Merkure, 07 Janar 2009 21:55:28

Lexoni versionin Print

Qeveria si kontraktore

Qeveria jonë, me kohë ka deklaruar se rruga Durrës – Kukës është prioritet i saj qeverisës dhe kombëtar. Ndërkohë, mënyra si po sillet me këtë rrugë, ngre shumë dyshime se si caktohen dhe si administrohen prioritetet dhe fondet që mbështesin ato.

Ervin Bushati*
Enjte, 04 Dhjetor 2008 08:58:00

Qeveria jonë, me kohë ka deklaruar se rruga Durrës – Kukës është prioritet i saj qeverisës dhe kombëtar. Ndërkohë, mënyra si po sillet me këtë rrugë, ngre shumë dyshime se si caktohen dhe si administrohen prioritetet dhe fondet që mbështesin ato. Detyrat e një qeverie demokratike, në mbrojtje të interesave ekonomike të shtetasve të saj janë:

Të caktojë prioritetet ekonomike të zhvillimeve dhe orientimit të ekonomisë, që vendosen nëpërmjet politikave qeverisëse dhe investimeve kryesore të një shteti. Kjo duhet të jetë në funksion direkt të rritjes së mirëqenies së qytetarëve të saj, nën një këndvështrim afatgjatë.

Të harmonizojë me strategji dhe me fonde, në mënyrë korrekte, ndërmjet prioriteteve dhe nivelit të jetesës së qytetarëve që duan të jetojnë dhe jo të mbijetojnë gjatë “aksioneve të përjetshme”. Qeveria duhet t’u argumentojë taksapaguesve pse kjo rrugë e ndërtuar me kaq shpejtësi dhe me këto fonde pa fund, vlen aq sa të harrohet mjekimi dinjitoz i pensionistëve që punuan 40 vjet për këtë ditë; vlen sa të harrohet shkollimi korrekt i fëmijëve të këtij vendi, që të jenë të përgatitur për një të ardhme të respektuar në kontinentin e përbashkët.

Të zhvillojë strategjitë, planet dhe hapat konkretë për gjithë projektet që janë vendosur si prioritare, duke faktuar të ardhurat financiare të pritshme dhe avantazhet ekonomike në të ardhmen. Njëkohësisht, qeveria duhet të kontrollojë procesin dhe të ruajë interesat e taksapaguesve në përdorimin e fondeve publike, gjatë zbatimit të përpiktë të projekteve të miratuara më parë.

Në tërë këto hapa, qeveria, e zgjedhur nga votuesit për të paraqitur interesat e tyre më të mira, duhet të ketë parasysh se është në funksion të rritjes së mirëqenies së qytetarëve dhe një zhvillimi ekonomik e harmonik në të ardhmen, duke garantuar kështu një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët.

Rruga me Kosovën është shumë e rëndësishme dhe do jetë faktor stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik në të ardhmen; ndaj, ndërtimi i saj nuk duhet të minojë parimet bazë të demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Tërë veprimet që ka ndërmarrë Qeveria Berisha në rrugën Durrës – Kukës, kanë shkelur të tre parimet bazë që një qeverisje ekonomike korrekte dhe në funksion të rritjes së mirëqenies së qytetarëve të saj.

Nga kjo procedurë e “shpejtuar”, ne të gjithë vuajmë një çmim anormalisht të lartë dhe një procedurë tërësisht jashtë ligjeve të këtij shteti. Kjo vjen për shkak të caktimit në tavolinë, se cilat janë prioritetet, sa fonde duhen dhe kush do të punojë dhe gëzojë këto fonde.

Paratë e harxhuara në këtë rrugë, janë të votuesve shqiptarë, dhe si të tilla, ato duhet të ishin përdorur në formën e duhur dhe në masën e duhur. Ato janë para që janë hequr nga arsimi, shëndetësia dhe shërbimet publike ndaj qytetarëve.

Një qeveri nuk është entitet kontraktual për të mbaruar një punë të caktuar, me çdo kosto, si në rastin e mësipërm. Ajo është e zgjedhur me votë, për të mbrojtur interesin publik dhe për të zhvilluar ekonominë tonë të përbashkët, në mënyrën financiare më optimale dhe më të butë për njerëzit që kanë nevoja të përditshme, që nga ushqimi, arsimi, shëndetësia dhe siguria e jetës në vend.

Qeveria Berisha sillet si kontraktues i shqiptarëve dhe jo si një trup legjitim, që mbron interesat e tyre ekonomike, sociale dhe kombëtare. Si e tillë, ajo nënkontrakton cilëndo strukturë që mendon të aftë për të përmbushur detyrat që i caktohen, duke abuzuar rëndë me besimin dhe fondet publike.

Rastet e përsëritura, kur Kryeministri në mendjen e tij cakton, financon, zbaton dhe kontrollon cilat duhet të jenë prioritetet e të gjithë shqiptarëve, janë fenomeni më flagrant i abuzimit me fondet, pushtetin dhe legjitimitetin që të jep vota e qytetarëve shqiptarë. Prerogativë e këtij pushteti të pamatë, është të abuzojë dhe shpërdorojë të mirat publike, administrimin dhe besimin e qytetarëve të saj.

Kjo formë qeverisjeje mbart një gabim fatal në vetvete: Deformimin e demokracisë. Nëse shqiptarëve, thjesht do ju duhej një kontraktor që kryen vetëm një detyrë të caktuar dhe nuk ka asnjë preokupim për interesat e tyre të përbashkëta, ata mund të merrnin me pagesë një kompani të specializuar për të menaxhuar fondet e tyre publike (dhe nuk do të kishin nevojë për arrogancën e pamatë të qeverisjes së radhës).

Demokracia funksionon kur të zgjedhurit paraqesin dhe mbrojnë interesat e atyre që i vendosin në pushtet. Ajo nuk vlen kur qeverisja funksionon si një trup i fiksuar dhe i motivuar vetëm me vepra dhe shpërblime, që janë prioritare vetëm për të dhe asnjë shqiptar që, me të drejtë, pret një jetë më të mirë.

*Autori është Nënsekretar për Programin në PS


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML