Merkure, 07 Janar 2009 23:23:31

Lexoni versionin Print

Berluskoni, "Përkthimi” i kontratave

Vizita e parë e Silvio Berluskonit në Tiranë, si kryeministër, është realizuar në vitin 2002, kur vendi drejtohej nga socialistët. Pa dashur ta lodhim lexuesin, mund të kujtojmë se që nga viti ‘91 e këtej, Italia ka qenë gjithnjë e pranishme në “vendin e shqiponjave”:

Vangjush Saro
Merkure, 03 Dhjetor 2008 09:15:00

Vizita e parë e Silvio Berluskonit në Tiranë, si kryeministër, është realizuar në vitin 2002, kur vendi drejtohej nga socialistët. Pa dashur ta lodhim lexuesin, mund të kujtojmë se që nga viti ‘91 e këtej, Italia ka qenë gjithnjë e pranishme në “vendin e shqiponjave”: Me politikanët, me biznesmenët dhe me ushtarët e saj. (kujtojmë operacionin Pelikani).

Në vendin dhe në kohën e duhur, kanë qenë gjithnjë edhe institucionet italiane që punojnë për nxitjen e biznesit e të bashkëpunimit me Shqipërinë. Interesi i biznesit italian, ka përfshirë edhe industrinë minerare, pa lënë mënjanë konfeksionet, që e sundonin deri më sot raportin e bashkëpunimit.

Më në fund, gjatë këtyre viteve, Italia mbetet partneri i parë tregtar i Shqipërisë, me pothuaj 35% të vëllimit të tregtisë së jashtme. Edhe në sektorin e investimeve, Italia zë vendin e parë për numrin e ndërmarrjeve me kapital me pjesëmarrje italiane (51,1%, rreth 400 ndërmarrje). Raportet midis dy vendeve janë të veçanta edhe falë pranisë në Itali të një komuniteti shqiptar të gjerë prej rreth 420 mijë vetë.

E, megjithëkëtë, midis kësaj historie tranzicionale dhe hopit të viteve të fundit, ka një ndryshim të dukshëm; mund të thuhet se tashmë kemi një “invazion” të kapitalit dhe të interesit ekonomik italian në Shqipëri. Parqe energjitike (në Vlorë, Koplik, Porto Romano); uzinë rigazifikimi pranë Fierit dhe tubacion gazi nën det; projekt për prodhimin e energjisë me anë të erës, në Karaburun, dhe jo vetëm. Fabrika çimentoje.

Kësisoj, marrëdhënia e ndërtuar së fundmi me Italinë, është shumë domethënëse, sidomos për sa i takon kakofonisë së administratës shqiptare mbi strategjitë e zhvillimit të këtij vendi. Fakti është se janë vënë në diskutim vlerat e vërteta të TEC-it me qymyr në Porto Romano. Pati mjaft reagime për Parkun Industrial në Vlorë. Impiantet për prodhimin e energjisë nga era (pritet të vendosen 250 të tillë), do të vendosen nga fillimi i zonës së Gadishullit të Karaburunit, për të vazhduar në Vargmalin e Llogorasë, më tej në zonën e Shashicës, deri në malet e disa fshatrave të Vlorës.

(Ndërkaq, një tjetër shoqëri italiane, Italgest, ka propozuar ndërtimin e një centrali elektrik me erë, afër Kryevidhit. Ka ide se impiante të tilla mund të ndërtohen edhenë Kapshticë, (Bilisht). Po ashtu, malet dhe pyjet e Terpanit, në Berat, shihen si pozicione për të prodhuar energji elektrike nga era).

Sot po flitet gjithnjë e më shumë për një central nuklear. Madje, qeveria sapo ka miratuar krijimin e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Ky është hapi i parë për hartimin e kuadrit ligjor për ndërtimin e centralit bërthamor në Shqipëri. Qeveria shqiptare ka shpallur gjithashtu rregulla “të reja” për ndërtimet e mundshme në zonat pyjore(!). Sipas këtyre rregullave, të bëra tashmë publike, sipërfaqet pyjore deri në 1 ha, do të firmosen nga ana e Ministrit të Mjedisit.

Kurse sipërfaqet mbi 1-100 ha, do të firmosen nga ana e Kryeministrit. Për sipërfaqe mbi 100 ha, duhet vota e Kuvendit të Shqipërisë për miratim. I njëjti format (ligjor), do të përdoret, me sa duket, edhe për kullotat. Duket qartë, pra, se papritur e pa kujtuar, administrata shqiptare ka vendosur industrializimin e vendit. Mirëpo, në këto e sipër, nuk bëhet e qartë për publikun se gjer ku mund të shkojë ky zell industrializues.

Opozita, me gjysmë zëri, shprehet se...duhen marrë në konsideratë çështjet e mjedisit, apo ato të korrupsionit(!) Lëvizja “Mjaft” ishte e vetmja që sajoi njëlloj “demonstrimi ndryshe” gjatë vizitës së Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni. Sipas kësaj lëvizjeje, “reagimi vjen nga rreziku i industrializimit ndotës, të pakonsultuar dhe jo transparent, që qeveria shqiptare planifikon ta shtrijë në mbarë vendin, përmes ujdive me ndërmarrje kolonialiste me vendet fqinje”.

Pyetja që shtrohet sërish, ka të bëjë me kakofoninë e këtyre investimeve. Prej tyre, nuk i vjen asnjë e keqe biznesit italian, qeverisë italiane, qytetarëve italianë. Kjo kakofoni rëndon mbi qytetarët shqiptarë, të cilët pyeten të fundit për atë që ndodh. Ose nuk pyeten fare. Gjithçka duket se bëhet në emër të luftës kundër varfërisë, në emër të mbijetesës. Por, sakrifica është e madhe, shumë e madhe. Mbase më vonë do të kuptohen përmasat e saj.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML