Marte, 16 Mars 2010 01:45:47

Lexoni versionin Print

Një debat mbi pikëpyetjet e Kodit të ri

Kodi i ri Zgjedhor, prodhuar nga dy partitë e mëdha politike, PD-ja e PS-ja, ishte për të dytën herë brenda një muaji kalendarik, objekt i vendimmarrjes së Parlamentit shqiptar.

Afrim Krasniqi
Premte, 09 Janar 2009 09:10:00

Kodi i ri Zgjedhor, prodhuar nga dy partitë e mëdha politike, PD-ja e PS-ja, ishte për të dytën herë brenda një muaji kalendarik, objekt i vendimmarrjes së Parlamentit shqiptar. Arsyeja e rivotimit ishte dekreti i Presidentit për korrektimin e neneve zgjedhore, që kanë të bëjnë me datën e zgjedhjeve.

Dy partitë e mëdha, të vetëdijshme për kundërshtitë lidhur me datën, refuzuan ndërhyrje të mëtejshme, duke vijuar ta konsiderojnë Kodin një arritje të madhe politike e parlamentare. Referuar numrit të votave në Parlament, Kodi mbetet një nga aktet ligjore më të votuara, madje më i votuar se ndryshimet kushtetuese të muajit prill 2009. Formalisht, kjo është një arritje, por në gjitha sistemet politike, përfshirë edhe sistemin demokratik, numri i votave jo gjithnjë është i barazvlefshëm me rëndësinë e akteve.

Hartuesit e Kodit të ri Zgjedhor dhe mbështetësit me shumicë absolute parlamentare, deklaruan se qëllimi i Kodit do të ishte garantimi i stabilitetit politik, rritja e transparencës elektorale, eliminimi i skemave taktike “Dushk”, si dhe riformatimi i sistemit politik, nga një sistem shumëpartiak, në një sistem me 3-4 parti politike efektive në mazhorancë ose në opozitë. Tani që Kodi është mbyllur dhe pritet data e zgjedhjeve, kemi mundësinë për të analizuar sa janë arritur synimet e mësipërme politike.

Një analizë e detajuar dhe krahasuese e Kodit aktual, me përvojën e kaluar të legjislacionit dhe proceseve zgjedhore, sjell argumente me peshë në favor të tezës se Kodi i ri ka hapësira, mospërputhje dhe kundërshti me legjislacionin në fuqi. Ato, në rastin më të mirë krijojnë bazë për probleme gjatë gjithë procesit elektoral, dhe në rastin më të keq mund të përdoren për të deformuar frymën kushtetuese të zgjedhjeve dhe Parlamentit të ardhshëm.

Kjo është arsyeja që apeli i institucioneve ndërkombëtare dhe faktorit shqiptar jopartiak, bashkohej në nevojën që partitë, përfshirë dy partitë hartuese të Kodit, të angazhohen për zbatimin e tij konsensual dhe integral.

Kërkesa për vullnet politik për të zbatuar dhe jo deformuar apo përfituar nga mangësitë e Kodit, bëhet edhe më e rëndësishme, nëse sjellim ndërmend se ishin pikërisht hapësirat ligjore brenda Kodit Zgjedhor konsensual të vitit 2003 e 2005 që përdorën për të prodhuar skema taktike si ato të “Dushkut” apo konflikte të shumta politike para e paselektorale.

Synimi kryesor, ai për ndalimin e skemave taktike të “Dushkut”, praktikisht edhe me këtë Kod të ri Zgjedhor, potencialisht mbetet i parealizuar. Kështu, Kodi i Ri Zgjedhor stimulon koalicionet e mëdha, pra edhe mundësitë e përfshirjes në listat e partive të mëdha të kandidatëve të “zgjedhur” nga partitë e vogla aleate.

Edhe sikur kjo të mos ndodhë, Kodi krijon gjithashtu mundësinë që partitë që mund të fitojnë secila 4-4.5% të votave në shkallë lokale e kombëtare, por që nuk bëjnë pjesë në njërin prej koalicioneve të mëdha, të mos fitojnë asnjë mandat parlamentar. Ndërkohë, Kodi u krijon mundësinë të fitojnë mandate parlamentare partive të vogla, pjesë të koalicioneve të mëdha, edhe pse ato në nivel lokal e kombëtar mund të mos marrin më shumë se 2-2,5% të votave.

Nëse në rastin e parë do të kemi, p.sh., 3-4 parti që ndëshkohen dhe në rastin e dytë gjithashtu 3-4 parti të vogla që përfitojnë, atëherë në Parlamentin e ri do të kemi ekzaktësisht atë produkt që doli nga Dushku dhe Mega-Dushku, parti fiktive me mandate, por që janë satelite të partive të mëdha dhe parti serioze politike që mbesin jashtë Parlamentit, sepse ndëshkohen nga përjashtimet e dy partive të mëdha. Nëse kjo ndodh, atëherë kemi të bëjmë me devijim nga parimi kushtetues i zgjedhjeve të ndershme dhe të drejta dhe një formë të re të praktikave taktike të Dushkut.

Synimi i dytë i rëndësishëm, se Kodi krijon shanse të barabarta për partitë dhe kandidatët, gjithashtu mbetet i papërmbushur. Së pari, vendimi për largimin e komisionerëve të partive të treta politike nga i gjithë procesi i administrimit zgjedhor, është masë penalizuese për këto parti.

Së dyti, referimi në Kodin e ri të rezultateve të zgjedhjeve 2005 dhe jo aktualitetin parlamentar 2009, krijon pabarazi tjetër të dyfishtë. Rreth 15-20 deputetë kanë lëvizur nga dy partitë e mëdha, kanë krijuar parti të tjera politike ose u janë bashkuar grupimeve të reja. Kodi i injoron këto parti dhe lëvizje.

Koha televizive dhe masa e tyre e financimit u shkon edhe më tej partive të mëdha. Argumenti se lëvizja e deputetëve nuk merret në konsideratë është i pasaktë në thelb. Imagjinoni më 1991-shin, kur PS-ja u krijua nga PPSH-ja, më 1992-shin PAD-ja doli nga PD-ja, apo 2000-në, kur PDr-ja doli nga PD-ja dhe më 2004-n, kur LSI-ja doli nga PS-ja. Në bazë të këtij Kodi Zgjedhor, asnjë prej këtyre subjekteve nuk do të pranoheshin në zgjedhje si subjekte parlamentare, gjë që natyrisht është sa absurde aq edhe jo realiste.

Kufizime të rrepta u adresohen edhe shanseve për kandidim të individëve të pavarur dhe partive joparlamentare. Sipas Kodit, një kandidat i pavarur duhet të krijojnë një komision me 9 persona, më pas të marrin leje në KQZ për nisjen e punës për regjistrim, pastaj të mbledhin disa mijëra firma votuesish, t’i noterizojnë ato (imagjinohet pagesa e lartë e noterizimit) dhe më pas të shpresojë se KQZ-ja do ta pranojë si kandidat të pavarur.

Kodi nuk lejon që kandidatët e pavarur të jenë figura të ndonjë partie, apo të mbështesin një parti të caktuar në fushatë, gjë që natyrisht nuk është normale. Asgjë të keqe nuk ka, nëse një kandidat i pavarur mendon se në një rreth të caktuar mund të fitojë, duke shprehur simpati për një parti politike apo duke premtuar se pas zgjedhjeve do të bashkëpunojë me parti e qeveri të caktuara.

I hartuar me qëllim për të parandaluar problemet e disiplinës brenda partive të mëdha, pra për të mos lejuar që individët, të cilët nuk përfshihen në listat e partive të mëdha, të largohen nga partia dhe të dalin të pavarur, Kodi “bunkerizon” partitë dhe ngushton ndjeshëm konkurrencën elektorale.

Edhe në detyrimin që partitë joparlamentare të mbledhin 10-15 mijë firma për regjistrim në zgjedhje, është diskriminues dhe mund të shoqërohet me pasoja për procesin.

P.sh., aktualisht kemi në Parlament katër parti parlamentare që kanë fituar më pak vota më 2005-n sesa LZHK-ja, por sipas Kodit të ri Zgjedhor, regjistrohen direkt vetëm partitë që sigurojnë minimalisht një firmë deputeti (gjithnjë partitë e mëdha janë të gatshëm të dhurojnë një firmë deputeti në shkëmbim të aleancave të kushtëzuara elektorale), kurse të tjerët, që më 2005-n nuk u bënë pjesë e Dushkut, përsëri janë të dënuar të blejnë një firmë deputeti ose të mbledhin 10-15 mijë firma të noterizuara.

Synimi i tretë, për garantimin e transparencës financiare të fushatës, me Kodin e ri Zgjedhor mbetet përsëri potencialisht i paarritshëm. Kjo për disa arsye. E para, në një vend me ekonomi formale 30-35%, nuk ka asnjë garanci se financimi elektoral do të jetë 100% legal. E dyta, Kodi ndalon përdorimin e fondeve dhe mjeteve publike për fushatë, por praktikisht, siç ndodh çdo ditë, çdo parti dhe politikan që zotëron sadopak pushtet qendror e lokal, i përdor maksimalisht këto pushtete për përfitim politik dhe elektoral.

Ne kemi deputetë në Parlament që ushtrojnë aktivitet me fondet publike dhe, ndonëse kjo ndalohet me Kushtetutë, asgjë nuk është bërë për ndalimin e këtyre praktikave abuzive. Kështu, nuk mund të ketë garanci se një gjë e tillë nuk do të ndodhë edhe në fushatë, për më tepër kur aty diskutohet mandati i tyre politik.

Arsyeja e tretë është se Kodi Zgjedhor, ndonëse përfshin mekanizmin pozitiv të auditimit me ekspertë kontabël të pavarur, neni 91 i Kodit Zgjedhor lë të hapur dhe në dëshirën e KQZ-së afatet kohore për publikimin e raporteve të auditimit. Kodi nuk ofron zgjidhje për problemin kryesor, çfarë do të ndodhë nëse provohet se një parti ka shkelur ligjin, ka financime të dyshimta, etj.

Dy javë më parë, në një vend të largët dhe jo shumë demokratik si Tajlanda, gjykata vendosi nxjerrjen jashtë ligjit të partisë drejtuese në pushtet, pikërisht me një akuzë të tillë. Në Shqipëri ligji nuk ofron asnjë masë konkrete, për më tepër kur bëhet fjalë për një KQZ, e cila sipas Kodit të ri, do të jetë tërësisht politike dhe vendimmarrje të kushtëzuar bipartizane.

Në përpjekje për të krijuar instrumente ligjore apelimi, Kodi Zgjedhor bën ndërhyrje direkt në mandatin, imunitetin dhe institucionin e karrierës së gjyqtarëve, pushteti i tretë kushtetues në Shqipëri. Kodi Zgjedhor detyron krijimin e Kolegjit Zgjedhor përmes një procedure përjashtuese dhe në thelb antikushtetuese.

Partitë kanë të drejtën të përjashtojnë gjyqtarë nga shorti pa dhënë asnjë arsye, pra me kritere joligjore, subjektive dhe natyrshëm, politike. Shqetësimi tjetër lidhet me mandatin e Kolegjit Zgjedhor. Sipas Kodit, ai vepron gjatë gjithë periudhës zgjedhore, pra 9 muaj përpara datës së zgjedhjeve dhe 2-3 muaj të periudhës së apelimit, në total rreth një vit kalendarik.

Gjatë kësaj periudhe të gjatë kohore nuk mund të ndërmerret asnjë kontroll apo masë disiplinore ndaj këtyre gjyqtarëve, dhe njëherësh, asnjë gjyqtar i Kolegjit nuk mund të promovohet në karrierë. Imuniteti ndaj hetimit të punës së tyre dhe pengesa më se njëvjeçare për t’u dhënë shansin e promovimit në karrierë, janë dy pasoja të Kodit, të cilat vijnë ndesh me legjislacionin për sistemin gjyqësor dhe kushtetues në Shqipëri.

Premtimi i bujshëm për arritjen në 30% të përfaqësimit të grave në Parlamentin e ardhshëm, vjen ndesh me vetë Kodin e ri Zgjedhor. Mbetet arritje detyrimi për përfshirjen e grave në raportet 1 me 3 në listat shumemërore të partive, por praktikisht, në rastin më të mirë mund të kemi një përfaqësim të grave në masën 15-20%, jo 30%.

Teorikisht, një parti që fiton 24 mandate parlamentare, nga dy në çdo qark, Kodi i krijon hapësirë që të gjithë këta deputetë të jenë meshkuj. Nëse kjo ndodh me më shumë se një parti politike, atëherë përfundimi është lehtësisht i kuptueshëm. Kuota vlen më shumë për dy partitë e mëdha, të cilat gjithsesi mund të aplikojnë forma të lejueshme nga Kodi për minimizimin e produktit të saj.

Kodi Zgjedhor nuk njeh marrëveshjet politike brendapartiake për zhvendosje në listën shumemërore të partive, parim i konkurrimit me lista të mbyllura. Megjithatë, Kodi ka hapësira të lira për vijimin e aplikimit të modelit “listë e hapur”, pra e refuzimit nga përfituesit formal të mandatit proporcional në një listë partie, derisa ky mandat të shkojë tek kandidati që e përfiton këtë nga një marrëveshje brendapartiake.

Pra, nëse një parti harton një listë me 100 kandidatë dhe bie dakord me kandidatët se në përfundim të zgjedhjeve mandatet do t’u shkojnë kandidatëve që kanë fituar më shumë vota në zonat, qytetet, rrethet që mbulojnë, Kodi i ri e lejon këtë. Kodi, praktikisht nuk ka vendosur dispozita konkrete që e pengojnë këtë skemë taktike, duke ua lënë gjithçka në dorë partive dhe kandidatëve.

Arsyetimi kritik i aspekteve të veçanta të Kodit mund të shtrihet edhe në natyrën bipartiake të komisioneve dhe procesit të administrimit të zgjedhjeve, në paqartësitë, në penalizimet ndaj medias dhe propagandës elektorale, në dilemat rreth rolit të policisë dhe transportimit të materialeve zgjedhore, deri edhe në praktikën antikushtetuese të dhënies së monopolit të partive për të përjashtuar dhe përzgjedhur gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor.

KQZ-ja mbetet peng i firmave të bashkëkryetarëve, dy anëtarë mund të bllokojnë procesin, kurse vetë KQZ-ja nuk ka kompetenca urdhëruese mbi KZZ-të lokale. Procesi i ankimit dhe apelimit vijon gjatë, duke krijuar situata të njëjta me ato të vitit 2005, ndërkohë që mund të ndodhë që rezultati elektoral midis dy partive të mëdha të jetë i përafërt, duke u dhënë shpresë dy partive të vetëquhen fituese të zgjedhjeve.

Për të gjitha këto arsye, mund të thuhet se Kodi i ri Zgjedhor, me gjithë elementët pozitivë, që lidhen kryesisht me vlerësimet për frymën e bashkëpunimit të dy partive në hartimin e tij dhe për pasojë, mbështetjen e madhe parlamentare, praktikisht nuk ofron garanci për eliminimin e shumë prej problemeve të evidentuara në zgjedhjet e mëparshme.

Në dallim nga Kodet e mëparshme, ky është Kodi i parë që prodhohet nga vetë politika shqiptare, pa prezencën dhe ekspertizën e specializuar të ODIHR/OSBE-së, kështu që, edhe aspekte të veçantë të mosfunksionimit të tij apo konflikteve elektorale, do të duhet të zgjidhen brenda kornizës shqiptare, pasi faktori i jashtëm nuk do të pranojë të luajë ndërmjetësin dhe garantuesin për një produkt që nuk është i tij.

Në këto rrethana, shpresa e vetme për një devijim pozitiv nga proceset zgjedhore të kontestueshme mbetet edhe më pak e besueshmja, që partitë politike të mos shfrytëzojnë kundërvëniet kushtetuese, ligjore dhe administrative të Kodit të ri Zgjedhor. Nëse ky vullnet mungon, atëherë të gjitha këto detaje “teknike” mund të kthehen në pengesa serioze dhe elementë komprometimi për një proces të lirë, demokratik, të ndershëm dhe të besueshëm zgjedhor.

*Lektor i partive dhe sistemeve politike, UT/UFO


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML