Merkure, 07 Janar 2009 22:23:38

Lexoni versionin Print

Fjalë që nuk frymëzojnë

Përgjatë gjithë këtyre viteve të gjata të tranzicionit, pak gjë na ka mbetur në mendje nga fjalimet e udhëheqësve shqiptarë. Ose asgjë. Fjalë që të jenë në gjendje të kapin thelbin e një momenti ose të shprehin një vizion, një filozofi zhvillimi.

Valbona Sulçe
Enjte, 04 Dhjetor 2008 08:56:00

Përgjatë gjithë këtyre viteve të gjata të tranzicionit, pak gjë na ka mbetur në mendje nga fjalimet e udhëheqësve shqiptarë. Ose asgjë. Fjalë që të jenë në gjendje të kapin thelbin e një momenti ose të shprehin një vizion, një filozofi zhvillimi. Gjithë ç’më ka mbetur në mendje, dhe besoj dhe shumë të tjerëve, janë batuta të rastit që kanë shërbyer për të “varrosur” kundërshtarin e momentit, për të gajasur elektoratin ose për të fituar çmimin” thënia e ditës”.

Instiktivisht, mendja më shkoi tek një botim i vogël që përmbledh fjalimet më të mira të shekullit të 20-të. “Unë kam një ëndërr”, e Martin Luter Kingut, apo “Mos pyet çfarë ka bërë vendi yt për ty, por çfarë ke bërë ti për vendin tënd”, e Presidentit amerikan Kenedi, kanë mbetur sot e gjithë ditën legjendare në kujtesën njerëzore. Mjafton t’i lexosh ato, dhe bëhesh pjesëmarrës i një kohe që edhe pse s’e ke jetuar, e ndjen në lëkurë. Sepse kjo është fuqia e fjalës. Sigurisht, janë shprehje që simbolizojnë epoka. Janë thënë nga njerëz të mëdhenj për kombe të mëdha.

Do të kisha dashur që edhe udhëheqësit e vendit tim, në këto 18 vite të mundimshme, të kishin prodhuar, veç konfliktit, edhe ndonjë shprehje të tillë. Sepse epoka ku kemi hyrë që pas viteve ’90 e ka merituar , ka qenë e denjë për shprehje që të mbahen mend. Sepse brezi im, që hynte në demokraci në moshën 16-vjeçare e ka pasur të nevojshme të dëgjojë një fjalim të tillë që të frymëzojë, të shprehë një vizon a të rrokë në një çast, një vit.

Sepse nuk kanë qenë të pakta dallgët ku jemi përplasur. U ndamë nga komunizmi më ’91-shin, kaluam trauma të rënda si ’97-a , patëm fatin të marrim pjesë live në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Nuk janë pak për jetën e një vendi të vogël si yni, apo jo? Po sado rrëmoj në kujtesë, nuk gjej dot ndonjë fjalim për të qenë. (Ja një temë interesante për një detyrë kursi në marrëdhëniet publike: Gjeni 10 fjalimet më të mira të udhëheqësve shqiptarë që nga 1990-a deri më sot)

Sigurisht që askush nuk pret që politikanët t’i shkruajnë vetë të gjitha fjalimet që mbajnë. Dihet që në stafet e tyre ata përfshijnë njerëz të posaçëm për shkrimin e fjalimeve. Këta janë profesionistët që përkthejnë mesazhin, kumtin, vizionin e politikanit për audiencën e vet. Sepse politika është mesazh. Kur ai formulohet qartë dhe mirë, ka forcën e duhur dhe ngjit tek njerëzit. Kur formulohet sa për të marrë votat e radhës, atë e merr era.

Natyrisht, nëse nuk ka vizion, shkruesi i fjalimeve s’ka ç’të tjerrë, qoftë edhe shkrimtari më i talentuar në botë. Shembulli më i qartë për këtë është tërë fushata e presidentit të sapozgjedhur amerikan, Obama, ku fjalimi i fitores qëndron si qershia mbi tortë. “Po, ne mundemi” është kthyer tashmë nga një slogan në një filozofi të tërë. Një filozofi të shpresës për të guxuar. Një filozofi që frymëzon në të katër anët e globit.

Ndoshta është edhe ky kontekst që më bëri të pres diçka më shumë këtë 28 Nëntor, teksa dëgjoja fjalimet e politikanëve. Dhe të kuptoj një gjë: Që së pari duhet të gjejmë vizionin, e pastaj ta shkruajmë atë.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML