Merkure, 07 Janar 2009 23:51:09

Lexoni versionin Print

Kodi dhe Presidenti

Kodi i ri Zgjedhor, i votuar në Parlament nga një shumicë e dukshme parlamentare, përmes një procesi bashkërendimi dhe konsensusi midis dy partive më të mëdha politike, PD-së e PS-së, vjen si hap plotësues i reformës zgjedhore të nisur me ndryshimet kushtetuese të muajit prill 2008.

Afrim Krasniqi*
Enjte, 04 Dhjetor 2008 08:59:00

Kodi i ri Zgjedhor, i votuar në Parlament nga një shumicë e dukshme parlamentare, përmes një procesi bashkërendimi dhe konsensusi midis dy partive më të mëdha politike, PD-së e PS-së, vjen si hap plotësues i reformës zgjedhore të nisur me ndryshimet kushtetuese të muajit prill 2008. Tashmë, në Kushtetutë është përfshirë sistemi i ri zgjedhor, proporcional rajonal, koncepti i ri i periudhës zgjedhore, procedura e re e mbledhjes së Parlamentit të ri, si dhe elementë të tjerë thelbësorë në dizenjimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri.

Në shumicën e neneve të reja, Kushtetuta ngarkon Kodin Zgjedhor për hartimin e specifikimeve, normave dhe rregullave. Një komision bipartizan harxhoi më se një vit kohë kalendarike për të prodhuar variantin final të Kodit, i cili edhe mori mbështetjen unanime të dy partive të mëdha. Ai u kontestua nga shumica e partive të vogla politike, kryesisht për anekse administrative, që mund të kenë ndikim dhe të vënë në dyshim besueshmërinë e procesit. Megjithatë, kontestimet dhe kritikat në tërësi nuk janë adresuar në aspekte të tjera të Kodit.

Një analizë e detajuar e Kodit të ri Zgjedhor, praktikisht nxjerr në pah disa kontradikta të vogla në dukje, të futura në Kod nga zelli i tepruar i ndonjë eksperti apo motiv tjetër teknik e politik, të cilat mund të cenojnë integritetin dhe kushtetutshmërinë e procesit elektoral. Gjermanët thonë se “në detaje fshihet djalli” dhe, në rastin konkret shqiptar, kjo shprehje rezulton të jetë më se e vërtetë.

Çështja më e ndjeshme është përcaktimi i datës së zgjedhjeve. Sipas Kushtetutës, neni 65, pika 2, “zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt, që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit”. Kodi i ri Zgjedhor, në nenin 8 përcakton periudhë zgjedhore, periudhën “që shtrihet nga 15 marsi deri në 30 qershor, ose nga 15 shtatori deri në 30 nëntor”.

Sipas nenit 9 të Kodit Zgjedhor, dekreti për zgjedhjet e ardhshme parlamentare nxirret nga Presidenti “jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit”. I njëjti Kod dhe gjithashtu edhe vetë Kushtetuta (neni 65) përcaktojnë se mandati i Kuvendit aktual "fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë”.

Kuvendi aktual e ka nisur mandatin e tij me datën 2 shtator 2005 dhe, për rrjedhojë, mandati i tij përfundon me datën 2 shtator 2009. Kjo datë nuk bën pjesë në asnjërën prej periudhave të reja zgjedhore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, ndaj, për t’i dhënë zgjidhje problemit, Kushtetuta bën interpretimin shtesë se “zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt, që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit”. Sipas këtij neni kushtetues, zgjedhjet e vitit 2009 duhet të zhvillohen “në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit”, pra midis periudhës zgjedhore, nga 15 marsi deri me 30 qershor 2009.

Me ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor, neni 9, pika 2, Presidenti dekreton datën e zgjedhjeve 9 muaj përpara. Pra, nëse zgjedhjet do të duheshin të zhvilloheshin në periudhën mars-qershor 2009, Presidenti do të duhej të kishte dekretuar datën e re të zgjedhjeve në një nga muajt e kaluar, qershor-shtator 2008.

Praktikisht, kjo është e pamundur pasi, një rregull i tillë është vendosur me Kodin Zgjedhor, i cili është miratuar nga Parlamenti në mesin e muaji nëntor 2008, pra dy muaj pas skadimit të kompetencës së Presidentit. Nëse Presidenti do të pranonte ndryshimet në Kod lidhur me datën e zgjedhjeve, atëherë ai do të ishte i detyruar të dekretoje zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare midis datës 15 shtator-30 nëntor 2009, gjë që zgjat pa argument mandatin e Parlamentit ekzistues dhe cenon Kushtetutën.

Edhe nëse kryetari i shtetit vendoste apriori të afrojë zgjedhjet në periudhën qershor 2009, praktikisht dekreti do të ishte ndesh me nenin 9 të Kodit Zgjedhor dhe, që në start, lind të një krizë e re ligjore dhe administrative në procesin zgjedhor 2009.

Prandaj, është e dukshme se ky rregull i ri i vendosur nga Kodi Zgjedhor, cenon kompetencat bazë të Presidentit, kufizon të drejtat e tij kushtetuese, e vë atë në konflikt të panevojshëm me aktorët politikë dhe që në start cenon rëndë integritetin e vetë Kodit Zgjedhor dhe konsensusit të madh politik që e shoqëroi atë. Kthimi i ligjit në Parlament për të bërë korrektimet e nevojshme, qoftë me një dispozitë kalimtare, qoftë me një ndryshim të afatit kohor për dekretin e zgjedhjeve, nga 9 në 3, ose 6 muaj përpara mbarimit të mandatit të Kuvendit, është rruga e vetme institucionale për vendosjen e kushtetutshmërisë së Kodit Zgjedhor.

Për më tepër, ky defekt thelbësor i Kodit Zgjedhor bëhet edhe më shqetësues nëse e ballafaqojmë me nenin 67 të Kushtetutës.

Sipas këtij neni, “Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati”. Pra, Presidenti duhet ta mbledhë Parlamentin e ri të dalë nga zgjedhjet e vitit 2009 jo më vonë se data 12 shtator 2009, dhjetë ditë pas mbarimit të mandatit të Parlamentit aktual. Paradoksi bëhet më i madh nëse citojmë vijimin e nenit 67 të Kushtetutës, sipas të cilit, “në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi vetëmblidhet në ditën e dhjetë të afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni”.

Duke pasur një precedent, debatet politike për mbledhjen e Parlamentit në gusht-shtator 2005, me Kodin e ri krijohet hapësira kushtetuese hipotetike që një mazhorancë e dukshme, e dalë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të thërrasë Parlamentin duke iu referuar kësaj pike të Kushtetutës, ndërkohë që Kodi i ri Zgjedhor, nuk e lejon Presidentin të ushtrojë kompetencën e tij kushtetuese.

*Lektor i partive dhe i sistemeve politike


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML