Vrasje dhe trafiqe. Historia e bandës së Durrësit, e rrëfyer nga i penduari Adriatik Coli në këtë dëshmi të fundit për Prokurorinë luhatet mes ekzekutimeve për të eleminuar rivalët dhe qetesisë së shkurtër për të ngritur “në këmbë” linja të trafiqeve të të gjitha llojeve. “Shekulli” boton sot planin e vrasjes së njërit prej rivalëve më të mëdhenj të bandës, Marsel Sotirit dhe periudhën pas kësaj ngjarjeje, ku krerët e bandës e nisëm me trafik klandestinësh dhe u katapultuan në rrjetin e trafikut të drogës, prej nga erdhi edhe çarja e madhe mes Klodian Saliut dhe Lulzim Berishës. 600 milionë liretat e heroinës i kthyen miqtë në armiq të betuar të njëri-tjetrit, edhe pse në kujtesën e të penduarit, Klodian Saliu do të thoshte për Lul Berishën: “Kemi qenë shokë deri dje, ruajtëm ç’kishim për të ruajtur. Tani nuk jemi armiq, por të shikojë çdonjëri punën e vet”
Në korrik të vitit 1999, unë shkova në shtëpinë e Lulit. Aty ishte edhe Plarenti. Luli na tha të merrnim dy armët “Skorpions” dhe një kallash që e kisha mbrapa në bagazh dhe një paruke të kuqe dhe ti çoja tek shtëpia ime, pasi do t’i binim Ed Ongarit. Unë ashtu bëra dhe po prisja gati në shtëpi. Mora edhe një Benz 240, që ma dha Luli për tapërdorur për vrasjen. Këtë makinë, ai nuk e ka përdorur më parë. E kam parë vetëm atë ditë që e mora unë. Pas një ose dy ditësh, Plarenti, Luli, Klodi dhe Indriti ishin tek shtëpia e një të afërmes së Lulit. Ai më mori në telefon dhe më tha që të marr makinën, skorpionsin dhe kallashin dhe të shkoja tek “ 5 katëshi”, në hyrje të lagjes. Shkova aty dhe gjeta Klodin, Indritin dhe Lulin. Hipëm të katërt tek Benzi jeshil. Luli hipi në timon, Klodi në vend të parë ndërsa unë me Indritin u ulëm mbrapa. Në atë moment, Luli vuri parukën e kuqe, ndërsa Klodi vendosi kapelën dhe u nisëm. Armën Skorpions e mori Klodi, ndërsa Kallashnikovin e kishim ne mbrapa, unë me Indritin. U nisëm me makinë dhe kur u afruam afër lokalit, Luli më tha që të zbrisja dhe të shikoja sa vetë ishin në lokal dhe t’ia bëja me shenjë. Kur zbrita dhe ju afrova lokalit, pashë që jashtë në karrige ishin ulur Edi me dy veta të tjerë. Në atë moment i bëra me shenjë Lulit duke i treguar me gisht që janë tre veta. Menjëherë zbriti Luli me parukën e kuqe në kokë dhe me kallash në dorë, ndërsa Klodi kishte vënë kapelën e zezë me strehë të gjatë para dhe me automatikun Skorpions në dorë. Edi ra përmbys në tavolinë, ndërsa Luli me Klodin hipën në makinë dhe u larguan. Unë ika në këmbë deri në shtëpi. Ata e lanë makinën afër rajonit të policisë në një rrugicë që të nxjerr te tregu industrial dhe më vonë erdhën në këmbë te shtëpia e ime. Në shtëpinë time s’kishte njeri dhe i pyeta gjatë muhabetit për makinën. Më treguan se ku e kishin lënë, bashkë me të gjitha armët dhe paruken. Pas disa minutash, një makinë erdhi para shtëpisë, që nuk e mbaj mend se çfarë dhe kush ishte dhe nga shtëpia ime ikën Indriti dhe Klodi, ndërsa Luli iku në këmbë. Pas disa minutash shkova për të marrë makinën, pa më thënë njeri dhe e solla afër Muzeumit mbrapa shtëpisë sime, ndërsa armët dhe paruken i mora dhe i fsheha në një ferrë aty afër. Makinën e mbylla.
Ekzekutimi i Marsel Sotirit
Një javë pas kësaj ngjarjeje, në korrik të vitit 1998 erdhi një djalë që nuk mbaj mend kush ishte dhe më mori te shtëpia, duke më thënë se të kërkon Luli. Shkova me të dhe më dërgoi tek një shtëpi një katëshe të vjetër, që ndodhej tek unaza e plazhit. Aty ishin Plarenti, Luli, Klodi dhe Indrit Taullai dhe një tjetër që tani është në Amerikë. Sa hyra brenda, më thanë: “Sot do palosim Marselin”. Unë i thashë “ishalla” dhe po vij po gjuaj edhe unë, se më la gjysmë njeriu. Kur u bënë planet, Luli tha të merrnim Benzin jeshil që përdorëm tek vrasja e Ed Ongarit dhe t’i çonim tek shinat e trenit, që del tek plazhi “Iliria”. “Vetë do të rrish sipër te kodra dhe kur të dëgjosh krisma, do vish menjëherë aty ku na le dhe do të bllokosh rrugën nga krahu i “Plepave” që të kemi të lirë kalimin për në Durrës pas vrasjes”,-më tha. Me t’u errësuar koha, unë mora Benzin dhe u nisëm bashkë me Lulin, Plarentin, Indrit Taullain e Klodin. Me vete morëm një mitraloz të rëndë “Kolinov”, një mitraloz të lehtë me rrotacile, ku futëm fishekët, një kundra tank dhe katër automatikë kallashnikov, ku njërin e mora unë. Shkova dhe i lash çunat të ura dhe vetë u ktheva mbrapsht dhe qëndrova buzë rrugës, në faqe të kodrës. Pas 30 minutash pritje, dëgjova krisma të shumta armësh dhe menjëherë shkova te makina te ura, ku më thanë ata. Mora kallashin, dola nga makina dhe e bllokova qarkullimin e rrugës nga drejtimi i rrugës së Plepa – Durrës, që të kishim rrugën e lirë për të ikur. Pas rreth 10 minutash, aty erdhi në këmbë Luli me Plarentin. Luli kishte në dorë kallashnikovin, kurse Plarenti nuk kishte gjë. Kur po vinin, unë i pyeta ku është Klodi. Luli thirri dy herë “o Klodo, o Klodo”. Pastaj hipëm në makinë dhe u larguam, shofer isha unë, ku me të mbërritur tek shinat e trenit tek unaza që merr për në Durrës, ata zbritën. Luli mori kallashin tim dhe më tha kthehu: merr Klodin. Ata vetë ikën mes shinave ndërsa unë nuk u ktheva, se kisha frikën e policisë, por vazhdova drejt. Kalova Nish-Gomën e re dhe vazhdova nga këneta, ku lashë makinën dhe u ktheva në këmbë.
Çarja e parë Saliu-Berisha
Të nesërmen, kur dola nga shtëpia pashë në afishe se kishte vdekur Marsel Sotiri dhe shkova e mora makinën. Pas dy ditësh u mblodhëm bashkë unë, Luli, Klodi e Indrit Taullai dhe biseduam për ngjarjen. Në muhabet e sipër, Klodi i tha Lulit: “po ti si ike dhe më le vetëm?. Luli i tha që unë të thirra dy herë, por ti nuk u përgjigje dhe e dija se ke ikur. Klodi kishte ikur me Indritin nga kodra dhe kishin shkuar në Spitallë. Pas disa ditësh, kur isha te shtëpia e Klodit, ky më pyeti se si ndodhi muhabeti që ikët me Lulin atë ditë. Unë i tregova që erdhi Luli dhe unë i thashë: ku është Klodi? Ai thirri dy herë dhe më tha hip në makinë dhe ec. Klodi nuk foli. Më vonë e mora vesh nga çunat se Marseli atë ditë që u vra kishte një makinë BMW të blinduar. Pastaj çunat filluan të lëviznin, se vdiq Marseli.
Përfshirja në trafiqe
Luli mori një anije me qira 500 tonëshe nga një fierak, që nuk më kujtohet emri dhe ia dha A.Sh. për të punuar. Ai çonte klandestinë dhe drogë në Itali. Këtë gjë unë e di, sepse e shihja atë që vinte tek shtëpia e Lulit dhe jepte çdo muaj lekët e punës. Ndërkohë, Plarenti kishte ndërtuar një shtëpi trekatëshe përballë shtëpisë së tij të vjetër në pallat dhe ne atje mblidheshim. Unë aty dëgjova për herë të parë emrin e një femre, që nuk e njihja se kush ishte. Më vonë e mora vesh nga Klodi emrin e plotë. Ajo kishte qenë e dashura e Klodit që ky e kishte përdor si karrem për ta tërhequr në pritë Marsel Sotirin. Vajza u bë e dashura e Marselit dhe njoftonte Klodin për lëvizjet e tij. Ditën e atentatit, ajo kishte qenë me Marselin dhe njoftoi Klodin kur po ktheheshin për në shtëpinë e saj që ndodhej afër vendit ku u vra Marseli. Më pas u nisën për në Itali, Luli me Klodin me anije. Pas rreth dy javësh, me të njëjtën anije ikën në Itali Plarenti, Indrit Taullaj dhe ish-e dashura e Klodit. Gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, kur iku Klodi, Indrit Taullai e zuri dashnore. Për këtë, Klodit i ngeli qejfi pak, por nuk tha gjë. Pas një muaj kur ikën çunat, edhe unë ika për në Itali. Shkova tek vëllai ku kam qëndruar tre muaj dhe kam punuar si ndihmës murator. Pastaj u ktheva përsëri në Shqipëri dhe mësova që Klodi, Luli, Plarenti dhe Indrit Taullai kishin jetuar në Ravena të Italisë. Luli kishte nxjerrë në punë si prostitutë vajzën nga veriu. Po ashtu, mësova se Klodi kishte gjetur disa lidhje për t’u marrë me drogë. Rreth muajit maj e qershor 2000, u kthye në Shqipëri Klodi. Më pas erdhi edhe Plarenti e Indrit Taullai. Dy ditë pas ardhjes së tyre në Shqipëri, Lulin e arrestoi policia italiane, për një punë droge dhe e mbajtën në burg më shumë se një vit. Gjatë kësaj kohe, unë e forcova shoqërinë me Klodin dhe në atë kohë u fut në shoqëri edhe Indrit Dokle, i cili ishte si çerr i shkathët, i vogël. Por gjatë kësaj kohe, edhe Plarenti rrinte shumë me Klodin.
Vrasja e Tan Dishës
Rreth fillimit të muajt korrik 2000, E. L. vrau Mehmet Saliun, këtë muhabet e mora vesh nga çunat. Ne shkuam në varrimin e Mehmetit dhe aty u bisedua që Metin e kishte vrarë një çerr i vogël, që na vajti mendja se ishte E. L. Dua të them se Lul Berisha e kishte fis të largët Mehmet Saliun. E. L. gjatë kësaj kohe shoqërohej me Tan Dishën, i cili kishte lidhje me Marsel Sotirin. Vendosëm ta vrisnim Tan Dishën, meqë shoqërohej me ata që thashë më lart dhe këtë detyrë ma ngarkuan mua dhe Indrit Dokles. Klodi më thirri një javë pas vrasjes së Mehmet Saliut, ku aty ishte Indrit Taullai që e thërrisnim Indriti i madh dhe Indrit Doklen e thërrisnim Indriti i vogël, Plarenti, Klodi. Klodi i tha një personi që kishte një furgon , që do na merrte ne dhe të na dërgonte deri në Shënavlash. Ai pranoi. Unë bashkë me Indritin e vogël morëm nga një kallash tek shtëpia e Klodit dhe u nisëm. Shkuam në Shënavlash tek shtëpia e Mehmet Saliut, ku pritëm sa u errësua pak. Kishim lënë një djalë, që nuk e di se kush ishte, për ta ruajtur tek lagja Tan Dishën se kur do të dilte Tani për në Durrës. Dolëm me makinë dhe zbritëm poshtë. Shoferi iku. Unë me Indrit Doklen dolëm dhe zumë pritë rreth 300 – 400 metra larg shtëpisë së Tan Dishës, kurse Indrit Taullai shkoi 500 metra para nesh që kur të kalonte Tani, të na lajmërojnë me një të shtënë pistolete. Ne e kishim planifikuar që kur të vinte Tani Disha të sinjalizoheshim nga dy shokët dhe të dilnim në rrugë e ta qëllonim. Pasi kemi ndenjur rreth 30 minuta aty, në të dy anët e rrugës afër një gardhi, ku kishte parkim makinash në krahun e kënetes, dëgjuam të shtënën e pistoletës që na sinjalizonte për ardhjen e Tan Dishës.
