Marte, 09 Shkurt 2010 14:12:00

Lexoni versionin Print

"Lul Berisha", dëshmia e fundit e të penduarit

Adriatik Coli rrëfen rekrutimin e tij në bandën e Lul Berishës dhe vrasjet e para në Durrës.Për herë të parë, i penduari dëshmon edhe për përplasjen e Gaxhait dhe Viktor Ymerit me bandën e Lulzim Berishës

Flamur Vezaj
Shtune, 01 Mars 2008 08:06:00

DËSHMIA E PLOTË/ Adriatik Coli rrëfen rekrutimin e tij në bandën e Lul Berishës dhe vrasjet e para në Durrës


I penduari: Miqësia ime me Lul Berishën

Për herë të parë, i penduari dëshmon edhe për përplasjen e Gaxhait dhe Viktor Ymerit me bandën e Lulzim Berishës


"Përplasja e Gaxhait me bandën e Lul Berishës"


TIRANË- Historia e të penduarit të bandës së Durrësit, Adriatik Coli, është e lidhur ngushtësisht me historitë e dhjetëra atentateve dhe vrasjeve për pushtet dhe para, në zonën "e errët" të qytetit bregdetar.Në dëshminë e tij të fundit, dhënë për grupin hetimor shtatorin e vitit të kaluar, Adriatik Coli rrëfen vullnetarisht dhe pa avokat njohjen dhe miqësinë e tij me Lul Berishën si dhe hakmarrjet e përgjakshme mes bandave rivale, anëtarët e së cilave janë një pjesë të vrarë dhe pjesa tjetër në pritje të vendimit të gjykatës. "Shekulli" boton sot jetën e të penduarit para se të bëhej pjesë e bandës së Durrësit si dhe rrëfimet e tij për atentatin e parë ndaj Lul Berishës, përplasjen me bandën e Marsel Sotirit, vrasjen e Arjan Pajës, Viron Currit, Ilir Xhungës dhe Arben Pajëssi dhe plagosjen e vetë Adriatik Colit. Për herë të parë, i penduari dëshmon edhe për përplasjen e Gaxhait dhe Viktor Ymerit me bandën e Lulzim Berishës.


Unë kam ikur në Itali, dy ditë pas vrasjes së shtetasit Ilir Koldashi, në fund të muajit tetor 2005, tek diskoja tek Sheratoni. Unë kam qenë bashkautor në këtë vrasje dhe u largova në Itali për t'iu shmangur kapjes nga policia. Shkova në Itali dhe qëndrova 4 muaj. Aty mora vesh që kishin ardhur persona për të më eliminuar. Po kështu, mora vesh që të gjithë përgjegjësinë për vrasjen e Ilir Koldashit ma kishin hedhur mua. Në Itali kam mësuar se kishin dërguar njerëz për të më eliminuar shtetasit Indrit Dokle, Lulëzim Berisha si dhe të afërmit e viktimës. I gjendur në këto kushte, vendosa që me vullnetin tim të lirë,të kthehem në Shqipëri dhe të paraqitem para organeve të drejtësisë për të deklaruar gjithçka di lidhur me vrasjen e shtetasit Ilir Koldashi, si dhe të gjithë aktivitetin kriminal të grupeve kriminale të qytetit të Durrësit, në të cilat edhe unë kam qenë pjesëmarrës. U nisa nga Italia dhe shkova në Austri me makinë. Në kufirin midis Austrisë dhe Sllovenisë më kapi policia sllovene dhe nuk më la të kaloj për në Slloveni. Pastaj, policia austriake më kthehu në Kosovë, pasi unë u prezantova me emrin Arben Krasniqi si shtetas i Kosovës. Nga Kosova erdha me avion në Shqipëri, ku zbrita në Rinas. Pas kësaj erdha drejt e në polici me qëllim dhe me dëshirë për të treguar të gjithë aktivitetin tim si dhe lidhjet e mia shoqërore që kam pasur më parë.


Dua të shpjegoj se unë kam banuar në lagjen nr.9 në qytetin e Durrësit, në shtëpi private, lindur dhe rritur aty. Arsimi im është tetëvjeçar, të cilin e kam mbaruar në shkollën tetë-vjeçare në lagje. Pas mbarimit të Shkollës kam punuar marangoz, tek zdrukthtaria në Spitallë. Në vitin 1991 kam shkuar në Itali dhe kam jetuar përkohësisht deri në vitin 1995. Në vitin 1995 unë u nisa nga Italia për në Gjermani, për të transportuar 1 kg heroinë, të cilën ma kishte dhënë një qytetar kosovar që jetonte në Itali. Emri i tij nuk më kujtohet, pasi kanë kaluar vite. Në Gjermani, në qytetin Singen, mua më kapi policia gjermane me 1 kg drogë me vete. U dënova 4 vjet burg, nga të cilat bëra vetëm 2 vite, pasi dy të tjera më liruan me kusht për të mos u kthyer në Gjermani.


Në muajin dhjetor të vitit 1997, unë u ktheva në Shqipëri, pasi më ktheu policia gjermane. Kur u ktheva në shtëpi, vura re se përballë banesës time kishte ardhur për të jetuar një familje e re. Pjesëtari i kësaj familje ishte shtetasi Lulëzim Berisha, i moshës rreth 35 vjeç. Unë këtë shtetas e njihja. Si rezultat i fqinjësisë ne krijuam shoqëri me njëri-tjetrin, e cila u forcua pasi Lulin e qëlloi me pistoletë Festim Qoli, të cilin e thërrisnin "Feste", ngjarje ku Luli u plagos. Kjo ngjarje ka ndodhur në verë, ndoshta në vitin 1998, tek lokali "Xhorxhit të Nores" që ndodhet në afërsi të Nish Gomes së vjetër në Durrës. Nga Luli dhe persona të tjerë kam mësuar se së bashku me Festen, atë ditë që u qëllua Luli ka qenë edhe K. P. Të dy këto shtetas kanë qëlluar ndaj Lulit. Edhe Luli i kishte qëlluar këta të dy me pistoletë, po nuk i kishte goditur. Unë jam informuar për ngjarjen në orën 17:00 të pasdites dhe shkova në spital tek Luli, ku gjeta edhe disa djem të tjerë që kishin qenë te lokaliqë nuk më kujtohen emrat. Që atë natë, Luli erdhi në shtëpinë e tij dhe unë e vizitoja dhe e ruaja përnatë, prandaj edhe miqësia jonë u forcua. Unë kam mësuar se shkaku i përplasjes me armë midis Festes dhe Lulit ishte një shkak banal. Nga mesi i verës të vitit 1998, Luli filloi ndërtimin e një shtëpie në një truall të cilin e zuri pa leje, afër shtëpisë së kunatit të tij, Plarent Dervishi. Në atë kohë, me Lulin shoqëroheshin edhe shtetasit Plarent Dervishi, Redi, vëllai i Plarentit dhe Julian Meçaj. Unë e ndihmoja Lulin për ndërtimin e shtëpisë, duke porositur në emër të Lulit materiale për ndërtimin e shtëpisë.


Në atë kohë, Lulëzim Berisha kishte para të shumta në dorë, pasi këtë e shikoja nga mënyra se si blinte materialet e ndërtimit për shtëpinë e tij. Në vitin 1994, Luli ka qenë në Rimini dhe erdhi në Monza me një femër që punonte si prostitutë dhe ishte nga veriu.Përveç parave që Luli kishte nxjerrë nga ajo, në kohën që po ndërtonte shtëpinë, unë mësova që ai merrej me transportimin drogës në drejtim të Italisë.


Në vitin 1998 qëllojnë me kallashnikovë tek shtëpia e tyre, tek dritarja e kuzhinës, Redi dhe Plarent Dervishin, por nuk u godit asnjë nga ata. Më pas doli që atë natë kishin qëlluar Tan Sallaku dhe një shtetas tjetër që e thërrisnin 'Torra", emri i vërtetë është I. N. me banim në Shkozet. Të nesërmen, Luli më mori në telefonin e shtëpisë dhe më tha hajde në Spitallë. Shkova në Spitallë dhe u takova me Lulin tek klubi i Latës. Në atë kohë, jashtë lokalit ishin Lulëzim Berisha, Plarent Dervishi, Ilir Xhunga dhe Klodian Saliu. Ata po bisedonin me njëri- tjetrin. Sa shkova unë, Luli më tha që do shkosh në Tiranë, teknjë lokal i njohur. Luli më tha që do takosh një shtetas me emrin Geri, mbiemrin nuk ia di. Luli më tha që do takosh Gerin dhe do t'i marrësh makinën dhe do ta sjellësh në Spitallë. Unë ashtu bëra. Shkova takova Gerin, të cilin e kisha takuar edhe 2 – 3 herë tjera tek shtëpia e Plarentit. Geri ishte rreth 171 cm, me moshë rreth 23 vjeç në atë kohë, flokët kaçurrela të zeza, të shkurtra, me fytyrë të rrumbullakët. I thashë Gerit që Luli më kishte thënë për t'i marrë makinën dhe ai më dha një makinë tip BMË 325 me ngjyrë gri e zezë me targa TR, numrat nuk më kujtohen. Mora makinën dhe shkova në Spitallë, ku më priste Luli. Lashë makinën dhe ika në shtëpinë time. Në darkë, rreth orës 18:00 shkova përsëri në Spitallë, ku takova Klodin, Plarentin, Ilirin dhe Lulin. Këta ishin jashtë lokalit dhe po bisedonin dhe po bënin plane si të qëllonin Tan Sallakun. Ata e dinin që Tani rrinte në një lokal afër shkollës "7 nëntori" dhe çuan një person që ta ruante dhe t'i lajmëronte kur Tani të shkonte atje. Unë nuk e dija se kush do t'i lajmëronte, por do të flisnin me telefon celular, pasi në atë kohë kishin dalë numrat e celularit. Luli dhe Klodi kishin celular me "20", po unë nuk ja mbaj mend numrat, se ka kaluar kohë e gjatë.


Rreth orës 19:30 – 20:00 të darkës, ata u lajmëruan se Tani kishte ardhur te lokali. Ata hipën në makinën BMW që solla unë nga Tirana. Luli ishte shofer, në vend të parë hipi Klodi, ndërsa mbrapa hipën Plarenti dhe Ilir Xhunga. Plarenti kishte një armë "Skorpions", Klodi kishte pistoletë dhe Ilir Xhunga kishte pistoletë. Unë qëndrova tek lokali. Pas 10 minutash, ata u kthyen me shpejtësi dhe Luli ma bëri me dorë nga makina që të ikja. Unë ika në shtëpi dhe kur shkova atje mora vesh se ishte vrarë Dritan Sallaku dhe ishte plagosur Torra dhe Gim Rexhepi.


Luli mori vesh nga policia që ishte zbuluar fotografia e Gerit tek makina BMË dhe filloi të ruhej dhe të rrinte mbyllur tek shtëpia e Plarentit, që ndodhej te Stacioni i ri i Trenit tek shtypshkronja "10 Korriku". Ndërsa Klodi rrinte tek shtëpia e tij në Spitallë dhe nuk dilte. Gjatë kësaj kohe, unë lëvizja lirshëm duke shkuar edhe në shtëpinë time si dhe tek Plarenti. Pas një jave, Dash Sallaku dhe Marsel Sotiri, i cili ishte shoku i ngushtë i Dashit si dhe Arjan Paja, i cili kishte ardhur nga Italia, pasi e kishte thirrur Marseli për këtë rast, filluan të lëviznin nëpër Durrës për të qëlluar Lulin. Ata po i ruanin dhe ishin vendosur për rreth shtëpisë së Plarentit. Një nga këto ditë doli Redi, vëllai i Plarentit nga shtëpia rreth mesditës, ndërkohë unë isha te shtëpia me Plarentin, Lulin dhe familjarët e tyre. Redi shkoi te shtëpia në ndërtim e Lulit, e cila është afër me shtëpinë e Plarentit, për të kontrolluar punimet dhe në momentin që po kthehej në shtëpi, afër hyrjes së pallatit i afrohet duke e gjuajtur me pistoletë Arjan Paja. Në këto momente, Redi ishte afër hyrjes dhe vrapon i përkulur dhe futet brenda shtëpisë dhe shpëton pa u goditur. Sa u fut në shtëpi, në dritaren e shtëpisë që shihte nga rruga u qëllua me kallash. Nga plumbat nuk u plagos asnjë. Ne nuk dolëm nga shtëpia dhe pak më vonë erdhi policia bëri veprimet dhe na pyeti kush qëlloi, por ne nuk treguam gjë dhe policia u largua. Unë pas gjysmë ore u largova për në shtëpinë time. Të nesërmen, Luli dhe Plarenti shkuan në Spitallë dhe u takuan me Klodin, ku i treguan ngjarjen dhe pas dy ditësh shkuan dhe u vendosën tek shtëpia e dajës së Lulit në Shkozet.


Mbas disa ditësh shkova në Shkozet, me kërkesë të Lulit dhe aty gjeta Lulin, Plarentin, Ilir Xhungën, Klod Saliun dhe dy djem nga Elbasani që nuk i kam njohur në atë kohë pasi kam ndenjur jo më shumë se 5 minuta. Aty mora vesh që ata ndenjën rreth 3 apo katër ditë dhe mora vesh që kishin plane për të vrarë Marsel Sotirin, pasi ky ishte më i fuqishëm se Dritan Sallaku dhe kishte rrjet më të madh shoqëror. Ia kishin frikën atij. Gjatë kësaj kohe, nuk e realizuan dot goditjen e Marselit dhe shkuan për të qëndruar te shtëpia e gjyshit të Lulit në kodrën e Rrashbullit. Kjo ishte një shtëpi njëkatëshe me oborr, në të cilin kishte pemë të mbjella dhe më duket se kishte dy dhoma dhe një kuzhinë.


Pas dy ose tre ditësh, te shtëpia në Rrashbull filloi të mblidhej gjithë shoqëria e Lulit. Atje erdhën Plarenti, Ilir Xhunga, Klodian Salihu si dhe unë. Ndonjëherë unë shkoja vetë dhe ndonjëherë më thërrisnin ata. Aty flitej sesi do të organizonin vrasjen e Marsel Sotirit. Dua të sqaroj se Marseli atë kohë punonte në doganën e Tiranës dhe për lëvizjen e tij, na jepnin informacion. Gjithashtu, për të kontrolluar lëvizjet e Marselit kur vinte në drejtim të Durrësit kishim lënë Julian Meçen në Maminas, i cili do të lajmëronte në telefon celular për mbërritjen e Marselit. Vëzhgimi për lëvizjet e Marselit vazhdoi për dy a tre ditë. Ditën e ngjarjes në mëngjes, më thërret Luli në telefon dhe unë shkova me furgon tek shtëpia e gjyshit të Lulit dhe atje gjeta Lulin, Klodin, Plarentin dhe Ilir Xhungën dhe aty qëndruam deri në mesditë. Aty u morëm vesh se Juli kishte dalë për të vëzhguar Marselin në Maminas, i cili lëvizte me makinën e doganës. Ajo ishte një makinë fuoristradë me ngjyrë ulliri me fenelinë. Rreth mesditës, mori në telefon Juli dhe lajmëroi Lulin se po vinte Marseli. Atëherë Luli na tha hajde shpejt se po vjen. Lulëzim Berisha, Klodian Saliu, Plarent Dervishi dhe Ilir Xhunga hipën në makinën tip "Golf" duke marrë secili nga një automatik kallashnikov në dorë. Në timon hipi Luli, në vendin e parë të pasagjerit hipi Klodiani dhe dy të tjerët hipën mbrapa. Mua më lanë si detyrë që të merrja makinën "Lancia" dhe të shkoja t'i prisja tek shinat e trenit, tek unaza. Në makinën që hipi Luli ishte një paruke, më duket me ngjyrë të zezë dhe tre kapele sportive me strehë të gjata para. Ata u nisën para meje dhe u shkëputen nga unë, ndërsa unë mora "Lancian" dhe rrugës për tek Unaza rashë në një gropë me ujë, që ndodhej poshtë shinave të trenit. Unë kërkova ndihmë në një shtëpi aty pranë, ku ngeci makina, në krahun e djathtë të rrugës për në plazh. Shtëpia ishte larg shinave rreth 20 metra. Aty doli një burrë i moshës 40 vjeç, nxorri makinën e tij me të cilën tërhoqi "Lancian", derisa e nxorri nga gropa. Unë i thashë nëse mundesha ta lija makinën në oborrin e tij dhe të shkoja të nesërmen ta merrja dhe ai pranoi. Dua të theksoj se para se të ikja, pashë pozicionin ku kishte ndaluar "Golfi". Ai ishte afër një ferre të madhe, ku zunë pozicionin Luli, Plarenti, Klodiani, Iliri.


Në atë pozicion kryqëzohej rruga e trenit me rrugën automobilistike Tiranë-Durrës dhe makinat që kalonin aty ishin të detyruara të ulnin shpejtësinë. Si rrjedhojë, ishte pozicion shumë i përshtatshëm për t'u bërë prita. Pasi pashë këtë vendosje, unë ika atje ku shpjegova më sipër. Pasi lashë makinën e prishur tek oborri, unë prita Lulin megjithë shokët e tjerë. Pas rreth 10 minutash, Luli bashkë me shokët e tjerë erdhën në këmbë drejt meje. Ata panë makinën që ishte prishur, Luli më bëri shenjë me dorë që të largohesha. Ata u nisën në drejtim tjetër dhe unë në drejtim tjetër. Unë shkova në shtëpi dhe atë ditë nuk u takuam me njëri-tjetrin. Po atë ditë unë mora vesh se ishin vrarë Virion Curri dhe Arjan Paja, ndërsa Marseli ishte plagosur dhe e kishin çuar nëspital në Tiranë. Atë e kishte kapur një plumb në qafë dhe një tjetër në këmbë. Të nesërmen u takuam tek shtëpia e Plarentit, ku ishte edhe Luli. Ai më tha: si e humbe fare, që e fute makinën në ujë, po s'ka gjë se e kishe për herë të parë. Pas dy ditësh jemi takuar përsëri tek shtëpia e Plarentit, ku kemi qenë unë, Plarenti, Luli, Iliri dhe Klodi. Aty filluam të diskutonim rreth ngjarjes. Unë mësova se ata kishin qëlluar të katërt dhe Iliri tha në bisedë: desha të kthehesha të qëlloja përsëri mbi Marselin, por vura re se dera e makinës ishte e hapur dhe Marseli ishte në pozicion të shtrirë. Kujtova se ai kishte vdekur. Aty u diskutua se në makinën e Marselit kishte qenë edhe një kile kokainë, e vendosur në kroskotin e makinës si dhe 80 mijë marka. Po aty u diskutua sesi nuk arritën të vrisnin dot Marselin si dhe ku i hodhën armët pas vrasjes. Ata treguan se armët i kishin hedhur në një kanal me ujë, i cili ishte afër makinës "Golf". Gjatë bisedës njëri thoshte se arma ime u zhyt e tëra brenda kanalit, ndërsa një tjetër tha se arma e tij nuk ishte zhytur e tëra. Nuk e di me saktësi nëse ata i hodhën të gjitha armët në kanal apo mbajtën ndonjë me vete për t'u mbrojtur nga frika e ndonjë përplasjeje që mund të ndodhte gjatë rrugës në kthim. Pas kësaj prite morëm vesh se Marseli u shpërngul dhe shkoi të jetonte në një shtëpi në plazh, ndërsa Luli, Plarenti, Iliri dhe Klodi rrinin gjithnjë bashkë. Ata jetonin në dy shtëpi, tek shtëpia e Plarentit dhe tek shtëpia e Klodit në Spitallë dhe nuk para dilnin në qytet, se ruheshin. Kurse unë dilja vazhdimisht.


Unë në atë kohë përdorja "Lancën Tema", që i kasha vënë targat e fuoristrës së Lulit. Ndërkohë, mbaroja çdo punë që më thoshte Luli, shoqëroja familjarët e tij në pazar dhe për punë të ndryshme. Një ditë, nga fillimi ose mesi i nëntorit 1998, nuk më kujtohet data e saktë, unë dola me të fejuarën time në një restaurant. Pasi mbaruam së ngrëni, rreth orës 21.30, u nisa për të çuar të fejuarën në shtëpinë e saj, në një pallat në kat të parë tek fusha e druve. Unë ndalova makinën në kryqëzimin tek fusha e druve dhe po bisedoja prej 5 minutash me të fejuarën në makinën e ndezur. Në një moment unë vura re se përballë me makinën time kishte ndaluar një Benz i bardhë 240, i cili më lëshoi dritat e gjata dhe ishte 10 metra larg meje. Unë nuk i kushtova vëmendje. Në momentin që makina lëshoi dritat e gjata u nis në drejtimin tim dhe kur ishte 2-3 metra larg meje pashë që shoferi ishte me kapuç, por nuk e kishte fytyrën e mbuluar. E pashë vetëm si siluetë: ishte i dobët dhe i imët. Në atë moment unë pashë tek xhami i pasëm nga prapa shoferit një grykë arme që nxirrte flakë dhe më qëlluan. Menjëherë u shtriva në sedilje nga ana e të fejuarës dhe disa plumba më kapën tek gishtat e dorës së majtë, në krahun e majtë, tek këmba e majtë dhe tek vithet. Një plumb më kapi tek zorra e trashë. Benzi i bardhë nuk ndaloi fare. Kur më qëlloi mua ngadalësoi shpëjtësinë dhe pasi u qëllova, iku në drejtim të shtëpisë së shtetasit Erion Lame. Vura re që edhe e fejuara ishte plagosur në krahun e djathtë. Erdhi policia dhe na çoi në spital. Dua të sqaroj se atë natë, "Lancia" kishte targat e fuoristradës së Lulit, të cilat ishin DR, numrat nuk më kujtohen. Këto targa m'i ka dhënë Luli dhe më ka thënë se janë të fuoristradës time që kam pasur më parë. Në spital kam qendruar rreth 20 ditë, në Durrës, tek kirurgjia e vjetër. Në kohën që isha në spital, mua më erdhën e më takuan të afërm të Lulit. Kur dola nga spitali, shkova në shtëpinë time. Aty erdhi e më takoi Luli, Klodi, Iliri dhe Plarenti. Deri në atë moment, unë nuk e dija se kush më kishte qëlluar me saktësi, vetëm dyshoja tek grupi i Marselit. Iliri më tha që:" a e ke dorën e djathtë në rregull?

Sa ta kesh në rregull, mos e vrit trurin". Pas njëfarë kohe, unë u shërova dhe dola nga shtëpia. Shkova në polici, ku mora makinën tip "Lancia", sepse ma kishte marrë policia që kur më goditën. Makinën ma dorëzoi hetuesi i dosjes sime. Mora makinën dhe e çova në një servis që ndodhet sa hyn tek dera e Porto Romanos. Pasi makina u rregullua, nuk e mora unë më. Atë e mori Julian Meçe dhe e përdorte ai.


Më pas, unë shkoja ndonjëherë tek shtëpia e Plarentit ose e Klodit, ku takoja çunat. Pas rreth një muaji unë bisedova me Lulin, Plarentin, Klodin dhe Ilirin dhe ata më thanë se mua më kishte qëlluar Erjon Lame dhe A. S. Kur shkova në Spitallë pas plagosjes time pashë që aty ishte edhe Arben Paja, i cili shoqërohej me Klodin dhe çunat e tjerë. Unë u takova me të, kur hëngrëm një drekë në Spitallë, dua të them që Paja ishte shumë shok me Ilir Xhungën. Një ditë, gjatë verës së vitit 1999, nuk e mbaj mend me saktësi unë po bëja stërvitje me një shokun tim, tek shtëpia e tij, e cila ndodhet në lagjen "Stani", sipër muzeumit. Ka qenë ora rreth 17.00, kur dëgjuam krisma që zgjatën rreth 5 minuta pa ndërprerje. Zbritëm menjëherë poshtë, morëm taksi dhe shkuam tek shtëpia e re e Lulit, e cila ishte afër me shtëpinë e Plarentit. Sa shkuam aty, pamë Klodin që po qante. E pyeta se ç'kishte ndodhur dhe ai më tha që kishin vrarë Ilir Xhungën dhe Arben Pajën, rreth 50 metra pa hyrë në Spitallë. Aty mora vesh që çunat ishin qëlluar nga Gaxhai dhe Viktor Ymeri, të shoqëruar nga Marsel Sotiri dhe disa të tjerë që banonin në Durrës. Të gjithë këta persona kishin qenë të strehuar tek shtëpia e Eduart Ongarit. Klodi na tha të marrim armët dhe të shkojmë të qëllojmë Gaxhain, ku të jetë, por nuk e la Luli. Dy ditë më pas, unë isha tek shtëpia e Klodit, së bashku me Plarentin dhe Lulin. Aty u bisedua sesi kishte ndodhur ngjarja. Pas kësaj ngjarjeje u arrestua Gaxhai dhe ujërat u qetësuan. Në të njëjtën kohë u kthye nga Italia Indrit Taullau, i cili e kishte shtëpinë në Spitallë.


Unë rrija tek shtëpia e Lulit, që e kishte marrë me qera Plarenti, ndërsa Klodi e afroi në shoqëri Indritin. Gjatë takimeve tona, ne bisedonim se kë do të vrisnim më pas. Muhabetet tona i drejtonin Luli dhe Klodi, por edhe në futeshim në bisedë. Në atë kohë, çunat vendosën që të vrisnim Ed Ongarin, pasi ishte ai që kishte strehuar vrasësit e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës në shtëpinë e tij… ( Vijon nesër)



POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML