ministri nën akuzë s'mund të pretendojë të vazhdojë të gënjejë me parulla patriotizmi. Si jurist që i ka shërbyer Tribunalit të Hagës, ai e di mirë që edhe kriminelët e luftës i referoheshin patriotizmit e detyrës atdhetare sa herë që përballeshin me akuzat për masakra genocidale ndaj popullsisë së pafajshme.
Por, të flasësh për atdhedashuri e patriotizëm kur të pyesin ku kanë shkuar miliona euro të parave publike, nuk të bën domosdoshmërisht më pak kriminel. As më pak hajdut!
Po ashtu, nuk janë një arsye e mirë për të evituar përballjen me organet e drejtësisë! Qoftë edhe sepse patriotizmi tregohet, së pari, pikërisht duke respektuar institucionet kushtetuese të vendit tënd, sidomos kur këtyre institucioneve u ke dhënë votën, besimin dhe tagrin institucional.
Pikërisht prej këtij respekti ndaj Prokurorisë së Përgjithshme dhe të drejtës së saj legjitime për të hetuar mbi gjithkënd e gjithçka, duhet të nisë rrugëtimi i z. Basha për t'u treguar shqiptarëve të vërtetën mbi fajësinë apo pafajësinë, si dhe patriotizmin apo tradhtinë!