Ngjarjet mbi rritjen ekonomike, këto dy ditët e fundit bëjnë të mendosh dy herë mbi seriozitetin e shifrave të prodhuara nga qeveria shqiptare në këtë fillimviti. Përpjasja e sajuar televizive midis kryeministrit dhe ministrit të Financave, ishte një shfaqje e trishtë, që nuk kishte pse të ndodhte në sytë e taksapaguesve shqiptarë.
Pas gjithë përpjekjeve të dështuara për të na shtyrë në fyt, ashtu si gjeldetit të Vitit të Ri shuken, një rritje ekonomike të paqenë, qeveria ndihet në siklet para votuesve, organizmave kombëtare dhe ndërkombëtare që reaguan menjëherë. Si gjithmonëë e më shpesh, këto kohët e fundit, qeveria e ka humbur sinkronin e siguruar me zor, me mendimin dhe aprovimin e dobët ndërkombëtar.
Ajo që po ndodh këto ditë është thjesht një show mes “kryeministrit dhe kryeministrit”; sepse ai e ka, ka pasur dhe do ta ketë tërë vendimmarrjen në dorë.
Në këtë rast, "INSTAT Berisha" acarohet me "Financë Berishën". Nuk është aspak serioze në sytë e taksapaguesve, kur fondet e shqiptarëve shpërdorohen dhe abuzohen në mënyrë të tillë tragjikomike. Shfaqje të tilla janë sa qesharake dhe të trishta, kur mendon që keto fonde mund të ishin përdorur më mirë në shëndetësi, arsim, bujqësi, etj.
Mashtrimi me rritjen dyshifrore është i fundit në vazhdën e mashtrimeve për “përmirësimin e mirëqenies dhe të ardhurave të shqiptarëve, me 3 herë në këto 10 vite”, “rrijten astronomike të pagave dhe pensioneve reale”, etj. Vetëm se, këtë herë, kryeministri po shkel në një territor të minuar dhe shumë sensibël; veçanërisht në periudhën delikate që kalojmë si ekonomi, që do ta nxjerrë shpejt bllof para organizmave ndërkombëtarë dhe votuesve shqiptarë.
Në rast se Ministria e Financave nuk është kompetente, si dhe deklaron Berisha, atëherë dhe buxheti 2008, projektbuxheti 2009 dhe të tjera veprime të financave shqiptare, janë të pavlefshme dhe votuesit kanë të drejtë të kërkojnë llogari se kush i paraqet në qeveri dhe në interesat e tyre të përbashkëta: INSTAT-i apo Ministria e Financave? Forca e madhe e gravitetit që ushtron kryeministri mbi ligjin, instititucionet dhe ekonominë, bën që një fjali e vetme e tij të mundë çdo studim, logjikë, organizëm apo dhe komunitet ndërkombëtar. Logjika e fortë e kryeministrit mund të ulë nga karrigia çdo lloj argumenti shkencor në ekonomi dhe apo tjetër fushë ku ai aplikon gravitetin e tij.
Sipas logjikës së fundit të Berishës, del që financat dhe ekonomia e shtetit nuk janë kompetencë e ministrit Bode, po e INSTAT-it. Ndoshta më vonë do të jenë e një trupi tjetër, pasi të bjerë në ultësira historike dhe kredibiliteti i këtij të fundit. Duket sikur paratë e shqiptarëve po kalojnë përherë e më shumë në administrim të institucioneve tërësisht paraqeveritare, në ndikim të gravitetit Berisha. Askush nuk garanton dot me taksapaguesin shqiptar se ku janë sot paratë e tij dhe sa mirë po shpenzohen ato.
Ajo që ne shohim sot në shfaqje, është vetëm maja e ajsbergut të qeverisjes që kemi mbi vete. Forca e vërtetë, graviteti fitimprurës, qëndron nën sytë tanë; i zhytur thellë në ujërat e errëta të marrëveshjeve të ndërlidhura ngushtë me njëra-tjetrën.
Nëse ka një rritje dyshifrore, eksponenciale a marramendëse, ajo sigurisht që nuk është për qytetarin e thjeshtë; nëse ka një mirëqenie të përmasave përrallore, ajo prapë nuk është për qytetarin e thjeshtë. Pesha e gjithë asaj që ne nuk shohim, por po e ndiejmë mbi supet tona përherë e më shumë, është ekonomia ajsberg, që po rritetpër kastën që sot ka pushtetin pa kufi.