Indrit Dokle doli në rrugë, ndërsa unë isha pak para tij, në anën tjetër të rrugës. Sa pashë dritat e makinës që po afrohej, e lashë të afrohet rreth 20 metra dhe fillova të qëlloj me automatik në drejtim të makinës deri sa mbarova karikatorin e kallashit. Makina doli nga rruga dhe ra në kanal. Unë iu afrova me karikatorinrreth 1 – 2 metra dhe e qëllova përsëri Tanin me breshëri. Pastaj ne u larguam në këmbë nga këneta dhe armët i hodhëm në kanalin e madh, që kalon aty afër. Pastaj, shkuam në Spitallë, takova Klodin, Plarentin e Indrit Taullain. Ata më pyetën: “vdiq?, Unë i thash: po, po. U shpërndamë në shtëpitë tona. Në atë kohë, Luli ishte në burg në Itali.
Trafiku i drogës
Pas vrasjes së Tan Dishës, ra qetësia dhe secili shikonte punën e tij. Ne vazhduam të qëndronim në Spitallë me Klodin. Dua të them se kur kishin qenë në Itali, Klodi kishte punuar fort me drogë me Lulin, Plarentin dhe Indritin e madh. Lekët, rreth 600 milionë lireta i mbanin bashkë. Pas vrasjes së Tan Dishës, Plarenti erdhi për të ndarë paratë e drogës me Klodin dhe Indritin. Unë isha tek Klodi, kur erdhi Plarenti për të kërkuar pjesën e parave. Klodi i dha rreth 5.5 kg e gjysmë heroinë dhe i tha ta shiste. Plarentit i ngeli qejfi, por e mori drogën dhe nuk tha gjë. E nisi për në Itali. Klodi i tha kur të vijë Luli, i bëjmë llogaritë përfundimtare. Klodi për pjesën e tij ishte ortak me Indrit Taullain. Pas disa ditësh, unë isha tek Klodi dhe ai në muhabet e sipër më tha: “Plarenti me Lulin fut dorën e merr. Kanë marrë lekë pa hesap te shuma që ishte bashkë, se ku shkuan për ndryshe 300 milionë lireta”. Më pas u ftohën muhabetet me Plarentin dhe ai rrallë vinte në Spitallë, tek Klodi. Pas nja një muaji e gjysmë pas vrasjes së Tan Dishës, në shtator të vitit 2000 është arrestuar Klodian Saliu. Arrestimi i tij erdhi fillimisht për çështjen e një vrasje me thikë shumë kohë më parë, rreth viteve 1992 ose 1993, por më pas u akuza edhe për vrasjen e Arjan Pajës dhe Viron Currit si dhe plagosjen e Marsel Sotirit, pasi i dolën gjurmët e gishtave në makinën “Golf” që ishte përdorur për këtë vrasje. Klodi ndenji mbi një vit në burg. Gjatë kësaj kohe, Klodin shkonim e takonin në burg unë, Indrit Taullai, vëllai i tij dhe Indrit Dokle. Indrit Dokle gjatë gjithë kësaj kohe rrinte te shtëpia e Klodit, si vëlla me Klodin.
Vrasja e Erion Lames
Disa muaj para se Klodi të dilte nga burgu, mbaj mend se ka qenë dimër dhe vija re se ErionLame ishte fuqizuar shumë. Ai kishte bërë shumë lekë dhe kishte blerë Benz katër fenerësh. Unë kur shkëmbehesha me Erionin më shikonte shtrembër. Një ditë, Indrit Dokle më tha që e kishte marrë në telefon Erion Lame dhe i kishte thënë që kur do pijmë kafe për t’u sqaruar. Indrit Dokle i kishte thënë që nuk pi kafe me njeri. Erioni ishte përgjigjur që: “po mirë, kush t’i këpusë kokën njëri-tjetrit pra”. Pas kësaj, unë i thashë shkojmë e i këpusim kokën. E ruajtëm të dy Erionin për tre muaj rresht, po nuk po na dilte në shteg. Pastaj një ditë, na lajmëruan vendin ku ndodhej ai. Menjëherë pas kësaj telefonate, Indriti erdhi tek shtëpia ime, ku unë e mora pistoletën dhe ai automatiku të tipit Skorpions dhe u nisëm për t’i bërë pritë poshtë rrugës së Bashkisë. Ai nuk kishte nga të kalonte dhe ishte i detyruar të kalonte andej ku ne po prisnim. Ndenjëm rreth gjysmë ore, derisa Indriti pa makinën e Erion Lames, pasi unë nuk e njihja makinën e tij. Pak metra para se te vinte tek ne, ai ndaloi makinën dhe takoi një mik të tij. Ata biseduan rreth 5 minuta dhe makina erdhi në drejtimin tonë. Kur ishte rreth tre metra larg nga ne, e qëlluam me Skorpions. Makina doli anash rrugës dhe goditi shtyllën elektrike. Unë u mundova të hapja derën e pasagjerit, pasi pashë se Erioni ishte shtrirë. Nuk e hapa dot derën se ishte me siguresë dhe dola nga ana e Erionit. Në atë kohë ai po lëvizte dhe donte të hapte derën e tij. Unë në atë çast e qëllova me pistoletë dy herë, njëherë në bark dhe njëherë në gjoks, ku ai hapi derën dhe ra. Pasi u siguruam se e vramë, ikëm me vrap në drejtim të magazinës së birrës dhe armët i hodhëm përballë ambulancës, ku po ndërtohet një pallat i madh në atë kohë dhe u ndamë secili në shtëpinë e tij. Në darkë erdhi dhe më shoqëroi policia, ku më pyetën për vrasjes së Erionit po nuk tregova, duke thënë se nuk di gjë. Aty e mësova se ai kishte vdekur. Mësova gjithashtu se të nesërmen, edhe Indritin e shoqëroi policia dhe e kishte pyetur për të njëjtën ngjarje.
Ndarja e bandës
Gjatë kohës që Klodi ishte në burg, unë e Indrit Dokle gradualisht u ftohëm me Indrit Taullain, pasi ky i fundit bënte pisllëqe të vogla. Në atë kohë unë shoqërohesha vetëm me Indrit Doklen, ndërsa nga ana tjetër Plarenti rrinte me Indrit Taullain dhe J. M. Dy muaj pas vrasjes së Erion Lames doli nga burgu Luli. Unë me Indrit Doklen shkuam për vizitë tek shtëpia e tij të re që e kishte ndërtuar në Spitallë. Nuk ndenjëm shumë dhe u larguam, aty ishin edhe njerëz të njohur të tij. Rreth 20 ditë pas ardhjes së Lulit nga burgu italian, doli nga burgu në Shqipëri edhe Klodi. Atë ditë, kur doli e takova pak pasi kishte shumë njerëz për vizitë. Të nesërmen po bëja xhiro me një fuoristradë të një mikut dhe pashë se Luli bashkë me Plarentin po shkonin në Spitallë, tek shtëpia e Klodit për vizitë. Pas dy ditësh më thirri Klodi dhe unë shkova në Spitallë. Ai më tha: njerëz më të afërt të kam ty dhe Indrit Doklen. Me Lulin nuk kam më punë, meqë kur isha në ditë të zeza, nuk më pa njeri. Pas tre- katër ditësh, Klodi shkoi për vizitë tek Luli, për t’i kthyer vizitën. Unë e pashë vetë këtë, pasi në atë kohë isha te shtëpia e Klodit. Unë me Indritin e pritëm rreth 30 minuta Klodin jashtë shtëpisë së Lulit, me dy makina. Që nga ajo ditë, Klodi nuk është takuar më me Lulin. Mbas takimit, Klodi u shpreh: “Kishim ç’kishim me Lulin, i pashë pisllëqet e tij dhe nuk më ka ndihmuar. Tani ai në punën e tij, unë në punën time. Kemi qenë shokë deri dje, ruajtëm ç’kishim për të ruajt. Tani nuk jemi armiq, por të shikojë çdonjëri punën e vet”. Pas ndarjes me Lulin, Klodi kishte si shok të ngushtë Indrit Doklen dhe pastaj mua. Në atë kohë filloi të afrohej edhe një çun lagjeje. Ai i rrinte në shërbim me makinë vëllait të Klodit, kur bridhte për punën e Klodit, kur ishte në burg. Pas një muaji, aty nga mesi i vitit 2002, Klodi shiti një tokë që kishte tek Plepat në Durrës dhe mori nga ai 70 mijë dollarë që i futi në punë. Klodi na tha: “çuna, ju m’u gjendet në ditë të zeza dhe ju, me kismet të na ecë puna do t’u ndihmoj dhe do të rregullohemi të gjithë”. Klodi filloi të blinte drogë, heroinë të pastër. Unë nuk e di se ku e blinte, pasi Klodi ishte shumë i zgjuar dhe nuk na tregonte se ku e merrte drogën. Ai zakonisht merrte 6 kg heroinë, ndonjëherë 12 kg dhe e sillte te shtëpia e vjetër dhe për këtë nuk dinte gjë njeri. Këtë muhabet e dinim vetëm unë dhe Indrit Dokle. Klodi na mësoi se si bëhej përzierja. Përzierja bëhej me frutatriçe. Aparatin elektrik e fusnim në prizë dhe e përziente vetë. Ne hidhnim në aparatin përzierës 150 gram heroinë të pastër dhe e përzinim me 350 gram që është pluhur apostafat dhe bëhej gjysmë kile, të cilën e paketonim dhe e stamponim. Ne e paketonim me skoç kafe, i cili është ngjitës rulo dhe e stamponim me një kallëp hekuri. Klodi pasi e bënim gati, e niste për në Itali. Dua të them se Klodi ishte shumë i kujdesëm edhe me transportimin e drogës, ku nuk ngatërronte asnjë nga ne, pasi ne vetëm e paketonim dhe e lajmëronim që ishte gati dhe iknim. Klodi niste zakonisht një dërgesë prej 20 kg drogë në muaj. Pasi merrte paratë e ngarkesës së parë, ai niste tjetrën. Paratë i merrte gjithmonë në dorë. Pasi merrte paratë e dërgesës së parë, merrte drogën e pastër që e përzienim ne. Për rreth një vit, puna eci normalisht dhe ne dërgonim nga një ngarkesë në muaj. Pas një viti që filluam këtë punë, Klodi na tha që na u kap një ngarkesë rreth 20 kg heroinë në Kroaci dhe që atëherë, puna ra pak, pasi ishte e vështirë për të gjetur transportues si dhe kishim frikë mos kapnin ngarkesën. Që atëherë dërgonim më rrallë, rreth 1 herë në dy muaj, deri pas kapjes së ngarkesës tjetër prej 15 kg drogë të llojit heroinë, e cila u kap në qytetin e Modenës në Itali. Shoferi më duket se ka qenë ose slloven ose kroat, por nuk mund të them me siguri këtë. Pasi u kap kjo ngarkesë u bënë dhe dy ose tre rrugë me heroinë dhe u la puna. Klodi më ka thënë se fitimi ishte rreth 40 mijë euro për ngarkesë.
TË PANDEHURIT
Lulzim Berisha,
Plaurent Dervishaj
Indrit Dokle
Indrit Taullaj
Adriatik Coli
Sardian Sulejmani
Kujtim Buna
Altin Olloni
Elvin Hoxhosmani
Alban Neli
Selman Heti
Spartak Kalthi
Altin Nikolla
Kristian Begu
Bujar Gashi
Ahmet Ajeti
Osman Karpuzi
TË VRARËT
Dritan Sallaku
Viron Curri
Arjan Paja
Eduart Ongari
Marsel Sotiri
Dritan Disha
Erion Lame
Klodian Saliu
Avni Gashi
Ilir Koldashi