Në lidhje me debatin që u ngjall pas botimit të artikulli tim me titull “Alfabeti shqip – miti dhe e vërteta” në gazetën “Shekulli” (12.12.2008) (i referohem sidomos artikullit të profesorit të nderuar Rami Memushaj “Gabim historik apo një zgjidhje historike?”, botuar në gazetën “Shekulli” (19-20.12.2008)), e quaj të domosdoshme të bëj sqarimet vijuese:
Është fakt i pamohueshëm se Kongresi i Manastirit dha zgjidhjen më të mirë të mundshme. Kjo zgjidhje është konfirmuar nga përvoja shekullore shkrimore e shqiptarëve. Qëllimi ynë nuk është që të kontestojmë alfabetin shqip (nuk kemi ndërmend të propozojmë zgjidhje të reja për të shkruar shqipen), por të shprehemi në bazë të teorisë grafematike se cili është alfabeti i shqipes.
Fakti metalinguistik që, për të bindur njëri-tjetrin me argumente, këto radhë i shkruajmë në alfabetin që na la Kongresi i Manastirit do të përbënte një kundërthënie në rast se do t’i kundërviheshim këtij alfabeti. Edhe në këtë vështrim del një nga vlerat e Kongresit: se në atë zgjidhje (jopërfundimtare) u arrit përmes një heterogjeniteti grafematik, ndërsa sot pozita e atij që synon të rimarrë çështjen e alfabetit duhet nëntekstualisht të zgjidhë këtë antinomi, d.m.th., siç shprehet një lexues i shqetësuar, të argumentojë “pse çalon gomari nga veshët”.
Kur flasim, pra, për Kongresin e Manastirit, e quajmë si të dhënë çështjen e njësimit të shkrimit, e quajmë përfundimisht të zgjidhur. Pra, nuk vëmë në dyshim mënyrën se si shkruajnë sot njohësit e shqipes. Nuk propozojmë një sistem tjetër grafematik. Nuk kthehemi tek kërkesa absolute një grafemë:një fonemë (ose më thjesht një “tingull”: një “shkronjë”), d.m.th. tek debati mundues i pjesëmarrësve të Kongresit të Manastirit.
Çdo njeri normal, kur dëgjon që diskutohet për alfabetin, me të drejtë provon menjëherë një shije të keqe, sepse është sikur ndërhyhet tek një nga mjetet më të zakonshme, më të domosdoshme dhe më funksionuese të përditshmërisë së vet. Vërtet, ç’kuptim ka të diskutojmë për problemin e frymëmarrjes së njeriut dhe ta përkufizojmë me mënyrë tjetër?
Diletantizmi dhe fryma profane nuk kanë vend në debatin tonë. Qëllimi ynë nuk është t’u propozojmë shqipfolësve të shkruajnë me një mënyrë tjetër. Nuk ka lindur ndonjëherë ndonjë nevojë e tillë. Alfabeti shqip e përmbush më së miri këtë mision dhe nuk ka vend për kontestime. Do të ishte mungesë ndjenje realiteti, në qoftë se do të na shkonte mendja tek një ndërmarrje e tillë donkishoteske.
Qëllimi i artikullit tonë ishte që, nisur nga teoria grafematike, të kujtojmë se alfabeti paraqet inventarin grafematik të një gjuhe, në rastin tonë të shqipes. Në qoftë se biem dakord në këtë pikë, atëherë mund të zbulojmë qartë se cilat JANË grafemat e shqipes dhe jo cilat MENDOJMË SE JANË.
Nga kjo pikë vështrimi digramet (ose dyshkronjëshat) nuk kanë vend në alfabet (në çdo lloj alfabeti, jo vetëm në atë të shqipes), pasi janë të analizueshëm në dy grafema. Paraqitja e digrameve në alfabet nënkupton një gjuhë që ende nuk e ka kristalizuar çështjen e standardizimit të vet grafematik. Prania e tyre në alfabet e bën të pashmangshëm, megjithëse të tepërt e të panevojshëm, konotacionin historik. Gjuha shqipe e ka kapërcyer me kohë këtë fazë.
Është e vërtetë se ka alfabete në botë që përfshijnë edhe digrame, disa prej tyre më shumë, si p.sh. baskishtja (ll, rr, ts, tx, tz), Ewe, një gjuhë e Ganës në Afrikë (dz, gb, kp, ny, ts), e disa më pak si, p.sh. gjuha filipineze (ng), gjuha malteze (gh), suahili (ch) etj. Problemi shtrohet nëse shqipja do të radhitet krahas anglishtes, frëngjishtes, gjermanishtes, italishtes, spanjishtes etj. dhe kulturave të tyre apo do të mbetet nën problematikën e atyre gjuhëve / kulturave që përfaqësojnë alfabetet me shembujt e sipërpërmendur?
Nuk është e drejtë të themi nga njëra anë se alfabeti i shqipes bazohet në parimin një “tingull”-NJË “shkronjë” dhe nga ana tjetër të pohojmë se në alfabetin shqip përfshihen edhe DYshkronjësha, të cilat qenkan NJË grafemë. Alfabeti që kemi sot nuk është alfabeti në vetvete, por shpjegimi i tij, është më shumë se një alfabet, me një fjalë, një më-se-alfabet. Nuk përmban vetëm inventarin grafematik, por edhe atë fonetik, shtrihet domethënë përtej vetes, duke marrë një karakter pleonastik.
Argumentojmë cilat janë arsyet historike që trashëguan këtë problem: miratimi i dy alfabeteve në kushtet e mosqenies së shtetit shqiptar, kushte të cilat ka kohë që kanë pushuar së vepruari. Praktika shkrimore konfirmoi përdorimin e alfabetit të mbështetur vetëm mbi shkronjat latine, por la paspërshtypjen sikur në alfabetin e shqipes ekzistojnë dyshkronjëshat.
Kjo erdhi si rrjedhojë e propozimit të dy alfabeteve në Kongresin e Manastirit. Por sot, pas një shekulli, ç’kuptim ka të gënjehemi duke thënë se alfabeti shqip ka 36 shkronja? Mos vallë për të respektuar parimin “një tingull-një shkronjë”? Ky parim në alfabetin shqip as nuk zbatohet dhe as ka nevojë të zbatohet.
Krijimi i mitit për alfabetin shqip nuk është vepër e Kongresit të Manastirit, por e kohës që ka ndërmjetësuar. Thelbi i këtij “miti” është se dyshkronjëshat qenkan grafema. Çmitizimi ka të bëjë me guximin tonë për ta parë të vërtetën në sy dhe për të hequr përfundimisht dyshkronjëshat nga alfabeti, por për të mos i hequr nga përdorimi.
D.m.th. kombinimet dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh do të vazhdojnë të kenë të njëjtën vlerë fonetike dhe çdo njohës i shqipes do t’i shqiptojë, ashtu si deri më sot, edhe në të ardhmen përkatësisht dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh, por nuk ka asnjë arsye që këto t’i quajmë shkronja të veçanta.
Domosdoshmëria e identifikimit të saktë të alfabetit shqip duke marrë si bazë vetëm teorinë grafematike nuk çon vetëm në një zgjidhje përfundimtare teorike, por edhe praktike. Duke mos njohur dyshkronjëshat si grafema të veçanta i jepet fund atij provizoriteti që trashëguam nga mungesa e një prononcimi zyrtar (madje edhe autoritar, po të doni) lidhur me inventarin e saktë të alfabetit shqip. Mandej, do të kuptohet më mirë se si funksionon vetë gjuha shqipe, sidomos marrëdhëniet midis sistemit të saj fonetik/fonologjik dhe grafematik.
Diskutimi për alfabetin nuk mund të jetë pronë vetëm e gjuhëtarëve. Si çështje sociolinguistike i përket gjithë shoqërisë të ketë dijeni dhe të marrë pjesë në diskutim. Roli i gjuhëtarëve është që të drejtojnë rrjedhat e këtyre diskutimeve me argumente shkencore gjuhësore, dhe jo thjesht me logjikën e zakonshme të përsëritjes së argumenteve ditirambike . Kjo është një nga arsyet që ne zgjodhëm botimin në gazetë dhe një nga arsyet, besojmë, që redaksia e gazetës “Shekulli” pranoi të botonte artikullin tonë.