Siç jemi shprehur gati çdo javë në këta tre muaj, ne vëzhguesit e jetës ekonomike, por edhe çdo individ, jeta e të cilit patjetër që ndikohet nga mirë, apo keqadministrimi i burimeve, pushtetit dhe instrumenteve politikëbërëse në Shqipëri, kemi plot arsye të shqetësohemi nga ky lajm. Nga fakti pra, që FMN-ja, sot e tutje, ndërpret rolin e saj të “mbikëqyrjes së afërt” dhe “rekomandimit të ashpër” mbi administratën qendrore shqiptare, duke i lënë asaj dorë të lirë të vendosë.
Siç la të kuptohej zonja Westin muaj më parë, hapi më normal që pritej në këtë kuadër do të ishte një kërkesë e menjëhershme e qeverisë shqiptare për të ripërtërirë një marrëveshje të ngjashme. Plot faktorë e bënin të domosdoshme këtë, kësaj here. Së paku, edhe për 2 vitet e ardhshëm. Shqetësimi i parë, pra, lidhet me këtë injorim total të ftesës indirekte për ta ripërtërirë marrëdhënien. Pavarësisht formatit juridik të ndryshëm që do të kishte marrëveshja. Përkundrazi, qeveria e priti gati me një gëzim e hare të papërmbajtur faktin që FMN-ja ... hiqej qafe!
Natyrisht që kjo kontratë 3-vjeçare do të përfundonte një ditë. Natyrisht që çdo marrëdhënie e këtij tipi mbikëqyrjeje të rreptë nga FMN-ja, për çdo vend, e ka një fund. Por, fundi lidhet së paku me pjekjen e dy premisave bazë. E para, ekonomi e konsoliduar që demonstron rritje të qëndrueshme.
E dyta, qeverisje me përgjegjshmëri të demonstruar. Shqetësohem se nuk i kemi këto. Merrni raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë për bilancin e pagesave dhe do të shohim se brishtësia e sistemit tonë është rritur. Ndërsa përgjegjshmëria e qeverisjes është sot jo thjesht “e përgojuar”, por edhe e denoncuar konkretisht në dosje hetimore.
Unë nuk hyj tek ata që e duan FMN-në patjetër si “polic te koka”. Por shqetësohem, sepse për situatën tonë konkrete, bashkë me “lirinë për të dalë nga kornizat e FMN-së” vijnë edhe risqet e shtuara, sidomos ato që lidhen me pjekurinë, cilësinë, integritetin moral dhe përgjegjshmërinë e demonstruar deri tani të kësaj qeverisjeje.
Është i madh rreziku pra, që bashkë me lirinë që të vetëvendosë, qeveria merr kështu indirekt edhe liri më të madhe; që të kullosë, të qullosë, pse jo, edhe...të na fundosë!Frika për këtë nuk është pa bazë. Baza gjendet lehtë tek vetëdeklaratat e FMN-së lëshuar rresht gjatë këtij viti.
Së paku, deklaratat e majit,gushtit, tetorit, 11 nëntorit, kujdesen që të na bëjnë të qarta pikërisht këto risqe, pas ndërprerjes së marrëveshjes me FMN-në. Deficiti i thellë tregtar dhe ai i llogarisë korrent, mospërmirësimi i gjendjes së KESH-it, risqet në bilancin e përgjithshëm fiskal, prirja për rritje të borxhit, shpenzimet pa kritere të qarta, etj., janë vetëm disa prej nënvizimeve që FMN-ja bën.
Por, ndoshta ato që e kanë mërzitur më fort qeverinë tonë dhe kanë alergji ndaj qëndrimit, qoftë edhe një orë më tepër të FMN-së, janë dy gjëra: këmbëngulja e saj për të mos lejuar lojëra politike me shifrat (GDP-ja dyshifrore, etj.) dhe e dyta, paralajmërimi i saj mbi rrezikun që mund të sjellë sjellja populiste e kryeministrit tonë, sidomos gjatë fushatës elektorale.
Rreziku pra, që, për interesa elektorale, ai t’ia fusë me top buxhetit dhe borxhit të jashtëm e të brendshëm. Duke shpenzuar me dhe pa kriter paratë që ka dhe ato që...nuk i ka. Duke na lënë ne dhe ekonomisë faturën e rëndë, si dhe arsye për ta sharë (sa të ngopemi), teksa ai gëzon mandatin e dytë katërvjeçar.