Vitit 2008 do të mbahet mend si viti më paradoksal i shqiptarëve. Është viti më i mirë për shqiptarët dhe viti më problematik për një pjesë të mirë të globit. Është abuzuar shumë me togfjalëshin "ngjarje historike" dhe ky shpërdorim i këtij termi bën që edhe ngjarje që do të mbeten në histori të mos e kenë atë kumbim që duhet ta kenë.
Ngjarjet që ndodhën për ne këtë vit, ndoshta ndodhin një herë në 100 vjet; Pavarësia e Kosovës dhe marrja e ftesës së Shqipërisë për në NATO. Pavarësia e Kosovës dukej e pamundur, dhe marrja e ftesës për në NATO nuk ka qenë kurrë e sigurt.
Vendet që janë anëtarësuar në NATO janë konsideruar se zënë një vend në paradhomën e BE-së. Por, më shumë se kalkulim politik, vendimi që mori samiti i Bukureshtit ishte një konfirmim i vlerave, për të cilën aspiron shoqëria shqiptare.
Në politikën e brendshme, viti 2008 do të mbahet mend si viti ku u zbeh polariteti politik deri në atë shkallë sa u vu në pikëpyetje roli i opozitës në një shoqëri demokratike! Ndryshimet kushtetuese, Kodi Zgjedhor dhe ligjet për drejtësinë morën aq shumë vota, sa ngritën supet dhe vetullat e skeptikëve.
Është viti i parë ku forcat kryesore politike bien në një mendje për reforma të rëndësishme dhe kjo nuk është pak në një vend ku Kushtetuta është miratuar më 1998-n me pëlqimin e një krahu politik. Opozita ka meritën se gjithë betejën politike e zhvilloi kryesisht në Kuvend dhe në ekranet e televizioneve.
Kalimi nga sheshet tek ekranet është një precedent i mirëpritur për një vend ku beteja për të nxjerrë njerëz në mitingje ka qenë detyrë mbi të gjitha detyrat. Me gjithë paqen e madhe, shumica nuk nguroi të tregojë muskujt në Kuvend, siç ishte rasti i ligjit të shumëdiskutuar për "dosjet". Miratimi me konsensus i Kodit Zgjedhor, ndoshta është dhe fundi i muajve të mjaltit mes pozitës dhe opozitës. Fushata elektorale, de facto mund të nisë që në muajin janar dhe do të na marrë malli për qetësinë e vitit 2008!
Por, 2008-a do të mbahet mend edhe për tragjedinë e tmerrshme të Gërdecit. Hetimi i nisur nuk dihet se kur do të përfundojë, por është hera e parë në historinë e shtetit shqiptar që Prokuroria e shtetit nis hetim për dy anëtarë të kabinetit qeveritar (për dy raste të ndryshme).
Kjo është një risi dhe dëshmi se sistemi demokratik në vend, me gjithë problemet jo të pakta funksionon, dhe (shpër)ndarja e pushtetit nuk është vetëm leksion demokracie, por një realitet i prekshëm. Përfundimi i hetimit dhe gjykimit të dosjes së Gërdecit dhe rrugës "Durrës Kukës" do të jetë një gur prove për drejtësinë dhe klasën politike në vend. Nocioni se në demokraci askush nuk është mbi ligjin, përfshin edhe vetë ligjvënësit.
2008-a do të mbahet mend si viti kur, me gjithë krizën globale që trokiti dhe po troket në të gjithë vendet e globit, Shqipëria vijon me rritjen ekonomike prej 6%- çka është mbresëlënëse. Në 2008-n, çmimi i naftës arriti qiejt dhe u kthye prapë në tokë, (megjithëse në Shqipëri i kapi majat, por karteli i importuesve të naftës nuk lejoi kthimin në tokë).
Është një paradoks i vërtetë, në kohën kur ekonomitë e Perëndimit po përjetonin bumin ekonomik në mesin e viteve ‘90, Shqipëria përjetoi krizën e madhe financiare, politike e shoqërore të vitit ‘96-‘97! Sot që këto ekonomi janë në recesion, Shqipëria vijon me rritje ekonomike! (Kjo situatë meriton një analizë të gjerë, por ky nuk është objekti i këtij forumi)
2008-a do të mbahet mend tek shqiptarët për zgjedhjet në SHBA, do të mbahet mend jo vetëm për fituesin, jo vetëm për ditën e zgjedhjeve, por edhe për procesin elektoral brenda dhe mes partive politike.
Si traditë thuhet dhe urohet që Viti i Ri do të jetë më i mirë. Këtë radhë druaj. Këtë vit vendi do të bëhet anëtar me të drejta të plota në NATO, por do të ketë dhe zgjedhjet parlamentare, ngjarja më e madhe e një vendi në situatë paqeje.
Këto zgjedhje mund të shënojnë ndarjen faktike me tranzicionin, ose në rastin më të keq, disa hapa prapa në raport me aspiratën që ka vendi drejt integrimit në BE. Është viti i përfundimit të projektit më të madh infrastrukturor që është ndërmarrë ndonjëherë. Në një përqasje anekdodike, "violina" e kësaj rruge do të duket më vonë, por është e sigurt.
2009-a mund të jetë edhe viti i thellimit të krizës ekonomike botërore dhe, kjo krizë, megjithëse është shfaqur vetëm si hije, mund të prekë edhe Shqipërinë.
Ashpërsimi i klimës politike, zgjedhjet parlamentare dhe kriza ekonomike botërore, janë tre zhvillime që mund të na bëjnë ta kujtojmë me mall vitin që po mbyllet dhe në fund të vitit tjetër të themi: 2008-a ishte më mirë se 2009-a.
*Artikulli është në kontekst të Debatit të djeshëm “2008, vit më i mirë apo më i keq për shqiptarët”. Titulli i plotë:“Kur ne jemi mirë, bota është keq dhe anasjelltas...”